Dy versionet më të lexuara në shqip të Kuranit Famëlartë- na vijnë nga këta dy hoxhallarë
Në vazhdim të rubrikës biografi po ju paraqesim dy jetëshkrime hoxhallarësh me një kontribut tejet të veçantë për letrat shqipe. Të dy këta hoxhallarë janë përkthyes të kuptimeve të Kuranit Famëlartë në shqip. Për shkak të rrethanave historike të krijuara përkthimi i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe ka pasur një farë vonese. Fillimisht kanë qenë vështirësitë e përkthimit, por pas vitit 1945 regjimet komuniste nuk e toleronin përkthimin e Kuranit, e veçanërisht regjimi komunist i Tiranës, i cili iu përgjigj kërkesës së KMSH-së së asaj kohe, se nuk kemi letër për ta shtypur, ndërkohë që literatura e propagandës bolshevike shtypej me qindra mijëra kopje pa kursim. Ndaj edhe dalja në dritë e përkthimeve të kuptimeve të Kuranit Famëlartë në shqip është një arritje e madhe për besimtarët dhe komunitetin e tyre.
Hafiz Sherif Ahmeti – (1920-1998) H. Sherifi u lind në 1920 në fashatin Gumnasellë të komunës së Lypjanit, në një familje me tradita fetare e kombëtare. Gjyshërit e tij në Gumnasellë ishin shpërngulur dhunshëm në vitin 1878 nga fshati Prekopucë i rrethit të Toplicës. Katër klasat e para të shkollës fillore, h. Sherifi i kreu në gjuhën serbe në shkollën fillore të fshatit Banullë. Këtu në atë kohë mësohej edhe lënda fetare dhe njohuritë e para për mësimet islame i mori në këtë shkollë nga mulla Azizi për t’i vazhduar ato edhe në mejtepin e fshatit. Më vonë h. Sherifi vazhdoi mësimet në medresenë e Ferizajt, ku mësoi morfologjinë e gjuhës arabe (sarfin) te myderrizi i njohur Azem ef. Gremja, ndësa sintaksën (avamil) në medresenë e Prizrenit te hfz. Abdullah Efendiu. Më 1934 regjistrohet në Medresenë e njohur “Pirinaz” të Prishtinës, ku pati fatin të merrte njohuri nga myderrizët e njohur të asaj kohe-Ahmet ef. Mardoqi dhe haxhi Hamdi ef. Ibrahimi, që të dy alimë me përgatitje të lartë në shkencat islame, që shquheshin edhe për atdhedashuri, nga të cilët h. Sherifi do t’i merrte që të dyja. Medresenë “Pirinaz” h. Sherifi e mbaroi me sukses në maj 1944, kur mori Ixhazetnamenë nga myderrizi Ahmet ef. Mardoqi.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore intelektualët shqiptarë u organizuan në kuadër të “Pushtetit popullor” dhe filluan hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Me kërkesën e kompetentëve të arsimit të atëhershëm në Kosovë, në mungesë të kuadrit h. Sherifi më 19 dhjetor 1944, nga Zekerija Rexha, merr vendimin për mësues në fshatin Banullë. Detyrën e mësuesit më vonë h. Sherifi e kreu edhe në Gadime dhe Sllovi, dhe aty krahas detyrës si mësues ishte edhe drejtor. Në fshatin Sllovi për vajzat mbajti edhe kursin e shëndetësisë, që asokohe ishte i detyrueshëm. Më 1945, h. Sherifi me qëllim ngritjen e tij profesionale për detyrën që kishte marrë (mësues) u regjistrua në Kursin pedagogjik në Prishtinë, për ta vazhduar më 1949 në Prizren, e për ta kryer me sukses në Pejë më 1950. Gjatë kohës që punoi si mësues, h. Sherifi dha një kontribut të madh në arsimimin e brezit të ri në gjuhën shqipe. Asaj kohe ai bashkëpunoi ngushtë me pishtarët e arsimit shqip në Kosovë- Mehmet Gjevori e Shefqet Veliu, nga të cilët përfitoi metodologjinë e punës pedagogjike me filloristë, të cilën h. Sherifi e zbatoi me sukses. Më 1956, h. Sherif Ahmeti i kthehet profesionit të njëmendtë të tij-teologut- hoxhës (imamit) në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypjanit, dhe në të njëjtën kohë zgjidhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyra që h. Sherifi i kreu me ndërgjegje e përkushtim të lartë deri në vitin 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në Medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës. Në medrese, punoi deri në vitin 1985, dhe aty dha një kontribut të madh në edukimin e arsimimin e brezave të rinj.
Këtu h. Sherifi ligjëroi rregullisht lëndët: Akaid (Apologjetikë) e Filozofi islame dhe sipas nevojës, edhe lëndën e Usuli Fikhut. Krahas detyrës së mësimdhënësit, h. Sherifi për 14 vjet rresht (1970-1984) ka qenë drejtor i medresesë, një detyrë që e kreu me shumë sukses. Një mandat ka qenë kryeredaktor i “Buletinit Informativ/ Informativni Bilten”, ndërsa revistën e parë fetare pas Luftës së Dytë Botërore në gjuhën shqipe në të gjitha trojet shqiptare, që filloj të botohej më 1971 në Prishtinë “Edukata Islame”, e udhëhoqi në cilësinë e kryeredaktorit, që nga numri i 1/1971 deri në nr. 48-49/1987. Tri mandate (1969-1982) ka qenë kryetar i Shoqatës së Ylemave, ku edhe mori iniciativën për botimin e periodikut të saj në gjuhën shqipe. H. Sherifi ka qenë edhe një ndër bashkëpunëtorët më të rregullt të “Takvimit/Kalendari”, më vonë edhe të “Diturisë Islame”. Ai është i pari që për nevojat e nxënësve të medresesë, hartoi dispensat për tri vitet e para për lëndën e Akaidit, që më 1969. Përktheu edhe literaturën bazë për njohuritë islame si Ilmihalin, Jasinin etj. H. Sherifi në vitin 1988 botoi, të përkthyer e të komentuar Kuranin në gjuhën shqipe, një nga variantet më të popullarizuara të këtij libri të dashur për të gjithë muslimanët. Më 1985, h. Sherifi, u zgjedh myfti i Prishtinës me rrethinë, detyrë të cilën e kreu deri në pension, më 1990. Megjithëqë në pension e në moshë të shyrë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanatit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës që u themelua atë vit, për të ligjëruar lëndën e Akaidit. H. Sherifi ndërroi jetë në Prishtinë në moshën 78 vjeçare, më 14 maj 1998.
Hasan efendi Nahi – (1905-1991) Ai u lind në Gjakovë në një familje të madhe e me zë, nga babai Islami dhe nëna Xhemilja më 12 mars 1905. Familja e tij dallohet në kultivimin e traditave fetare e kombëtare. Babai i tij, Islam efendiu ka qenë myderriz për shumë vite i Medresesë së Madhe të Gjakovës, kurse gjyshi i tij haxhi Jaha ka qenë hoxhë e personalitet i nderuar dhe i respektuar në Gjakovë e rrethina. Hasan Nahi mësimet e para i mori në Gjakovë, së pari mbaroi Mektebin katërklasësh, e më pastaj për dymbëdhjetë vjet mësoi në Medresenë e Madhe të Gjakovës, të cilën e përfundoi me sukses dhe mori ixhazetnamenë. Mirëpo Hasan efendiu nuk mbeti me kaq, por dëshira e madhe që të kryente studimet e larta e çoi në Misirin e Largët të Mehmet Ali pashës. Kështu në vitin 1930 Hasan Nahi së bashku me bashkëvendësit e tij mulla Tahir Brovinën dhe Mulla Asllanin u regjistrua në Universitetin “Al-Az’har”, në Fakultetin “Kismi Ali”, që do të thotë “Shkalla më e lartë e dijenive fetare”. Gjatë studimeve në Kajro Hasan efendiu u tregua i përkushtuar e i zellshëm, dhe arriti që studimet t’i përfundonte në afatin më optimal dhe diplomoi në vitin 1934.
Në Kajro, përveç të tjerash, Hasan efendiu u njoh dhe u shoqërua me shumë studentë gjithandej trojeve shqiptare dhe nga vendet e tjera të Ballkanit, të cilët më vonë pas kthimit në vendet e tyre do të luanin role të rëndësishëm në jetën shoqërore, fetare dhe politike, si fjala vjen Sadik Bega nga Shqipëria, Bedri Hamidi nga Shkupi, Mumin efendiu nga Kumanova, Mehmed Hanixhiq, Kasim Dobraqa e Besim Korkuti nga Bosnja. Hasan efendiu gjatë kësaj kohe u njoh dhe u miqësua edhe me poetin e njohur turk me prejardhje shqiptare Mehmet Akif Ersojin.
Me t’u kthyer nga Kajroja, Ulema Mexhlisi me qendër në Shkup më 1935, Hasan ef. Nahin do ta emërojë në detyrën e Sejjar-Vaizit. Ligjëratat e Hasan efendiut kudo që shkonte përcilleshin me interesim të madh nga ana e besimtarëve. Mënyra e shpjegimit, e ligjërimit, afërsia me popullin, sjellja e tij me modesti e urti dhe sidomos ligjërimi në gjuhën shqipe, bënë që Hasan efendiu të mos ngelte një hoxhë dhe alim lokal i një vendi, por ai u bë i njohur gjithandej Kosovës dhe më gjerë. Kjo mbase ndikoi që më 1938 qytetarët e Ferizajt të kërkonin nga Hasan ef. Nahi, që të merrte detyrën e myderrizit në medresenë e Ferizajt.
Në prill të vitit 1943, Komuniteti Mysliman Shqiptar me seli në Tiranë, i cili organizonte dhe mbikëqyrte jetën fetare edhe në Kosovë, do ta emërojë Hasan ef. Nahin myderriz kryesor dhe drejtues të medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit. Në këtë detyrë ai do të qëndrojë deri në vitin 1948, kohë kur kjo medrese me një traditë afro katër shekullore në mënyrë arbitrare dhe me ca arsyetime banale do të mbyllej nga pushteti socialist-komunist, që dalëngadalë po nguliste thonjtë në Kosovë. Në qershor të vitit 1943 Komuniteti Mysliman Shqiptar me seli në Tiranë, Hasan ef. Nahin do ta emërojë Kryemyfti të Zonës së Dukagjinit, detyrë kjo të cilën do ta kryejë deri në vitin 1946, kur edhe suprimohet ky funksion. Pas mbylljes së medresesë “Mehmed Pasha” më 1948, Hasan ef. Nahi do të shpallej nga pushteti si person i papërshtatshëm dhe nuk do t’i lejohej të ushtronte ndonjë funksion tjetër përveçse të imamit, gjë për të cilën e gjejmë deri më 1958 Hasan ef. Nahin si imam në Gjakovë. Në një studim të mbështetur në dokumente arkivore të historianit Hakif Bajrami jepen të dhëna për planet sekrete të UDB-së për likuidimin dhe shpërnguljen me dhunë të ulemave të Kosovës, ndër të tjera edhe për Hasan ef. Nahin
Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu do të vihet me tërë qenien në përkrahje dhe të masivizimit të arsimit në gjuhën shqipe. Ai për këtë nuk la asnjë rast dhe as vend pa e përmendur rëndësinë, vlerën dhe nevojën e shkollimit në gjuhën amtare. Dhe jo vetëm kaq, por përveç se ngriti zërin kundër mbylljes së medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren, ai doli fuqishëm në mbrojtje të Gjimnazit të Gjakovës dhe shkollës shqipe në përgjithësi në vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Kështu në qershor të vitit 1956 në një tubim me strukturat e pushtit të asaj kohe, e që kishin si synim që gjimnazin e Gjakovës ta kthenin në shkollë profesionale (teknike) Hasan efendiu atë kohë qe’ i pari që e kundërshtoi ashpër këtë nisëm të pushtetarëve të atëhershëm. Hasan efendiu në bashkëbisedim me pushtetarët e atëhershëm, argumentoi fuqishëm se Gjakovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, si popullsia më e prapambetur asokohe në Jugosllavi, u nevojitej pikërisht gjimnazi, si shkollë që do të krijonte kuadro të afta për të vazhduar studimet në Universitete. Ndërsa gjatë viteve 60-70, Hasan efendiu përkrahu fuqishëm klasën intelektuale shqiptare në odiseadën e tyre për të siguruar të drejtën e shqiptarëve për të pasur një universitet, ku do të shkolloheshin shqiptarët e ish-Jugosllavisë në gjuhën e tyre amtare.
Më 1958, Hasan ef. Nahi do të caktohet profesor për lëndën e Kuranit dhe lëndët e tjera fetare në medresenë e Ulët të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu përveç angazhimit të tij si myderriz, u angazhua pareshtur për shndërrimin e medresesë nga e ulët në medrese të mesme, e barasvlershme me gjimnazet e kohës. Detyrën e profesorit në medresenë “Alauddin” të Prishtinës do ta kryejë për 20 vjet rresht, deri në korrik të vitit 1978. Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu kishte arritur t’i nxirrte tri gjenerata me nxënës, që vinin pothuajse nga të gjitha rrethet e Kosovës, nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku, gjenerata këto që edhe sot e kësaj dite njihen si gjeneratat e Hasan ef. Nahit. Gjatë punës së tij në medrese dhe nga përvoja me nxënësit, Hasan ef. Nahi kishte vërejtur nevojën e patjetërsueshme, se shqiptarët duhet të kishin edhe një fakultet ku Islami do të mësohej në gjuhën shqipe. Ky vizion dhe dëshirë jo vetëm e Hasan efendiut, por e gjithë ulemasë së gjeneratës së tij u bë realitet në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Hasan ef. Nahi ishte i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm se besimtarëve myslimanë shqiptarë u duhej përkthimi i Kuranit në gjuhën e tyre, në mënyrë që t’i kuptojnë më mirë e më drejtë mësimet dhe porositë e Allahut xh.sh. Prandaj megjithëqë i shtyrë në moshë dhe në pension, por i vetëdijshëm për rëndësinë që ka përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe, më 1978 nisi të përkthente në gjuhën shqipe ajetet e para të kaptinës “Fatiha” për të vazhduar deri në ajetin e fundit të kaptinës së fundit të Kuranit Fisnik, përkthim ky që doli nga shtypi më 1988. Hasan efendiu ndërroi jetë më 5 shkurt 1991 në Prishtinë. Hasan ef. Nahi la pas vetes një bibliotekë të pasur me libra e dorëshkrime në gjuhë të ndryshme, disa prej tyre të trashëguara nga të parët e tij myderrizët e Medresesë së Madhe të Gjakovës.