Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Lëvdatat i takojnë Allahut, Zotit të botëve, bekimet dhe paqja e Zotit qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, vulën e profetëve, dhe mbi të gjithë familjen dhe shokët e tij.
Vendimi Nr. 242 (25/4)
Lidhur me dukurinë e këndimit në namaz me një gjuhë tjetër nga arabishtja
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të 25-të në Xhedah, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, më 29 Rexheb – 3 Shaban 1444 hixhri (20-23 Shkurt 2023) pas shqyrtimit të hulumtimeve të dorëzuara në Akademi në lidhje me temën: “Fenomeni i këndimit në namaz me një gjuhë tjetër nga arabishtja”, në dritën e asaj që iu prezantua anëtarëve të Këshillit për këtë fenomen të ri, i cili bën thirrje që falja të kryhet në gjuhë të ndryshme nga arabishtja, duke përdorur përkthimet e kuptimeve të Kuranit të Madhëruar si dhe përkthimet e kuptimeve të lutjeve të detyrueshme në namaz, si një alternativë kjo në vend të këndimit të Kuranit dhe lutjeve të detyrueshme në namaz në gjuhën arabe, në të cilën Kurani i Madhëruar u shpall, dhe duke pasur parasysh se kjo dukuri nuk lidhet me mosmarrëveshjen e njohur në Fikh për çështjen e këndimit në një gjuhë të ndryshme nga arabishtja gjatë namazit, dhe pas dëgjimit të diskutimeve që u zhvilluan për këtë temë nga anëtarët e Akademisë dhe ekspertët e saj, si dhe nisur nga parimi i parandalimit të pasojave negative që rrjedhin nga ky fenomen i rrezikshëm, vendosi si vijon:
Së pari: Falja e namazit në gjuhën arabe është çështje konsensuale mes muslimanëve, e pranuar dhe shprehur tekstualisht (nga dijetarët islamë), dhe një nga ritualet e Islamit që është zbatuar e tillë nga ymeti islam që nga koha e sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) deri në ditët e sotme, prandaj nuk lejohet kundërshtimi i saj.
Së dyti: Namazi në një gjuhë tjetër përveç arabishtes është i pavlefshëm. Nuk ka asnjë justifikim për atë që nuk mëson ta thotë në arabisht atë që duhet të thuhet nga Kurani dhe lutjet e detyrueshme në namaz, siç janë: Allahu ekber, Subhan-Allah, SemiAllahu limen hamideh, Rabena ue lekel-hamd, et-Tehijatu… etj. Përjashtim nga ky rregull bën vetëm ai person që sapo ka hyrë në Islam dhe ai që e ka tërësisht të pamundur t’i mësojë këto pjesë t’i thotë në gjuhën arabe.
Së treti: Përkthimi i kuptimeve të fjalëve të Kuranit Famëlartë nuk konsiderohet Kuran, sipas konsensusit të mbarë muslimanëve, sepse Kuran emërtohen vetëm fjalët e mrekullueshme të Zotit, në gjuhën e kulluar e të qartë arabe, të renditura ashtu si i janë zbritur të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam). Kurani është libër i përcjellë nga një numër i madh njerëzish në çdo brez (muteautir), i gjendur i plotë brenda dy kapakëve të mus’hafit (Kurani i shkruar). Ndërsa për sa u përket përkthimeve të kuptimeve të Kuranit, ato nuk konsiderohen fjalë e Zotit, por janë fjalë të njerëzve dhe nuk janë mrekulli. Përkundrazi, ato nuk janë të paprekshme nga gabimet dhe këndimi i tyre nuk është adhurim.
Së katërti: Falja e namazit përmes përdorimit të përkthimeve të kuptimeve të Kuranit Famëlartë dhe përkthimit të kuptimeve të lutjeve të detyrueshme në namaz, nuk është e vlefshme. Ai që e kryen faljen në këtë mënyrë duhet ta përsërisë atë (përveç rasteve që u përmendën), sepse ai ka lënë pas dore një nga shtyllat e namazit, që është këndimi i Kuranit Famëlartë, që i është zbritur të Dërguarit Allahut (alejhi salatu ue selam).
Së pesti: Autoritet zyrtare (në shtetet islame) kanë të drejtë të marrin masa (tazir) për këdo që falet ose bën thirrje që namazi të falet në një gjuhë të ndryshme nga arabishtja, për shkak të pasojave negative që sjell një veprimi i tillë, duke e përdorur këtë gjë si justifikim për t’i larguar njerëzit nga Kurani i Madhërishëm dhe mjaftuar kështu me përkthimet e kuptimeve të tij, çka shkakton përçarje në bashkësinë islame dhe përhap tensione fanatizmash etnikë.
Këshilli rekomandon:
Këshilli u bën thirrje qeverive të shteteve anëtare të OBI-së dhe institucioneve që merren me çështjet e komuniteteve muslimane, që të marrin masat për t’u përballur me ata që bëjnë thirrje për faljen e namazit përmes përkthimeve të kuptimeve të Kuranit të Madhërishëm dhe përkthimeve të kuptimeve të lutjeve të detyrueshme në namaz, fenomen ky që ka filluar të përhapet në disa shtete anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe në disa vende ku ka komunitete myslimane. Pas këtyre veprimeve qëndrojnë entitete dhe organizata të dyshimta armiqësore ndaj Islamit, të cilat përpiqen të përhapin trazira mes muslimanëve.
Këshilli u bën thirrje autoriteteve fetvadhënëse, bordeve sheriatike, institucioneve dhe akademive të Fikhut Islam, imamëve, predikuesve dhe hatibëve që t’ju qartësojnë njerëzve rrezikun e kësaj dukurie dhe pasojat e saj negative në unitetin e bashkësisë islame.
Këshilli u bën thirrje institucioneve, universiteteve, instituteve dhe qendrave akademike, që të lehtësojnë mësimin e gjuhës së Kuranit të Madhëruar, në atë mënyrë që i mundëson çdo muslimani të lexojë Kuranin e Madhëruar në gjuhën arabe, që Zoti i Plotfuqishëm e zgjodhi për të zbritur fjalët e Tij të Fuqishme, të mrekullueshme në fjalë dhe renditje.
Vërtet, vetëm Allahu është i Gjithëdijshëm.