Feja dhe Kombi

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 20 minuta lexim

feja-dhe-kombi

Feja dhe Kombi

Përkufizimi i fesë dhe kombit

 

Emrim Koçi

 

Çështja e përkufizimit të fesë dhe kombit si nocione shoqërore, në kohën tonë është një temë me rëndësi te madhe, për arsye se shumë prej njerëzve kanë rezerva të paarsyeshme ndaj përkufizimit të njërit nocion apo të të dyve, dhe jo rrallëherë edhe i ngatërrojnë të kuptuarit e fesë dhe kombit, deri në atë shkallë sa fillojnë të mendojnë se feja dhe kombi përballen dhe kundërshtohen njëri me tjetrin. Dikush anon nga njëra kundrejt tjetrës duke krijuar kështu një betejë mes dy gjërave që në realitet nuk atakohen.

Feja dhe kombi janë dy çështje që nuk konfrontohen ndërmjet vetes, ato nuk i hynë njëra-tjetrës në përmbajtjen e tyre.

Feja është programi i Allahut i zbritur për njerëzit, që u mëson atyre bazat e besimit si dhe mënyrën e jetësimit të atij besimi duke rregulluar raportet e njeriut me Krijuesin e tij, me veten dhe familjen e tij si dhe me shoqërinë në përgjithësi. Kombi është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës.

Edhe pse nocioni komb bëhet i njohur shumë vonë në histori, domethënia e tij ekziston pas pasardhësve të Nuhut, alejhis selam. Ndërkohë që feja është e njohur dhe daton me njeriun e parë, atin e njerëzimit, Ademin, alejhis selam. Besimi dhe Kombi janë dy koncepte të ndryshme, të cilat nuk interferojnë njëra me tjetrën, por ecin paralelisht në formimin e personalitetit të individit. Nuk mund të jesh musliman i mirë kur nuk do kombin tënd.

Nëse të pyesin “Feja apo Kombi” ji krenar dhe përgjigju Feja, sepse feja jote është ajo që të urdhëron ta ruash territorin dhe nderin e kombit tënd. Ruajtja e kombit është detyrë primare dhe obligim fetar. Te qenit musliman përmban në vete të qenit kombëtar.

Feja në thelb ka si qëllim të saj besimin e njeriut dhe jo të identifikohet me emrin e ndonjë bashkësie të caktuar njerëzish që flet një gjuhë të caktuar, e jeton në një territor e kohë të caktuar. Mësimet e saj nuk kanë të bëjnë me racat njerëzore, ato janë universale. Por, ka raste kur feja të jetë identifikuar me një komb të caktuar. Në këto raste njerëzit kanë emërtuar me emrin e fesë kombin e tyre, dhe kjo nga dashuria që kanë pasur të parët e tyre për fenë. Siç p.sh. rasti me çifutët që e quajnë kombin e tyre me emrin e fesë jehude, apo rasti i boshnjakëve që quheshin myslimanë, ku në të dyja rastet emri i fesë është kthyer në emër të kombësisë së tyre, por edhe i përkatësisë së tyre religjioze.
Megjithatë në thelb feja dhe kombi janë çështje të ndara njëra me tjetrën dhe nuk kanë kundërshti në mes tyre. Po ashtu njëri nocion nuk mund ta zëvendësoj tjetrin, pasi që përmbajtja dhe kuptimet janë të ndara.

Në botë kombe ka më shumë se fe. Shumë kombe (etni) mund të kenë dhe praktikisht kanë një fe. Po ashtu brenda një kombi mund të ketë pjesëtarë të feve të ndryshme. Mund të pyetet: Pse Krijuesi i njerëzisë është Një i Vetëm dhe ndërkohë kemi kombe dhe fe të ndryshme? Kësaj pyetje do t’i përgjigjemi në pjesë të veçanta sa i përket feve dhe kombeve.

Urtësia e krijimit te kombeve të ndryshëm.

Së pari krijimi i shumë kombeve, racave, gjuhëve etj. Kjo gjë nuk ka ndodhur rastësisht. Gjithçka nga krijesat e Zotit është e krijuar në familje e lloje të ndryshme. Dhe kjo është prej begative që Allahu i krijoi për njerëzimin. Në Kur’an thotë: “A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me te fruta, ngjyra (lloji) e të cilëve është e ndryshme.” (Fatir, 27)

Nëse hedh një vështrim mbi botën bimore do të gjesh në të një larmi të madhe varietetesh, madje edhe brenda të njëjtit lloj.

Allahu në vazhdim të fjalës së Tij të sipërpërmendur thotë: “Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme.” (Fatir, 28)

E gjithë kjo llojllojshmëri nuk është gjë tjetër vetëm se një mjeshtri e përsosur e Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Dallimi i njerëzve në pamje, ngjyrë etj. nuk është rezultat i angazhimit të prindërve, ose vullnet i tyre. Si erdhi deri te ndryshimi i gjuhëve kur e gjithë njerëzia është prej një babe dhe një nëne? A thua vallë, kanë komunikuar me fëmijët e tyre në më shumë se një gjuhë?! Pa dyshim se këtu ka argumente të qarta për njerëzit që të kuptojnë madhështinë e Allahut siç thotë: “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Pa dyshim në këtë ka argumente për te zotet e mendjes.” (Err-Rrum, 22)

Llojllojshmëria e kulturave bujqësore është e qartë se është dhunti e madhe e Zotit për të poseduar njerëzit shije të ndryshme. Shtrohet  pyetja, pse të ketë llojllojshmëri në njerëz? A nuk ishte më mirë që njerëzit të jenë një lloj me një ngjyrë, me një gjuhë ose thënë më shkurt që e gjithë njerëzia të jetë një komb? Kësaj pyetje i përgjigjet Allahu në Kur’an kur thotë: “O njerëz, padyshim Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni.” (El Huxhuratë, 13)

Pra nga gjithë kjo u pa se Allahu ka dëshiruar që njerëzit të jenë kombe të ndryshme me gjuhë dhe ngjyra të ndryshme duke mos favorizuar ndonjë komb mbi një tjetër. Në këtë mënyrë të gjithë njerëzit janë të barabartë tek Allahu. A thua si qëndron puna me fetë, besimet? Përderisa Allahu i ka krijuar njerëzit në kombe të ndryshme a do të thotë kjo se Ai ka zbritur po ashtu programe të ndryshme të besimit dhe adhurimit?

Një gjë duhet ta kemi parasysh se ndryshimi i gjuhëve dhe i ngjyrave të njerëzve nuk erdhi nga njerëzit dhe vullneti i tyre, por kjo ndodhi nga dëshira e Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Prandaj çfarëdo vendimi lidhur me fetë, prapë duhet të jetë nga Allahu.

Një fe e vetme për mbarë njerëzimin.

Së dyti, sa i përket ekzistimit te shumë besimeve duke qenë një Krijues i Vetëm, nuk është kjo çështje sikur që ishte me kombet. Pa marr parasysh shijet e ndryshme që kanë fruta të caktuar të një familjeje madje të një lloji, të gjitha janë krijuar për një qëllim e ai është që njeriu si krijesë më e privilegjuar të ketë ushqime të mjaftueshme me shije jo te njëjtë, por të llojllojshme. Ose pa marr parasysh llojllojshmërinë e kafshëve të ndryshme, të gjitha Allahu i ka krijuar në shërbim të njeriut si mjete bartëse, produkte ushqyese etj. Pra të gjitha krijesat e krijuara përpos njeriut janë krijuar për t’i shërbyer njeriut. Kështu qëndron puna edhe me njerëzit. Pavarësisht nga dallimet e njerëzve në baza gjinore, racore, etnike etj. të gjithë janë krijuar për një qëllim të caktuar e ai është jetesa duke e njohur dhe adhuruar Krijuesin Absolut, Allahun e Lartësuar. Siç thotë në Kur’an: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër gjë, por të më adhurojnë Mua .” (Edh Dharijatë, 56)

Muxhahidi ka thënë se fjala “adhurojnë” në ajetin kur’anor të përmendur ka për qëllim “të më njohin Mua”.
Në këtë kontekst duhet të përmendim se Allahu i Madhërishëm asnjëherë nuk ka zbritur për njerëzimin në asnjë kohë fe tjetër dhe program tjetër të besimit vetëm sipas fesë islame. Allahu pavarësisht besimeve të ndryshme që kanë njerëzit nuk bën dallim mes tyre për sa i përket etapave të jetës se pasvdekjes, në Ringjallje, kur dihet se këto gjëra janë të pandryshueshme e nuk mundet që për një popull të ketë formë tjetër të ringjalljes, llogarisë, xhenetit, xhehenemit etj, kur dihet se të gjithë njerëzit përnjëherë do të ringjallën dhe në një vend. Prandaj edhe do t’i përjetojnë të njëjtat momente. Kështu qëndron edhe çështja e vetë Allahut. Nuk ka mundësi, që lajmet e ardhura nga Allahu në kohë dhe vende të ndryshme të mos thonë të njëjtat gjëra për Krijuesin, si dhe raportet që duhet t’i ketë krijesa me Të, kur dihet se Krijuesi i të gjithëve është Një i përbashkët. Kjo madje do të ishte e padrejtë. “E Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El Kehf, 49) Pra Allahu gjithmonë ka zbritur një besim, një fe, edhe nëse kanë ndryshuar format e praktikimit, duke qenë të njëjtat baza të adhurimit.

Ekzistimi i shumë feve sot në botë, nuk është fakt se Allahu i ka zbritur apo miratuar të gjitha ato besime. Ato fe janë rezultat i pjellës së mendjes së njeriut, në të shumtën e rasteve, por edhe ndërhyrje e mendjes së njeriut në mënyrë të padrejtë në shtrembërimin e fjalëve të Zotit, të cilat edhe ashtu më vonë u shfuqizuan me zbritjen e Kur’anit, siç është rasti me jehudizmin dhe krishterimin. Të gjitha besimet e mëparshme pësuan devijime, përveç besimit islam, i cili erdhi nga Allahu dhe origjinaliteti i tij mbeti i garantuar nga Allahu deri në fund. Për këtë arsye Allahu ka thënë sa i përket Islamit: “Vërtetë fe te Allahu është Islami.” (Ali Imran, 19) Pra të vetmen fe që njeh, me të cilën i pranon veprat, dhe me të cilën adhurohet Allahu, është vetëm Islami.

Në mbyllje

Me gjithë këto që përmendëm më lart, vijmë në përfundim se ekzistimi i shumë kombeve, është prej begative të Allahut, por nuk është kështu edhe për ekzistencën e feve. Pra Allahu i krijoi njerëzit në kombe të ndryshme, ndërsa ata i pranon me të vetmen fe të zbritur nga Ai me fenë islame. Ai thotë në vazhdim të ajetit ku tregoi qëllimin e ndarjes së njerëzve në popuj e fise: ” O njerëz, padyshim Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër i përmbahet dispozitave. Allahu është i gjithëdijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El Huxhuratë, 13)

Sikur që tregoi në ajetet ku përmendi llojllojshmërinë e krijimit të frutave, kodrave, njerëzve, gjallesave dhe kafshëve, pasi i përmendi të gjitha këto, Allahu vazhdoi të thotë: “Po Allahut ia kanë frikën (i përmbahen dispozitave të Tij) nga robërit e Tij, vetëm dijetarët. Allahu është mbi gjithçka dhe është mëkatfalës.” (Fatir, 28) Vetëm dijetarët që e njohin realitetin e krijimit të tyre dhe raportet që duhet ndërtuar me Krijuesin e tyre, vetëm ata dinë t’i kenë frikë respekt të merituar Allahut Fuqiplotë. Pra të gjithë njerëzit para Allahut janë të barabartë në baza kombëtare apo etnike, por jo në ato fetare. Të pranuarit tek Allahu në baza fetare janë ata që dinë t’i përmbahen dispozitave të Tij, formave të adhurimit të cilat janë sqaruar vetëm në Islam. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka merita arabi mbi joarabin, e as joarabi mbi arabin, as nuk ka merita i kuqi mbi të ziun e as i ziu mbi të kuqin, përveç me devotshmëri.”

E gjithë kjo që u tha është e mjaftueshme për të kuptuar se Allahu nuk i pranon besimet e kota, të cilat nuk kanë baza të origjinalitetit se janë të zbritura nga Krijuesi i gjithësisë edhe pse ato përmbajnë program të besimit e të adhurimit. Si qëndron çështja me ideologji që kombin e kthejnë në fe, ndërkohë që kjo pikëpamje nuk përmban asnjë element që t’i përngjajë ndonjë besimi qoftë edhe të rrejshëm? Si p.sh. ata njerëz që shprehen se feja e shqiptarit është shqiptaria. Shqiptaria apo shqiptarizmi nuk është fe dhe askush nuk ka pretenduar se ai të jetë i tillë. Shqiptaria është një tërësi kombëtare, të cilës i takojmë ne si komb, dhe krenohemi se jemi të tillë. Shqiptaria si etni, nuk paraqet ndonjë vizion fetar se si të besohet, si do të jetë jeta e fundit, si është Krijuesi i gjithësisë etj.

Duke qene se kam studiuar për shkenca islame, në degën e doktrinës islame (akide ) dhe për histori botërore, mastrin po ne këtë fushe po e vazhdoj them se: Sa i përket thënies së Pashko Vasës, i cili ka thënë: “e mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria“. Dihet që kjo thënie është politike subjektive assesi objektive. Me këtë thënie i përmenduri ka pasur për qëllim që të mos bëhen fetë shkak për përçarjen e kombit shqiptar, dhe kjo kuptohet edhe nga konteksti ku është thënë kjo fjalë. Ai ka qenë i ditur se shqiptaria, si dhe asnjë etnitet tjetër në botë, nuk e ngop ndjenjën fetare as të atyre që kanë fe dhe ideologji njerëzore, e lëre më të muslimanëve të cilët kanë dashamirësi te theksuar në këtë drejtim.

Pra të jesh shqiptar i mirë e i devotshëm dhe vetëm i tillë, kjo gjë nuk të ndihmon asgjë para Allahut pasi të mungon adresa e drejtë e besimit. Ndërkaq të jesh musliman i mirë, me dashamirësi do të jesh edhe shqiptar e atdhedashës i mirë, i cilës do etnie t’i takosh, madje kjo gjë nuk të atakon me etni të tjera dhe si i tillë do të jesh shumë paqësor. Dikush mund të thotë: edhe feja të atakon me fe të tjera edhe nëse je paqësor me kombet të tjera. Ne i themi se feja islame kurrë nuk nxit konflikte as në baza të besimit dhe as ne baza te etnive. Por feja islame duke qenë një fe që i përgjigjet realitetit njerëzor dhe aspak ideologjive utopike e përligj mbrojtjen e fesë dhe kombit sa herë që ato rrezikohen.
Nga këndvështrimi ynë si besimtarë është absurde që dikush, qoftë ky intelektual ose njeri i thjeshtë, t’i krijojë vetës një komoditet të atillë që duke u nisur nga fakti se është një atdhetar i mire, por pa besim kjo gjë do t’i mjaftojë edhe për Botën Tjetër. Besimi dhe feja të bën të qëndrosh i rehatuar dhe paqësorë në këtë botë dhe ne tjetrën, edhe nëse i takon ndonjë kombi të përbuzur. Prandaj kujdes të veçantë në këtë çështje para se të bëhet vonë.