Shpesh dëgjojmë dhe lexojmë se gjuha shqipe ka përjetuar pesë shekuj ndalim e persekutim nga Perandoria Osmane. Madje, pretendohet se asnjë gjuhë tjetër në Evropë nuk ka pësuar një martirizim të tillë.
Por sa qëndron historikisht ky pretendim? A e ndaluan vërtet osmanët gjuhën shqipe? A ishte shqipja gjuhë zyrtare përpara ardhjes së tyre?
Fatkeqësisht, në disa diskutime të tilla, në vend të një analize historike të mbështetur në dokumente, vërehen edhe përpjekje për ta përdorur të kaluarën osmane si mjet për të ushqyer islamofobinë. Prandaj, le t’u kthehemi fakteve.
Së pari, duhet dalluar gjuha e folur nga gjuha zyrtare dhe ajo e arsimit. Nuk ka dëshmi për një ndalim të përgjithshëm pesëshekullor që ua ndalonte shqiptarëve të flisnin gjuhën e tyre. Shqipja përdorej në familje, në shoqëri, në tregje dhe nga vetë shqiptarët që shërbenin në administratën osmane, deri në postet më të larta të saj, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Stamboll, Damask, Alepo, Kajro e gjetkë.
Ndërkohë, gjuha kryesore e administratës qendrore ishte osmanishtja, ashtu siç perandoritë e tjera përdornin gjuhët e tyre zyrtare.
Por çfarë ndodhte përpara ardhjes së osmanëve?
Gjatë sundimit bizantin, shqipja nuk kishte statusin e gjuhës zyrtare perandorake. Në administratë, diplomaci dhe institucione fetare përdoreshin greqishtja, latinishtja dhe gjuhët sllave, sipas rrethanave politike e kulturore. Shqiptarët nuk kishin as një alfabet të njësuar.
Një dëshmi e vitit 1332, përpara sundimit osman, përmend se shqiptarët kishin një gjuhë krejtësisht tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, por përdornin shkronja latine në librat e tyre. Edhe Formula e Pagëzimit e vitit 1462 u shkrua shqip me shkronja latine, të përshtatura me tingujt e shqipes. Më vonë shqipja u shkrua edhe me shkronja greke e arabe.
Vetë Skënderbeu, në korrespondencën diplomatike me shtetet italiane, përdorte kryesisht latinishten, ndërsa disa dokumente të kancelarisë së Kastriotëve, të lidhura me Raguzën, janë ruajtur në gjuhë sllave.
Një shembull tjetër është Karl Topia, sundimtari shqiptar që në vitin 1381 rindërtoi manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit. Mbishkrimet e këtij monumenti u vendosën në tri gjuhë: latinisht, greqisht dhe sllavisht kishtare, por jo shqip.
A mund të themi se Skënderbeu apo Karl Topia e kishin ndaluar gjuhën shqipe? Sigurisht që jo. Ata përdornin gjuhët administrative, diplomatike dhe kishtare të kohës.
Përse, atëherë, mungesa e shqipes në dokumentet zyrtare osmane duhet të interpretohet automatikisht si ndalim i gjuhës, ndërsa për periudhat e mëparshme jo?
Një tjetër fakt i rëndësishëm është hapja e Mësonjëtores së Korçës më 7 mars 1887, gjatë sundimit të Sulltan Abdylhamidit II. Shkolla u hap me lejen zyrtare të administratës osmane, pas përpjekjeve të rilindësve shqiptarë, ndër të cilët Naim e Sami Frashëri, me Pandeli Sotirin si drejtues.
Edhe Shkolla e Vashave, e hapur në Korçë në vitin 1891 nga familja Qiriazi, zhvilloi veprimtarinë e saj brenda sistemit juridik osman.
Nëse ekzistonte një ndalim absolut i gjuhës shqipe, si shpjegohet që administrata osmane autorizonte hapjen e shkollave shqipe?
Por këtu lind një pyetje tjetër: Përse Mësonjëtorja e Korçës u mbyll në vitin 1902?
Përgjigjja lidhet me rrethanat politike të kohës. Çështja e arsimit shqip ishte ndërthurur me lëvizjen kombëtare dhe kërkesat për autonomi, të cilat autoritetet osmane i shihnin si kërcënim të mundshëm për unitetin e perandorisë. Ndërkohë, arsimi shqip kundërshtohej edhe nga qarqe të Kishës Ortodokse Greke, që e konsideronin kërcënim për ndikimin e tyre kulturor dhe kishtar.
Kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e autoriteteve osmane për mbylljen dhe kufizimet ndaj shkollave shqipe, por tregon se çështja nuk ishte thjesht kundërshtim ndaj shqipes si gjuhë; ajo ishte bërë edhe çështje politike e kombëtare.
Madje, legjislacioni osman i arsimit i vitit 1869 parashikonte hapësira për mësimdhënien në gjuhët vendase. Ndërkohë, vetë shqiptarët, për shkak të rrethanave historike, fetare dhe kulturore, ende nuk kishin arritur të njësonin një alfabet të përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe.
Duhet kujtuar gjithashtu se shumë rilindës shqiptarë, sidomos në fazat e para, nuk kërkonin shkëputjen e menjëhershme nga Perandoria Osmane, por autonominë shqiptare brenda saj, së bashku me të drejtat gjuhësore dhe arsimore.
Vetëm në Kongresin e Manastirit, më 14–22 nëntor 1908, u hodhën bazat vendimtare të njësimit të alfabetit të sotëm shqip. Në përpjekjet e mëhershme për hartimin e alfabetit dhe përhapjen e shkrimit shqip dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe shumë hoxhallarë shqiptarë. Ndër ta spikat Hoxhë Hasan Tahsini (1811–1881), dijetar i shquar, filozof, pedagog, një nga mësuesit dhe frymëzuesit intelektualë të rilindësve shqiptarë, i cili kishte hartuar dhe botuar një alfabet për gjuhën shqipe disa dekada përpara Kongresit të Manastirit.
Siç shihet, njësimi i alfabetit shqip u realizua vetëm në fund të sundimit osman, ndërkohë që leje administrative për mësimdhënien në gjuhën shqipe ishin dhënë më herët. Shqipja nuk kishte statusin e gjuhës zyrtare as përpara ardhjes së osmanëve dhe nuk u ndalua të flitej gjatë sundimit të tyre. Madje, shqiptarët, që përpara periudhës osmane, e shkruanin gjuhën e tyre duke përdorur alfabete të ndryshme, sipas traditave kulturore dhe fetare, pa pasur një alfabet të përbashkët e të njësuar.
Kjo është e vërteta historike që duhet trajtuar pa paragjykime dhe pa standarde të dyfishta.
Historia nuk ka nevojë as për idealizimin e Perandorisë Osmane, as për demonizimin e saj. Ajo ka nevojë për fakte, drejtësi dhe gjykim në kontekstin e kohës.
Hoxhe Mustafa Terniqi.
