Gjykimi islam për mishrat e importuar
Parashtrimi i çështjes:
Konsumimi i mishrave të importuar nga vendet jomuslimane.
Ajo çfarë e dallon epokën tonë, është prezenca e mjeteve të shumta të komunikimit e të transportit mes shteteve dhe vendeve të ndryshme, fakt ky që ka lehtësuar praktikën e shkëmbimit tregtar, në mes vetë muslimanëve dhe atyre që nuk janë muslimanë, qofshin këta ithtarë të librit (të krishterë dhe çifutë) ose të tjerë.
Umeti islam jeton sot në një situatë dobësie të dukshme ekonomike, aq sa edhe për ushqimet dhe pijet mbështet për t’i siguruar ato nga vende të tjera jomuslimane, mes tyre edhe mishrat e kuq dhe të bardhë, dhe këto në sasi tepër të mëdha. Kjo situatë ka sjellë mjaft komplikime fetare, prej tyre është dhe vështirësia e njohjes së atyre që merren me therjen e kafshëve, në vendet jomuslimane, duke përfshirë këtu edhe metodat e sotme të therjes, siç është përdorimi i makinerive që zëvendësojnë therjen nga njeriu. etj.
Dispozita për çështjen:
Juristët islam bashkëkohor e kanë hulumtuar çështjen e mishrave të importuar nga vendet jomuslimane, dhe kanë arritur në këto përfundime, të cilat po i japim të përmbledhura si më poshtë:
Së pari: therja e kafshës në përputhje me sheriatin islam përmbushet sipas këtyre mënyrave:
Therja (dhebh), e cila bëhet duke prerë gabzherrin (gypin e frymëmarrjes), ezofagun (gypin e ushqimit) dhe dy damarët e qafës. Kjo është mënyra e preferuar sheriatike në therjen e deleve, lopëve, shpendëve dhe të ngjashëm me to, por lejohet edhe për kafshët e tjera.
Prerja në fyt (nehr), e cila bëhet duke e goditur kafshën në gropën e fytit në fund të tij. Kjo mënyrë është e preferuar sheriatikisht për therjen e devesë dhe kafshëve të ngjashme me të, por lejohet edhe për lopën.
Gjuetia, me goditje gjakrrjedhëse, në çdo pjesë të trupit, të asaj kafshe që është e pamundur të zotërohet, qoftë kjo në gjendje të egër, por që lejohet gjahu i saj, ose e asaj kafshe të butë, por në gjendje të egërsuar. Nëse gjahtari e zë kafshën të gjallë, atëherë është detyrueshme që ai ta ther atë ose ta presë në fyt.
Së dyti: që therja të jetë e saktë duhet të plotësohen këto kritere:
Therësi duhet të ketë mbushur moshën madhore ose të jetë shtatë vjeç e sipër (mumejez), të jetë musliman, i krishterë ose çifut. Mishi që therin politeistët, të pafetë, ateistët, zoroastrianët, ata që kanë braktisur Islamin si dhe të gjithë jomuslimanët e tjerë, me përjashtim të ithtarëve të librit, nuk lejohet të hahet.
Therja duhet të bëhet me mjet të mprehtë, që pret për shkak të tehut të tij të mprehtë, qoftë ky material hekur ose diçka tjetër, që pret dhe derdh gjakun. Këtu përjashtohen si mjete therëse dhëmbi dhe thoi. Nuk lejohet të hahet kafsha që është mbytur, vetë ose nga të tjerët, as kafsha që është vrarë duke e goditur me gurë, çekan dhe mjete të ngjashme. Nuk lejohet të hahet as kafsha e rrëzuar, që bie nga vende të larta ose bie në gropë dhe ngordh. Nuk lejohet të hahet kafsha që ngordh nga goditja një kafshe tjetër, ose kafshimi i egërsirave, qofshin këta edhe shpend grabitqar, me përjashtim të atyre të stërvitur që përdoren për gjah. Nëse në të gjitha këto raste kafsha arrihet e gjallë dhe e qëndrueshme në jetë dhe theret, atëherë lejohet ngrënia e saj.
Gjatë therjes duhet të përmendet emri i Allahut (të thuhet Bismilah) dhe nuk mjafton përdorimi i regjistruar i zërit. Nëse përmendja e Allahut gjatë therjes qëllon të harrohet, kafsha e therur konsiderohet e lejuar (hallall).
Së treti: gjatë prerjes së kafshës është mirë të respektohen edhe disa etika islame, për të cilat ka tërhequr vëmendjen sheriati islam, siç janë: ndaj kafshës para therjes së saj duhet të tregohet butësi dhe mëshirë, po ashtu edhe gjatë therjes dhe pas therjes. Thika nuk duhet të mprihet në sy të kafshës që do të theret. Kafsha nuk duhet të theret në sytë e një kafshe tjetër, dhe as nuk duhet të theret me mjete të pa mprehura. Kafsha e therur nuk duhet të torturohet, as t’i pritet ndonjë pjesë e trupit, as të rripet, as të futet në ujë të nxehtë dhe as t’i hiqen puplat, vetëm se pasi të sigurohemi se i ka dalë plotësisht shpirti.
Së katërti: kafsha që do të theret nuk duhet të jetë e sëmurë nga epidemi ngjitëse, ose nga sëmundje që ndryshojnë cilësinë e mishit dhe dëmtojnë konsumatorin. Ky kriter është i rëndësishëm të zbatohet ndaj atyre produkteve që hidhen në treg dhe atyre që importohen.
Së pesti:
Therje normative sipas sheriatit islam quhet ajo therje që bëhet pa e trullosur kafshën, sepse kjo mënyrë, kur respektohen kriteret dhe etika e saj, është më e mira për kafshën, më e mëshirshme për të dhe ia pakëson asaj vuajtjet. Ata që merren me therjen e kafshëve duhet t’i evoluojnë mjetet e therjes për kafshët e mëdha, në mënyrë që kjo normativë islame të përmbushet sa më mirë.
Duke marrë parasysh atë që sqarohet në pikën a, të këtij paragrafi, therja që i bëhet kafshëve, pasi ato të jenë trullosur, konsiderohet si therje e rregullt sheriatike dhe lejohet konsumimi i tyre, me kusht që të përmbushen kriteret teknike, që sigurojnë se kafshët nuk ngordhin (nga kjo trullosje) para therjes së tyre. Specialistët e sotëm të fushës kanë përcaktuar këto kritere:
Dy polet e pajisjes elektrike duhet t’i vendosen në tëmtha kafshës ose në pjesën frontale të zverkut.
Tensioni elektrik i përdorur duhet të jetë ndërmjet 100 deri në 400 (V) volt (kjo në varësi të madhësisë së kafshës dhe forcës së saj. sh.përkth).
Ngarkesa elektrike e përdorur duhet të jetë ndërmjet 0.75 deri në 1.0 (A) amper, për delet, ndërsa për lopët ndërmjet 2.0 deri në 2.5 (A) amper.
Rryma elektrike e ushtruar mbi kafshën duhet të zgjasë 3 deri në 6 sekonda.
Nuk lejohet trullosja e kafshëve që do të theren, duke përdorur pistoletë me gjilpërë (gozhdë) depërtuese. Nuk lejohet përdorimi i sakicës dhe as i çekanit, dhe as mbytjes me ajër të pompuar, sipas metodës angleze.
Nuk lejohet trullosja e pulave me goditje elektrike, sepse është provuar se kjo praktikë çon në ngordhjen e tyre në raste jo të pakta, para se ajo të theret.
Nuk konsiderohen haram ato kafshëve, të cilat theren pasi të jenë trullosur me anë të përdorimit të dyoksidit të karbonit në ajër, oksigjenit, ose përdorimit të pistoletës me kokë sferike, në mënyrë të atillë që këto të mos çojnë në ngordhjen e kafshës para se ajo të theret.
Së gjashti: muslimanët që jetojnë në vendet jomuslimane, duhet të përpiqen me mjetet ligjore, për të siguruar të drejtën e therjes së kafshëve, pa qenë nevoja e përdorimit të trullosjes së tyre para therjes.
Së shtati: u lejohet muslimanëve vizitor të vendeve jomuslimane dhe atyre që janë rezident në to, të konsumojnë mishin e lejuar nga sheriati, që theret nga të krishterët dhe çifutët, pasi të sigurohen se nuk janë të përziera me element haram, me përjashtim të rasteve kur janë të sigurt se këto kafshë nuk janë therur sipas kërkesave të sheriatit.
Së teti: rregulli normativ i sheriatit për therjen, është se therja e pulave dhe kafshëve të tjera duhet të bëhet me dorën e njeriut, por nuk ka problem nëse për therje përdoren linja mekanike, si ato për therjen e pulave, për aq kohë sa kriteret sheriatike të therjes, të përmendura në paragrafin e dytë, përmbushen. Në këtë rast vlen përmendja e emrit të Allahut (thënia Bismilah) për çdo grup kafshësh, që theren në mënyrë të pandërprerë, nëse ai ndërpritet atëherë duhet të përsëritet përmendja e emrit të Allahut (thënia Bismilah).
Së nënti:
nëse mishrat e importuar vijnë nga vendet ku shumica e banorëve të tyre janë të krishterë ose çifutë dhe kafshët i therin në thertore moderne, ku përmbushen kriteret sheriatike, të përmendura në paragrafin e dytë, atëherë ato janë hallall, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit.” (el-Maide: 5)
nëse mishrat e importuar, vijnë nga vendet ku shumica e banorët e tyre nuk janë të krishterë ose çifutë, atëherë ato janë haram, sepse mundësie më e madhe në këtë rast është që këtyre kafshëve tu jetë marrë shpirti nga njerëz që nuk përmbushin kriteret e therjes sipas sheriatit.
mishrat e importuar nga vendet që përmenden në pikën b, të këtij paragrafi, nëse theren sipas kritereve të sheriatit, nën mbikëqyrjen e një institucioni islam të njohur dhe kasapi është musliman ose ithtar i librit (i krishterë ose çifut) atëherë ato janë hallall.
mishrat që importohen nga jashtë, nëse janë therur nga të krishterët dhe çifutët dhe nuk dihet prej tyre se i vrasin ato me goditje elektrike apo mënyra të tjera, atëherë lejohet konsumimi i tyre. Por, nëse dihet se ata i mbysin apo i vrasin me goditje elektrike, derisa kafsha të ngordh, atëherë ato nuk lejohet të hahen, sepse konsiderohen të ngordhura. Nëse mishrat e prerë vijnë nga njerëz që nuk janë as muslimanë dhe as ithtarë të librit, siç mund të jenë komunistët, ateistët, politeistët arab dhe të ngjashëm me ta, atëherë kafshët që ata therin nuk lejohet të hahen.
Referencat:
Fetaua el-Lexhneh Daime: fetvaja nr. 949 22/346.
Vendimi nr. 95 10/3 i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam.
Burimi: Enciklopedia e Çështjeve Bashkëkohore (pjesa e ushqimeve, veshjes dhe zbukurimeve) fq. 15-20.