Kafshët që ushqehen me hormone
Parashtrimi i çështjes:
Hormonet janë përbërës kimik që krijohen nga qeliza të veçanta dhe që emetohen nga gjëndra të veçanta të trupit, që njihen si gjëndra endokrine.
Qëllimi këtu është të tregohet për hormonet që nxirren nga gjaku i kafshëve, pas përpunimit qelizor, për shkak se gjaku është magazina e hormoneve dhe shkencëtarët kanë arritur të prodhojnë ushqim, nga ekstrakti i gjakut të kafshëve. Këto hormone ndihmojnë në rritjen e shpejtë të kafshëve, që përdoren për mish, qumësht ose vezë.
A lejohet ngrënia e mishit të këtyre kafshëve, vezëve që ato bëjnë, qumështi i tyre dhe nënproduktet e tij?
Kjo çështje ka dy aspekte, njëra është shkak për tjetrën. Aspekti i parë lidhet me faktin se kafshës i jepet si ushqim diçka e papastër, siç është gjaku etj., ndërsa aspekti i dytë ka lidhje me mishin e kafshëve që jetojnë me gjakun si ushqim, që përmban një numër të madhe hormonesh.
Dispozita e çështjes:
Së pari: për sa i përket ushqimit të kafshëve që përmban hormone kafshësh, dijetarët janë të një mendje për dy gjëra:
1. Lejohet që kafshës t’i jepen hormone natyrore, që emetohen nga brenda trupit të kafshës, siç janë hormonet e rritjes dhe të ngjashme me to.
2. Lejohet që kafshës t’i jepen hormone bimore, nëse ato nxirren nga bimë të pastra, jo të dëmshme dhe as helmuese.
Por, dijetarët nuk janë të një mendje për hormonet natyrore që nxirren nga gjaku i kafshëve, dhe po kështu edhe për hormonet e prodhuara në mënyrë industriale. Origjina e këtij mospajtimi ka lidhje me çështjen e ushqimit të papastër të kafshëve, siç është gjaku dhe papastërti të tjera.
Ata ndahen për këtë çështje në disa mendime:
Opinioni i parë: lejohet që kafshët të ushqehen me atë që nuk është e pastër (fetarisht). Të këtij mendimi janë disa dijetarë të shkollës shafiite dhe malikitë sipas një mendimi, po kështu edhe hanefitë nëse papastërtia është në masë të vogël, gjithashtu edhe hanbelitë nëse kafsha nuk do të milet ose theret së shpejti.
Opinionin i dytë: nuk lejohet që kafshët të ushqehen me atë që nuk është e pastër. Të këtij mendimi janë një pjesë tjetër e malikive, ky është mendimi bazë te hanbelitë dhe ky qëndrim mbahet edhe nga Komisioni i Përhershëm i Fetvasë në Arabinë Saudite si dhe nga Shejh Ibn Bazi.
Opinioni i tretë: është e papëlqyeshme (mekruh) që kafshës t’i jepet ushqim i papastër dhe ky është mendimi i shafiive.
Së dyti: dispozita për mishin e kafshëve që jetojnë me ushqim të papastër, që njihet ndryshe te dijetarët me termin xhelaleh. Quhet kështu ajo kafshë që ushqehet më së shumti me lëndë të papastra (fetarisht). Dijetarët nuk janë të një mendje në lidhje me këtë çështje:
Opinioni i parë: konsumimi i mishit të xhelale-s është hallall. Ky është mendimi i malikive. Argumenti bazë për këtë mendim është fakti se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka ngrënë mishin e pulës, siç përcillet kjo në Sahihun e Imam Buhariut (nr. 5039) duke ditur që pula kur ushqehet ha ushqim të pastër edhe të të papastër.
Opinioni i dytë: konsumimi i mishit të xhelale-s është i mekruh (i papëlqyeshëm). Ky është mendimi i hanefive, shafiive dhe një transmetim te malikitë dhe hanbelitë.
Opinioni i tretë: konsumimi i mishit të xhelale-s është haram. Ky është mendimi i veçantë i shkollës hanbelite. Argumenti bazë i ndalimit për ata që mbrojnë këtë mendim është hadithi: “I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) e ndaloi ngrënien e mishit të xhelale-s dhe pirjen e qumështit të tyre.”
Ata të cilët e ndalojnë ngrënien e mishit të xhelale-s, e shohin si të domosdoshme që kafsha duhet të ndalohet nga ngrënia e ushqimeve të papastra për një periudhë kohe, derisa mishi i saj të bëhet i mirë, dhe më pas lejohet ngrënia e tyre.
Çështja e mishrave të rritur me hormone përfshihet nga ky debat, sepse këto hormone merren nga gjaku i kafshëve, i cili konsiderohet i papastër fetarisht.
Këtu duhet sqaruar se hormonet nuk i jepen kafshës në trajtë gjaku, por në trajtë tabletash ose shiringash që i injektohen kafshës. Ngjyra e këtyre injeksioneve dhe aroma e tyre nuk i ngjan atyre të gjakut. Pavarësisht kësaj, shkencëtarët kanë vërtetuar se këto hormone dëmtojnë së tepërmi shëndetin e njeriut dhe të vetë kafshës, dhe për këtë arsye vendet evropiane e kanë ndaluar ushqimin e kafshëve me hormone dhe importimin e mishit të kafshëve që ushqehen në këtë mënyrë.
Edhe nëse thuhet se vetë këto kafshë konsiderohen të pastra dhe lejohet konsumimi i mishit të tyre, ndalimi merr forcë nga dëmi që vjen prej përdorimit të hormoneve. Jo vetëm kaq, por dëmet që i shkaktohen shëndetit të njeriut dhe jetës së tij shkojnë në më shumë se shtatëmbëdhjetë, që të gjitha të rrezikshme. Për këtë arsye parlamentet evropiane kanë vënë alarmin për përdorimin e hormoneve për shëndoshjen e kafshëve që në vitin 1988.
Referencat:
– Adrar el-Gidha ue tegdhije, Muhamed AbdulHamid Muhamed, fq. 125.
– En-nexhasat el-Mukhtelite bil Alaf ue etheruha fil muntexhat el-hajuanije. Muhamed Shubejr, fq. 425. Botuar në librin Kadaja tibije muasire.
– En-Neuazil fil etimeh, Bedrije el-Harithi 1/114-141.
Burimi: Enciklopedia e Çështjeve Bashkëkohore (pjesa e ushqimeve, veshjes dhe zbukurimeve) fq. 27-30