Intervistë e Kryetarit të Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë në lidhje me mbajtjen e shamisë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 16 minuta lexim

shamia-islameIntervistë e Kryetarit të Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë në lidhje me mbajtjen e shamisë

Hoxhe Justinian Topulli
Kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë

Es- Selamu Alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu

Allahun e falënderojmë ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij Muhamedi (alejhisalatu ue selam)
Hoxhe i nderuar, ju falënderojmë për kohën qëpo ndani për intervistën tonë, ku së bashku për disa çaste të bashkëpunojmë në mirësi dhe devotshmëri, me qëllim arritjene së mirës dhe devotshmërisë.

Faqja jone “Në Mbrojtje të Shamisë” synon të merret vetëm me tematiken e të drejtës sëmbajtjes së Shamisë, duke u fokusuar në trojet tona Shqiptare.

A mendoni se sot duhet të intensifikohen aktivitetet e xhematit, hoxhallarëve, organizatave të ndryshme dhe institucioneve fetare në mbrojtje të këtij obligimi fetar?

– Së pari, ju përgëzoj për këtë nismë mjaft të mirë që keni marrë, në mbrojtje të një nga obligimeve të rëndësishme islame, siç është shamia, ose më saktë mbulesa islame e gruas muslimane.
Së dyti, çështja e shamisë është pjesë e fesë dhe si e tillë ajo nuk mund të ndahet prej saj, ndaj unë mendoj se ajo duhet të jetë pjesë e pandashme e thirrjes islame, krahas parimeve të tjera islame. Duke qenë se jetojmë në një rajon dhe një kohë kur Islami shihet si i huaj nga një pjesë e shoqërisë dhe shamia e gruas muslimane është një nga obligimet më të refuzuara dhe të keqkuptuara islame nga kjo shoqëri, atëherë edhe predikimi rreth këtij obligimi duhet të bëhet i përshkallëzuar dhe me maturi të madhe. Krahas predikimit për rëndësinë dhe obligimin e shamisë, duhet të kihet parasysh gjithashtu edhe gjuha e përdorur për ta bërë shaminë sa më të dashur dhe të pranueshme nga gratë, jo thjesht si një detyrim fetare i thatë, por si një obligim i cili mbart urtësi të mëdha shpirtërore në vetvete.

– A mendoni se Shamia është nga simbolet e dukshëm të fesë që është duke u sulmuar më së shumti tek ne Shqiptarët kudo që jemi?
Natyrisht që po. Të njëjtën situatë ka edhe mjekra e besimtarëve, por shamia është ajo që shpesh kontestohet më tepër, sepse shihet si dhunim ndaj gruas. Por, në fakt ky refuzim më së shumti vjen për shkak të prirjes së fuqishme kulturore perëndimore që ka në mesin e shqiptarëve.

Periudha që ka kaluar shoqëria shqiptare nga koha e shpalljes së Pavarësisë së cunguar më 1912, a ka ecur në trendët e shoqërisë së kohës, apo ka pas projekte të hartuara nga të tjerët për ta ulur vlerën e shamisë (mbulesës)? Po sot a ka trende të tilla dhe në funksion të kujt mund të jenë këto projekte për denigrimin e femrës shqiptare?

Mendoj se ka qenë pjesë e transformimeve shoqërore, politike dhe kulturore që pësuan trojet shqiptare pas shkëputjes nga shteti osman. Veç kësaj ka qenë një periudhë e rëndë në përgjithësi për muslimanët në të gjithë botën në atë kohë, ndaj kjo nuk kishte si të mos reflektohej edhe në besimin e njerëzve dhe gatishmërinë e tyre për të zbatuar shumë prej obligimeve islame. Por, ka pasur gjithashtu një fushatë me frymë oksidentalizmi të shqiptarëve që mori hov nga politika që ndoq në kohën e Ahmed Zogut dhe që u pasua më pas nga rrëgjimi komunist i Enver Hoxhës, në emër të asaj që quhej emancipim i gruas. I njëjti trend vazhdon edhe sot edhe pse natyrisht për shkak të rënies së diktaturave të dikurshme njerëzit janë shumë më të lirë se dikur për të zbatuar detyrimet e tyre fetare. Çështja në thelb ka të bëjë me modernitetin, me të cilin kuptojmë racionalizimin e shoqërisë njerëzore, zhvillimin shkencor dhe teknologjik dhe ekspansionin kulturor që mundësohet nga këto zhvillime. Duke qenë se burimi i modernitetit ka qenë dhe vazhdon të jetë perëndimi i pasur dhe i fuqishëm, atëherë është e kuptueshme se prirjet e tij kulturore do të ndjehen në të gjithë botën, dhe në veçanti në vendet më pranë tij dhe më të dobët për ta përballuar pushtimin e tij kulturor. Duke qenë se zhvillimi i modernitetit në perëndim ka shkuar krah për krah me shekullarizimin, atëherë është e kuptueshme se pse feja dhe praktikat e saj janë dobësuar edhe në ato vende që kanë në origjinë një tjetër kulturë, por që nuk kanë mundur dot t’i bëjnë ballë kulturës masive shekullare që përhap perëndimi.

– Dihet nga historia e religjioneve se edhe tek dy fetë e tjera që kanë pasur libra qiellor, ajo Judaike dhe e Krishterë, mbulesa ka qenëe obliguar, si ndodhi ky ndryshim kaq i madh tek këto fe në nivel botëror?

Për të njëjtin shkak që përmenda më sipër. Moderniteti në perëndim u shoqëruar me rënien e besimit fetar në shumë dimensione dhe mes tyre edhe detyrimi që gratë të ishin të mbuluara. Edhe pse krahas kësaj ka edhe arsye të tjera, të trashëgimisë së tyre kulturore, që mundësuan këtë ndryshim në mënyrë më të lehtë. Për arsye historike që dihen hebrenjtë kanë jetuar në vende të ndryshme kështu që kultura e tyre fetare është ndikuar nga vendet përkatëse. Duke qenë se pjesa më e madhe e tyre kanë jetuar në vende të krishtera, atëherë është më se normale që ata të ndikoheshin nga të njëjtat ndryshime që pësuan këto shoqëri. Megjithatë, edhe pse në shoqëri të tilla, gjen edhe pse në numër të vogël si në mesin e hebrenjve ashtu edhe mes të krishterëve, gra të cilat e ruajnë këtë traditë fetare, qofshin këto murgesha ose jo të tilla.
– Duke u bazuar në atë që thatë më lartë cila mund të jetë rruga e kthimit të traditës sëshamisë në trojet tonashqiptare?

Padyshim me kthimin e besimit dhe vlerave të tij. Predikimi i Islamit dhe i vlerave të tij sociale nuk duhet të mbyllet brenda mureve të xhamisë, por duhet të dalë jashtë tyre. Më shumë se një predikim i thatë duhet një praktikë e gjallë, sepse kjo i tërheq më shumë njerëzit drejt besimit. Besimtaret me shami duhet të jenë shembulli i gjallë i një morali të lartë, në sjellje dhe marrëdhënie me njerëzit, ato gjithashtu duhet të reflektojnë veç etikës edhe dimensionin e tyre arsimor, për të treguar shoqërisë se shamia nuk është pengesë për arsimin dhe ngritjen intelektuale të një gruaje edhe pse gruaja para së gjithash është edukatorja e brezave. Është e rëndësishme gjithashtu që mbulesa islame në këto troje të përshtatet me ambientin tonë, brenda rregullave islame. Pra të jetë edhe modeste, mbuluese e trupit, por edhe të hijshme, e të mos tërheq vëmendjen e njerëzve, me ngjyrat apo format dhe modelet e saj, qofshin këto me ngjyra të errëta dhe shumë të gjera, apo me ngjyra të ndezura dhe shumë të ngushta.

– Shamia nga disa paragjykohet, kuptohet si mbyllje në vete, cenim i lirisë së femrës, barrë e rëndë mbi supe deri tek mënyrë e imponuar e veshjes nga burrat, cili është këshilla juaj për ketë?

Siç e thashë edhe më sipër bota shoqërore që na rrethon është ajo që formëson bindjet dhe mendësinë e njerëzve, ndryshimi i këtyre mendësive të gabuara kërkon ndryshimin e mbarë shoqërisë dhe këtë më mirë se praktika dhe shembulli i gjallë nuk e bën askush. Vetë gratë besimtare me shembullin e tyre duhet të tregojnë se ky mentalitet është i gabuar dhe se rastet e veçanta nuk mund të shërbejnë kurrsesi si përgjithësim. Natyrisht që kjo është një betejë e gjatë dhe e vështirë, por rrugë tjetër nuk ka.

– Me cilat mjete më së shumti sot luftohet shamia dhe cilat janë mjetet më efikase për tu mbrojtur nga këto sulme?

Siç e përmenda edhe më sipër, në emër të emancipimit, ose në emër të laicitet të hapësirës publike, në emër të gjoja zhvillimit dhe kulturës, në emër të lirisë seksuale etj. Së pari për tu mbrojtur nga këto sulme kërkohet besim i fortë dhe bindje për drejtësinë e çështjes. Së dyti, duhet që çështja e shamisë të mbrohet nën të drejtat dhe liritë e individit që siguron ligji. Së treti, nëpërmjet armatosjes me dije dhe kulturë të gjithanshme për të përballuar këto sulme. Dhe së katërti dhënia e një shembulli sa më të mirë se çfarë vlerash dhe moral mbart një grua me shami.

– Ndalimin e bartjes sëshamisë në shkolla publike jusi e shikoni, si një sihariq i mirë për shtimin e praktikueseve apo si tendencë për zhdukjen e tërësishme të kësaj pjese të fesë?

Tani kjo është çështje që ka të bëjë me caktimin e Zotit dhe është e vështirë shpesh të lexosh nga realiteti se cila do të jetë e ardhmja, sepse mund të ndodhin të dyja, mund që edhe të shtohen, nëse gjendet një alternativë tjetër, por edhe të pakësohen. Gjithsesi, e përgjithshmja është që ndalimi i shamisë në shkollat publike ndikon negativisht në mbartjen e saj dhe kjo e demoralizon përhapjen e këtij detyrimi fetar në mesin e grave muslimane. Padyshim që mos ndalimi i shamisë dhe një klimë sa më e pranueshme për shaminë është një terren që e favorizon shtimin e saj, ashtu si edhe siç vlen edhe e kundërta.

– Cilat mund te jenë masat konkrete që mund të marrim ne si xhemat, së bashku me hoxhallarët dhe institucionet fetare që të realizohet e drejta e bartjes sëshamisë në shkollat publike në Kosovë edhe në Shqipëri?

Iniciativat në këtë drejtim janë të shumta, por së pari duhet që vetë gratë dhe besimtarët, siç e thashë më sipër të jenë të bindur dhe të palëkundur për ta mbrojtur këtë çështje deri në fund. E dyta, duhet që të ushtrohet trysni ndaj politikës me të gjitha format legjitime, qofshin këto nisma ligjore, peticione, të drejtat e njeriut, deri edhe me të drejtën për t’i penalizuar me votë. E treta promovimi sa më i madh i vlerave dhe virtyteve që mbart shamia, por edhe vetë besimi, nëpërmjet fletëpalosjeve, librave, emisioneve televizive, hutbeve, simpoziumeve etj. Dhe padyshim ajo çka është më e rëndësishmja besimi te Zoti dhe lutja drejtuar Atij, që të na jap sukses në këtë drejtim.

– Cili është mesazhi i juaj për ato vajza që hezitojnë të vendosin shaminë nga frika e përjashtimit nga shkolla?
Të jenë vetvetja dhe të mos bëjnë kompromis me identitetin e tyre dhe detyrimin që u ka caktuar Zoti dhe të mos harrojnë se ato janë shumë dhe kjo betejë nuk fitohet duke u tërhequr, përkundrazi sa më shumë t’i tregojmë shoqërisë dhe pushtetit që janë një numër i madh aq më të lehtë kanë për ta pasur për ta fituar këtë betejë. Nuk është njëlloj të përjashtosh nga shkolla një apo dy vajza me shami si të përjashtosh 20 apo 30të tilla apo edhe më shumë, sepse si shoqëria por edhe politika bëhet më e ndjeshme në këtë drejtim kur ka një numër të madh.

– Cili është obligimi i ynë si shoqëri muslimanësh karshi vajzave që përjashtohen nga shkolla për shkak të mbulesës?

Atë që përmenda edhe më sipër tek masat që duhen marrë nga besimtarët dhe institucionet islame. Thjesht dua të shtojë këtu që është e nevojshme që të aktivizohen në këtë drejtim edhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe avokatë të zotë, për ta mbrojtur çështjen e shamisë në mënyrë permanente derisa ajo të marrë zgjidhje njëherë e mirë.

– Hoxhe i nderuar edhe njëherë ju falënderojmë për këshillat dhe realitetet që nxjerrët para nesh, duke treguar edhe njëherë qe Shamia dhe e drejta e saj janë pjese e identitetit tone si musliman me fe, si shqiptarë me kombësi dhe si njerëz si lloj i krijesave. Lusim Allahun qe ritet e Tije të madhërohen gjdoherë në zemrat tona e të dalim para Allahut duke qen Ai i kënaqur me ne.

Falënderimi me lavdërim i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mi të Dërguarin e Tije [Muhamedin salAllahu alejhi ue selam], mbi familjen e tije shokët dhe mbi të gjithë që pasojnë rrugën e tije deri në ditën e Gjykimit.