I pari studim në Shqipëri mbi diskriminimin e vajzave me shami

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 17 minuta lexim

Lidhja-27

I pari studim në Shqipëri mbi diskriminimin e vajzave me shami

Nga  Ada Kocani

Synimi i këtij studimi ishte që të trajtonte në nivel kërkimor problemet që lidhen me mbulimin e femrave në shoqërinë aktuale shqiptare. Një studim i tillë ishte i nevojshëm, sepse deri tani nuk ekzistonte një i ngjashëm me të, ndërkohë që problemet e lidhura me mbulimin e femrave në shoqërinë shqiptare janë të pranishme dhe për to ka mjaft spekullime të bazuara thjesht në opinione dhe paragjykime. Jo rallë këto probleme shfaqen edhe në trajta ekstreme të konflikteve sociale. Kështu, për shembull, janë ndaluar që të ndjekin shkollën vajza të mbuluara me pretendimin se shkollat publike janë laike, ose me pretendimin se këto vajza në  ciklin nëntëvjecarë  dhe të  mesëm  janë  të  vogla kështu që  manipunohen ose detyrohen nga familja për tu mbuluar.

Në  rastet kur flitet, diskutohet ose merren vendime për çështje që  kanë  të  bëjnë  me femrat e mbuluara, ajo që  ka munguar më  së  shumti është  zëri i këtyre femrave. Të njejtën gjë ka evidentuar edhe studiuesja Joan Scott në librin e saj The Politics of the Vail (Politika e ferexhese), për rastin francez ku në debatet për çështjen e vajzave me shami “ajo që ka munguar është zëri i vetë vajzave”.

Flasin të  tjerët  në  emër të  saj, duke pretenduar se ajo që thonë është  në  të  mirë  të  shoqërise dhe të vetë  këtyre vajzave, duke pretenduar se po i mbrojnë  këto vajza, qoftë  edhe nga vetja e tyre (kur pretendohet që  janë  të  vogla e gabojnë ), ose duke pretenduar që po i ndihmojnë të emancipohen (kur pretendohet se janë mbuluar nga injoranca). Por a e dinë  ata se çfarë duan këto femra, çfarë  kërkojnë  dhe çfarë  mendojnë  ato? Si rrjedhojë  është  e nevojshme të  sillet një  studim ku të  kuptohet gjendja e tyre nëpërmjet asaj që  ato thonë.

Për këtë arsye bëhet e domosdoshme që të hidhet dritë në nivel studimor lidhur me shkaqet dhe rrugët e zgjidhjes së këtyre problemeve që kanë të bëjnë me mbulimin e femrave.

Në opinionin e gjerë shqiptar është përhapur idea se femrat shqiptare mbulohen me detyrim dhe për këtë shfrytëzohet kryesisht mosha e tyre e vogël dhe mos dija e tyre. Pra e paraqesin dukurinë e mbulimit të femrave shqiptare si një farë manipulimi dhe detyrimi dhe aspak si një akt të kryer me vullnet të lirë prej tyre. Kjo ide e tipit paragjykim (sepse nuk ka dalë si përfundim logjik i një gjykimi studimor të problemit) është parapëlqyer si një farë argumenti nga të gjithë ata persona që kanë mbështetur veprimet e moslejimit arbitrar të nxënëseve apo studenteve të mbuluara në mjediset e shkollave publike. Gjithashtu ky paragjykim paraqitet në  media nga të  ashtëquajturit analist, si realiteti absolut i çështjes së  mbulimit në Shqipëri, dhe asnjëri prej këtyre “analistëve” nuk  paraqit ndonjë  të  dhënë  ose studim, ose statistike ku bazon atë  që  pretendon.

Shkaqet e qëndrimeve të tilla në shoqërinë shqiptare janë të thella dhe lidhen sa me shfaqjen e dukurisë së  islamofobisë, aq edhe me paragjykimet më të herëshme islamofobike në trajtën e të ashtuquajturit “orientalizëm”. Është e njohur që në vizionin dihotomik të orientalizmit gjithshka  pozitive polarizohej në “botën perëndimore”, kurse gjithshka negative – në atë lindore (në “orient”). Përkrahësit e këtij vizioni “orientalist”, sidomos në periudhën post komuniste, kanë dalë hapur me  qëndrimet e tyre kundër islamizmit dhe qytetërimit osman, duke përdorur “penelatat më të errëta” për të përshkruar  periudhën e pushtimit gati 5 shekullor otoman të Shqipërisë. (Këtë fenomen e sqaron më së miri studiuesi E.Sulstarova në librin e tij “Arratisje nga lindja”)

Për këto arsye që lidhen sa me qëndrimet në përgjithësi islamofobike, aq edhe me ato në veçanti kundër mbulimit të femrave muslimane, bëhet e domosdoshme që të hidhet dritë në nivel studimor edhe për shkaqet dhe rrugët e zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me mbulimin e femrave.

Studimi u bazua në rezultatet e dala nga një anketim me  248 femra të mbuluara, në xhamitë kryesore të Tiranës, në qendrën studentore Vizioni i Ri, në Institutin e Gjuhës Arabe si dhe shkollën Qëllimi i Jetës.

Nga informacionet e marra në rrugë të ndryshme si: vëzhgimet, debatet e njoftimet në media për mbajtjen e shamisë nga nxënëset dhe studentët në shkollë, del në pah problemi që lidhet me faktorët që çojnë në këtë mbulim.

Për këtë problem, dy argumentet kryesore të kundërshtuesve kanë të bëjnë me pretendimet se gjoja mbulimi i vajzave me shami është:

a)        jo një shprehje e vullnetit të tyre të lirë, por rezultat i presionit fizik dhe/ose psikologjik shoqëror që është ushtruar mbi to nga familja ose mjedisi shoqëror;

b)       rezultat i manipulimit të vajzave në moshë të vogël dhe të paditura.

Ndonjëherë pre e këtyre opinioneve që merren si të mirëqëna bien edhe studius serioz dhe të shquar. Për ta ilustruar këtë po sjell fragmente nga një artikull i një akademiku shqiptar (Prof.Artan Fuga) i botuar në gazetën Mapo, me titullin “Laiciteti i shkollës parakusht për bashkëjetesën fetare”. Duke diskutuar për një dispozitë që shteti shqiptar kishte nxjerrë për të ndaluar ekspozimin e simboleve fetare në shkolla, Profesori thotë: “Ka një arsye të madhe që të supozohet se një dispozitë që ndalon ekspozimin e simboleve fetare në arsimin parauniversitar mund të jetë e dobishme. Nuk kam gjë kundër kur thuhet se ajo mund të cenojë lirinë e shprehjes të opinioneve fetare. Dakord. Hajde ta marrim përkohësisht të mirëqenë. Por, për lirinë e atyre fëmijëve që mund të detyrohen, jashtë vullnetit të tyre, të mbajnë këtë apo atë simbol fetar, a nuk ka vend të mendojmë? Këtë pyetje e bën autori i këtyre radhëve, i cili, kur ishte rasti i përjashtimit të disa vajzave nga një universitet publik disa vite më parë, sepse mbanin shami në kokë, është shprehur kundër kësaj mase në publik. Atëherë, përse në atë kohë u mbajt ai qëndrim, e tani jo më i njëjti pozicion? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e ndershme: Sepse atëherë bëhej fjalë për të reja që ishin në moshën e pjekurisë dhe që me ndërgjegje të lirë mund të vendosnin për t’i mbajtur apo jo shamitë e tyre mbi kokë. Për ato mosha çështja shtrohet ndryshe. Duhet me qenë tolerantë, nëse nuk ka imponim ose dhunim nga të tretë.”

Pra pikërisht në këto fragmente duken qartë të dy argumentet (a dhe b) që pretendohen nga njerëzit që diskutojnë për këtë temë.

 

Synimi i këtij punimi, midis të tjerave, është që të tregoj se që të gjitha argumentat e lartëpërmendura nuk janë të pranueshme, ngaqë nuk i rezistojnë dot shqyrtimit kritik të bazuar edhe në të dhëna studimore, se ato bazohen kryesisht në paragjykime, të cilat, shpesh “importohen” nga jashtë shoqërisë shqiptare. Ndryshe nga ç’paragjykohet, femrat që mbulohen me shami në shoqërinë shqiptare, nuk diskriminohen në trajtën e detyrimit forcor ose psikologjik për t’u mbuluar, por në atë të ushtrimit të dhunës psikologjike që disa herë degradon në dhunë fizike, për të hequr mbulesën.

Në këtë studim u morën dy supozime bazë, të cilat janë të kundërta me njëra –tjetrën, për të parë se cili prej tyre i përket realitetit tonë:

1.Në shoqërinë shqiptare në tranzicion ushtrohet një presion social që vajzat të mbulohen.

2.Në shoqërinë shqiptare në tranzicion ushtrohet një presion social që vajzat e mbuluara të heqin shaminë.

 

Për secilin nga supozimet u bënë një sërë pyetjesh në mënyrë që nga përgjigjet që femrat e mbuluara do jepnin do kuptohej se cili nga supozimet qëndron. Përsa i përket supozimit të parë u shtrua pyetja “A jeni penduar që jeni mbuluar?” dhe doli se 99,2% e grave dhe vajzave u përgjigjën “Absolutisht jo”. Nëse këto gra dhe vajza do ishin detyruar të mbuloheshin për shkak të moshës së vogël apo injorancës atëherë do hasej një pendim i mundshëm ndërmjet tyre sepse nëse ky mbulim do kishe qënë i detyruar ose si rezultat i manipulimit të tyre, me kalimin e viteve këto femra do pendoheshin për mbulimin. Por rezultati i anketimit flet shumë qartë për këtë.

Gjithashtu është pyetur: “A ju ka detyruar dikush të mbuloheni pa dëshirën tuaj?”  dhe 99.6% e të pyeturave mohojnë absolutisht një detyrim të tillë, që do të thotë se mund të konsiderohet që femrat janë mbuluar me vullnetin e tyre të lirë.

Gjithashtu u pa se, nga 99.6% e të anketuarave që deklarojnë se absolutisht nuk janë penduar për mbulimin, vetëm 27.1% e të anketuarave kanë nivel të ulët arsimimi, kundrejt 72.8% që kanë nivel mesatar, të lartë dhe pas universitar. Një e dhënë e tillë do të thotë se mund të konsiderohet se nuk qëndron pretendimi se femrat janë mbuluar për shkak të padijes së tyre. Edhe fakti se 72,8% e femrave me shami kanë nivel arsimimi mesatar, të lartë dhe pas universitar, është shumë i rëndësishëm kundër thyerjes së mitit se këto femra mbulohen nga injoranca e tyre.

Kurse për supozimin e dytë (Në shoqërinë shqiptare në tranzicion ushtrohet një presion social që vajzat e mbuluara të heqin shaminë) u bë pyetja “A ju ka kundërshtuar dikush për vënien e shamisë?”

dhe del se të anketuarat në masën e afro 60% deklarojnë se i kanë kundështuar plotësisht ose në një farë mase për aktin e mbulimit të tyre. Kjo shifër flet qartë për ushtrim presioni jo për t’u mbuluar, por për të hequr mbulimin.

Nga një tjetër pyetje që u bë: “A ndjeheni e paragjykuar nga shoqëria?”, del se të anketuarat në masën e afro 72% deklarojnë se ndjehen tërësisht ose në një farë mase të paragjykuara nga shoqëria. Gjithashtu ato deklarojnë se kanë hasur ofendime nga më të ndryshmet nga njerëzit si: e prapambetur, injorante, ekstremiste, fanatike, fshatare, e paguar, e cmendur e deri në terroriste. Këto të dhëna tregojnë dhe një herë ndjenjën relativisht masive të diskriminimit të femrave të mbuluara nga shoqëria.

Nga pyetja “A ka ushtruar dikush dhunë psikologjike ndaj jush që të mos vendosnit shaminë?”, doli se të anketuarat në masën e afro 32% deklarojnë se ndaj tyre është ushtruar tërësisht ose në një farë mase dhunë psikologjike për të mos u mbuluar.

Kurse pyetjes “A ka ushtruar dikush dhunë fizike ndaj jush që të mos e vendosnit shaminë?”, mbi 5% e të anketuarave deklarojnë se mbi to është ushtruar dhunë fizike për të hequr shaminë.

Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme sepse për herë të parë nxjerrin në pah dicka që nuk është thënë asnjëherë në media, fakti që këto vajza nuk janë dhunuar për tu mbuluar por janë dhunuar psikologjikisht dhe një masë prej tyre edhe fizikisht që të heqin shamitë. Këtë fakt në studim e përforcojnë edhe katër intervista të zgjeruara ku vajzat tregojnë me detaje historinë e mbulimit të tyre dhe dhunën që është ushtruar ndaj tyre, dhunë prej së cilës në njërin nga rastet vajza ka përfunduar në spital.

Një fakt tjetër që nxjerr në pah diskriminimin e këtyre vajzave është edhe cështja e (mos)punësimit të tyre. Sipas anketimit del se nga të anketuarat 73% janë të papunësuara, 18% janë të punësuara në privat, 5% në OJF, 2% të vetëpunësuara dhe vetëm 2% të punësuara në shtet. Pra edhe vetë shteti, ai që duhet të bëjë politikat antidiskriminuese, është i pari që i diskriminon në maksimum këto vajza.

Gjithashtu është bërë pyetja “Sa kohë keni që jeni mbuluar?” dhe ka dalë se vetëm 10% e femrave me shami janë mbuluar para 1997, më pas ky numër ka ardhur duke u rritur dhe deri në 2011 numri i femrave me shami është 9 fishuar. Nëse këto femra do mbuloheshin sepse ishin të vogla dhe injorante dhe familja i detyronte atëherë numri i tyre me kalimin e viteve do ulej sepse ato do rriteshin dhe do shkolloheshin, dhe me emancipimin e shoqërisë edhe ato do të “emancipoheshin”. Por ne shohim që ka ndodhur e kundërta, numri i tyre është shumëfishuar. Pra edhe kjo e dhënë hedh poshtë pretendimet që ngrihen ndaj femrave me shami.

Pra, si rezultat i këtij studimi del se në realitetin e sotëm shqiptar, me mbulimin e femrave lidhet problemi i ushtrimit të presionit social, që shkon në raste të veçanta deri në ushtrimin e dhunës fizike, për të hequr mbulimin dhe jo në atë të detyrimit forcor për t’u mbuluar.