A lejohet sipas fesë islame që femra të ngasë makinën?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Pyetje: A lejohet sipas fesë islame që femra të ngasë makinën?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e profetëve, mbi më të mirin e njerëzimit, Muhamed Mustafanë, familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnikë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.

Automjetet janë një shpikje që i përkasin kohëve moderne dhe nuk kanë ekzistuar në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem), kohë në të cilën për transport tokësor të njerëzve dhe të mallrave përdoreshin kafshët. Ndërkohë  përdorimi i këtyre mjeteve ka qenë i lejuar, si për burrat ashtu dhe për gratë, kështu që në këtë rast vlen analogjia e lejimit të përdorimit të automjeteve me lejimin e përdorimit të kafshëve, sepse kryejnë të njëjtin funksion. Ky lejim mbështetet gjithashtu edhe në rregullin e sheriatit që thotë se: “Norma bazë në lidhje me traditat dhe zakonet, në vende dhe në kohë të ndryshme, është se ato janë të lejuara, për aq kohë sa ato nuk bien ndesh me parimet e sheriatit.”

Nëse hedhim një vështrim në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem), do të gjejmë se gratë i përdornin mjetet e transportit të asaj kohe, siç qenë devetë, kuajt, mushkat, gomerët etj., ndaj dhe duke u nisur nga kjo pohojmë se në origjinë lejohet që femra të ngasë makinën, sepse nuk ka asnjë argument të drejtpërdrejtë që ta ndalojë këtë gjë. Por, në këtë rast pohojmë se gruaja duhet të ketë parasysh disa gjëra, në mënyrë që drejtimi i automjetit prej saj të jetë në përputhje me rregullat e sheriatit:

1-       Të mos marrë udhëtime të gjata e vetme dhe pa shoqërues, sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem ka thënë): “Nuk i lejohet një gruaje, që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, që të udhëtojë në distancën e një ditë e një nate pa mahrem (shoqërues)”. Buhariu dhe Muslimi.

2-       Të mos udhëtojë me burra të huaj, që nuk janë familjarë të saj, në mënyrë që të mos vihet në rrezik nderi i saj. Profeti (salallahu alejhi ue selem ka thënë): “Nëse vetmohet një mashkull dhe një femër (të huaj), i treti i tyre është shejtani”. Ahmedi

3-       Të ketë siguri në përdorimin e automjetit, se nuk do të bëhet shkak për cenimin e jetës, nderit dhe pasurisë së saj.

Pra një grua që e ka të nevojshme përdorimin e automjetit, ka siguri maksimale se nga përdorimi i tij nuk do t’i vijë ndonjë e keqe, që cenon jetën, pasurinë dhe nderin e saj, atëherë mendojmë se lejohet që ajo ta përdorë atë.

Allahu e di më së miri.

                

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH