A më lejohet ta gatuaj mishin jo hallall?!

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

A më lejohet ta gatuaj mishin jo hallall?!

Pyetje:

Selamu alejkum..

Ju lutem të më ndihmoni me një fetua. Më duhet të gatuaj për babin tim i cili jeton i vetëm në shtëpinë e tij. A më lejohet ta gatuaj mishin jo hallall që blen ai? (Nuk përdor mish derri por mish të pa prerë sipas rregullave të islamit).

Përgjigje:

Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Përsa i përket gatimit, ai varet nga lloji i mishit që do gatuhet. Nëse mishi është hallall atëherë lejohet edhe gatimi i tij, e nëse ështe harram atëherë nuk lejohet as të gatuhet. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Bashkëpunoni për të mira dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni për gjynahe dhe padrejtësi”. El Maide,2.

 

Nëse në zonën tuaj njerëzit njihen apo deklarohen se janë myslimanë, atëherë ju mund ta gatuani mishin e blerë në këto thertore, duke ecur me gjykimin e përgjithshëm, se edhe kasapët që punojnë aty, janë muslimanë;  me përjashtim të rastit kur ndonjëri prej tyre deklaron, apo bën vepra që qartazi e nxjerrin nga islami.

Megjithatë, ne këshillojmë që nëse në zonën tuaj, ka thertore që administrohen nga myslimanë praktikantë dhe që i zbatojnë me rigorozitet rregullat islame për therjen e kafshëve, të blini mishin që tregtohet në këto thertore, për t’u larguar nga e dyshimta dhe për te qenë te qetë në zemrën tuaj.

Sidoqoftë, për të qenë sa më të qartë në llojin e mishit që lejohet të konsumohet po përmendim shkurtimisht disa rregulla që lidhen me këtë cështje:

1-     Personi që e ther kafshën të jetë musliman. Gjithashtu lejohet edhe mishi i therur nga ithtarët e librit (hebrenj apo të krishterë). Argument për këtë kemi ajetin e Kuranit: “Ushqimi i ithtarëve të Librit është hallall për ju dhe ushqimi juaj është hallall për ta”. El-Maide, 5. Me fjalën ushqim këtu, është për qëllim mishi i kafshëve të therura prej tyre(ithtarëve të Librit), siç e ka komentuar Ibn Abasi r.a. dhe të tjerë.

2-      Të jetë nga ato lloj kafshësh apo shpendësh, të cilat islami e ka lejuar ngrënien e mishit të tyre, siç janë: devetë, lopët, delet, dhitë, pulat etj. Nuk lejohet ngrënia e mishit të derrit dhe as i kafshëve dhe shpendëve grabitqarë. Allahu i madhëruar thotë:” Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, e gjakut, e mishit të derrit...” El Maide, 3. Ndërsa profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) në një hadith, ka ndaluar nga ngrënia e mishit të egërsirave dhe shpendëve grabitqarë.

 

3-       Gjatë therjes të pritet fyti i kafshës, ku përfshihen: dy damarët e gjakut, gabzheri dhe vendi i frymëmarrjes. Nëse kafsha goditet me ndonjë send, apo me goditje elektrike për ta rrëzuar atë, atëhere nëse kjo goditje është e tillë që shkakton ngordhjen e kafshës dhe kafsha nuk shfaq më shenja jete, mishi i përfituar prej saj nuk lejohet të hahet edhe nëse kafsha theret pas asaj goditje. Allahu i lartwsuar thotë: “Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës…” El Maide, 3

Por nëse goditja është e tillë sa vetëm i shkakton trullosje kafshës dhe ajo theret kur është ende gjallë, atëherë mishi i saj është i lejuar por jo i preferuar. Vlen të theksojmë se therja e kafshës në këtë mënyrë, është një metodë e papëlqyer nga ana fetare.

4-     Mos të jetë mish që është prerë në emër të idhujve apo gjërave që lidhen me besëtytnitë e ndryshme siç është mishi që theret në vendet e ashtuquajtura të shenjta për fat ose mbarësi, apo për t’u ruajtur nga fatkeqësitë, magjitë etj, apo që lidhen me fenomene të ngjashme besëtytnishë me të cilat njerëzit lidhin zemrën duke i shoqëruar Allahut të Lartësuar shok dhe ortak.

5-     Kasapi ose therësi le të përmend emrin e Allahut kur ta therë duke thënë Bismil-lah, por nëse nuk e dimë në e ka përmendur emrin e Allahut apo jo atëherë le ta përmendë konsumuesi në fillim të ngrënies. Argument për këtë është hadithi i Aishes- Allahu qoftë i kënaqur me të- ku tregon se disa njerëz thanë:”O i dërguari i Allahut! Disa njerëz na sjellin mish, mirëpo ne nuk e dimë në kanë thënë bismilah kur e kanë therur kafshën apo jo. I Dërguari i Allahut tha: Thoni ju bismilah dhe hani! Aisheja – Allahu qoftë i kënaqur me të- tha: Ata ishin njerëz të cilët pak kohë kishin që e kishin lenë mosbesimin”. Transmetuan Buhariu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.

Lusim Allahun t’ju shpërblejë për përkujdesjen ndaj  babait tuaj, siç këshillojmë që krahas përpjekjes për përgatitjen e ushqimit, të kujdeseni gjithashtu, që me butësi e urtësi, t’i shpjegoni dhe t’i mësoni çështje të aspektit fetar, midis të cilave edhe çështjen e të ushqyerit me mish hallall.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH