Nga Edmond SHARKA, historian
“Duke lexuar të kaluarën, mund t’i përgjigjemi së tashmes dhe të parashikojmë të ardhmen.” Kështu shprehej Ciceroni që në lashtësi, oratori më i famshëm i historisë, saqë sot e identifikojmë si ‘Ciceron’ personin i cili na prezanton historinë e një ‘kalaje, kështjelle, muzeu apo vendi me rëndësi’.
Ndërsa Theodhor Litt (1880-1962), një filozof gjerman na thotë se: “Historia është një funksion i rëndësishëm i jetës, në të cilin ajo nuk mban vetëm lidhje me të kaluarën, por në aspektin e plotkuptimshmërisë së jetës, ajo mbart gjithashtu lidhje me të ardhmen. Ajo është një gjë që i shkon përshtat jetës, një forcë që formohet pa pushim në të.”
Lidhja e Prizrenit është një nga ‘eventet’ më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Madje një nga ngjarjet më me rëndësi të veçantë historike, me ndikim të konsiderueshëm në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për vetëdijen e tyre kombëtare. Është i një rëndësie të veçantë pasi konsiderohet si guri i parë kilometrik drejt formimit të Shtet-Kombit shqiptar. Shumë është folur, është shkruar dhe thënë për këtë Lidhje. Në dimensione të ndryshme është trajtuar, diskutime e konferenca të mëdha janë bërë, por asnjëherë nuk mund të dalim në konkluzionin, që ‘mjafton me kaq’, që ‘nuk është më nevoja të trajtohet më shumë’, apo që ‘s’ka më çfarë risie të sjelli në studim’, e që mund të sjellin studiuesit për këtë ngjarje. Ne jemi të mendimit, që ka akoma shumë për të zbuluar, për të trajtuar, për të hulumtuar për këtë ngjarje historike, në këndvështrime të ndryshme. Por me një ndryshim, nga sa është bërë deri më tani! Me ndryshimin e vetëm se qasjet e reja për studimin e Lidhjes të jenë, me qëllimin e vetëm që: Hulumtimet dhe trajtimet e mëpasme të jenë të Standarteve më të larta shkencore të trajtimit të Historisë me objektivizëm, për të arritur sa më pranë të VËRTETËS, dhe me synimin kryesor që ka vetë trajtimi i historisë, për të nxjerrë në dritë sa më shumë fakte, dokumenta autentikë, dhe trajtimi objektiv i tyre.
Tashmë është fakt se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u bë e detyrueshme të zhvillohej / të mbahej, për shkak të rrethanave gjeopolitike botërore, të cilat hapur cënuan të drejtat e një populli të hershëm, me histori, tradita dhe zakone dhe me tipare dalluese, se i përkiste një kombësie tjetër. Marrëveshjet e hapura të diplomacisë dhe traktatet e fshehura dy, tri apo shumë palëshe, cënuan të drejtën e popujve për ‘Vetëvendosje’. Ata për më tepër mohuan prerazi traditën, zakonin, historinë dhe miqësinë e tyre, duke dalë në përfundim, se me pa të drejtë mohuan identitetin e këtyre popujve. Për të patur një pasqyrë më të qartë, për rrethanat që e bënë të domosdoshme mbledhjen e kësaj Lidhje, duhet të shikojmë pozitën e Perandorisë Osmane gjatë shek. XIX, me fatin e së cilës ishte lidhur dhe ekzistenca e kombeve që ishin nën juridiksionin e saj, për më tepër, në mënyrë të veçantë fati i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Kushtet dhe rrethanat që diktuan Lidhjen e Prizrenit
Shekulli XIX është shekulli i formimit të shtet-kombeve, e njëkohësisht shekulli i degradimit të Perandorisë Osmane, një nga shtetet më të fuqishme të kohës, thënë ndryshe lideri kryesor i botës, gjatë shekujve XIV-XIX. Perandoria Osmane, gjatë shek. XIX, ziente nga pakënaqësitë, destabiliteti, kryengritjet, betejat, luftërat, madje dhe nga goditjet e herë pas hershme nga armiqtë e sajë. Rivalët direkt ose indirekt të Perandorisë gjatë kësaj kohe, kishin gjetur momentin e duhur për t’i dhënë dorën e fundit drejtë shpërbërjes, kësaj Perandorie shumëkombëshe, që kishte qenë makthi i shteteve perëndimore dhe mbante pishtarin e triumfit për disa shekuj me radhë. Të gjitha këto pakënaqësi, mund të grupohen në një problem të vetëm për Perandorinë Osmane, që sipas studiuesëve Charles dhe Barbara është: “Mbajtja e Perandorisë së bashku (të bashkuar E.Sh.) në rrethana tejet armiqësore. Portës së Lartë i duhej të përballej jo vetëm me kombësitë e krishtera dhe ajanët muslimanë, por gjithashtu me Fuqitë e Mëdha, të cilat rrihnin (dëshironin, pretendonin, E.Sh.) të kontrollonin drejtëpërdrejtë apo tërthorazi, vendimet e shtetit osman. Të njëjtat kushte që çuan në ngritjen e një protektorati francezo-britanik-rus në Greqi dhe të një protektorati rus në Serbi dhe në Principatat Danubiane, sollën edhe dominimin e Kostandinopojës në periudha të ndryshme herë nga Rusia, herë nga Britania.”[1]
Goditjen e parë, krejt befasisht Perandorisë Osmane ia dha Franca, kur edhe pse së fundmi kishin vendosur marrëdhënie të mira diplomatike midis tyre, Napoleoni me një sulm të papritur zbarkoi ushtrinë e tij në portin e Aleksandrisë, në Egjipt. Duke mos u mjaftuar me kaq, dëshira e tij ishte të vazhdonte drejt Sirisë, me qëllim ‘të hapjes së rrugëve tregëtare drejtë Indisë dhe Kinës, por gjithashtu për të zotëruar ‘vendin e shenjtë’ Jeruzalemin, bashkë me pozitën gjeografike mjaft të favorshme që kishin këto vende gjeostrategjike. Për një kohë fare të shkurtër, ashtu si tashmë njihen taktikat e Napoleonit për luftë, ai përparoi ndjeshëm në territoret arabe të sunduara nga Perandoria Osmane. Kjo befasi e Napoleonit bëri që të ndryshojë totalisht politika e jashtme e shteteve europiane për tre vitet e ardhshme, duke u fokusuar në zhvillimet e fundit në Mesdhe. Kjo pasi, veç Perandorisë Osmane e cila zotëronte territoret më të mëdha të Mesdheut, Napoleoni po vendoste ndikimin e tij në pikat më strategjike, pa harruar synimin e Rusisë për dalje të lirë në Mesdhe, me çfarëdo lloj mënyre apo çmimi. Në këtë mënyrë Franca dhe Rusia po i bënin kërshëri Britanisë së Madhe, Austrisë dhe Prusisë, duke synuar zotërimin e Mesdheut. Me pretekstin e miqësisë së mirë për mbrojtjen e Perandorisë Osmane, fillimisht Britania dhe Rusia angazhuan flotat e tyre dhe arritën ta zmbrapsin Napoleonin pas 3 viteve sulme kryesisht në Egjipt. Më 1799 territoret e pushtuara nga Napoleoni, iu rikthyen Perandorisë Osmane.[2] Mbas stabilizimit të postluftës me Francën, Perandoria u fut në një vorbull problemesh të brendshme, që kishin lidhje me Reformat e thella që po mundohej të bënte Perandoria, dhe njëkohësisht me postin e Sulltanit, se cili pinjoll i pasardhësve të Osmanit do të mbretëronte.
Gjendur në këto rrethana më 1821 grekët shpallin pavarësinë, të ndihmuar nga Ali Pashë Tepelena e shumë shqiptarë të tjerë, duke e befasur sërisht Perandorinë Osmane, për keq. Më pas u gjykua i domosdoshëm reformimi i ushtrisë, që shpesh herë ishte vetë problemi i Perandorisë Osmane, me kryengritje apo mosbindje të drejtuesëve ushtarakë. Heqja e urdhrit ushtarak të jeniçerëve më 1826, e dobësoi ndjeshëm Perandorinë Osmane. Problemet u bënë akoma më të mëdha, madje u thelluan dhe u kompleksuan akoma më tej kur: “Në vitin 1826 Rusia detyroi Portën e Lartë të pranonte konventën e Akermanit; më 1827, qeveritë franceze, britanike dhe ruse, bashkëpunuan në bllokadën e përbashkët që mbaroi me katastrofën në Navarino dhe përfundimisht në Luftën Ruso-Turke. Më 1829, me Traktatin e Adrianopojës (Edirnesë, E.Sh.), Perandoria Osmane i dorëzoi Rusisë Deltën e Danubit dhe qe e shtërnguar të pranonte krijimin e protektoratit rus mbi Serbinë dhe Principatat e Danubit. Viti 1830 shënoi vendosjen zyrtare të Greqisë së pavarur dhe njohjen e autonomisë serbe. Në të njëjtën kohë Franca filloi zgjerimin (pushtimin) e saj në Algjeri (1830).”[3]
Por problemet s’kishin të sosur! Kjo e deritanishmja ishte vetëm maja e ajsbergut të problemeve që hasi Perandoria Osmane gjatë shek. XIX! Gjatë viteve 1831-1833, shqetësim shumë i madh për Portën e Lartë u bënë guvernatorët e saj, të cilët të yshtur dhe të joshur nga premtimet e fuqive të mëdha të kohës (Britania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria, Prusia e më pas Gjermania, dhe së fundmi del në skenë dhe Italia). Me përkrahjen e ndonjë shteti, guvernatorët, apo komandatët më të lartë ushtarakë, herë pas here ngrinin krye ndaj Sulltanit. Madje në disa raste pretendonin fronin e sulltanit, që kurrë më parë nuk e hamendësonte dikush jashtë familjes së Osmanit, nuk e kishte marrë guximin dikush të shprehte pretendimin për fronin e sulltanit, dhe jo më të vepronte për t’ia arritur këtij qëllimi.
Por guximi i shqiptarit, guvernator i Egjiptit, i cili iu kundërvu bindshëm sulltanit, Mehmet (Muhamed) Ali Pasha, i tejkaloi caqet madje vetë pritshmëritë e tij si guvernator i lartë. Ai jo vetëm që zotëroi Egjiptin, por kërkoi nga sulltani t’i jepte nën administrim Sirinë. Kërkesë e cila kurrsesi nuk mund të pranohej nga oborri perandorak, për më tepër kur kërkesën e bënte një vartës, një Guvernator i Lartë i Perandorisë. Por guximi i Mehmet Aliut ishte aq i madh, saqë urdhëroi djalin e tij, Ibrahim Pashën, i cili komandonte ushtrinë, që të drejtonte flotën për të mësyrë kryeqendrën e Perandorisë, Stambollin. Sulltani i detyruar, kërkoi ndihmë nga armiku kryesor i Perandorisë Osmane, nga Rusia, ndaj të cilës kurrsesi nuk mund të guxonte Mehmet Aliu të luftonte, prandaj dhe u tërhoq.[4] Autorit turk Mehmet Maksudoğlu jep arsyen kryesore dhe pasojat që sollën degradimin e Perandorisë Osmane deri në këtë gjendje. Ai thotë se: “Sulltan Abdylmexhidi ishte në moshë shumë të re dhe pa përvojë për të kuptuar dhe vlerësuar mangësitë serioze. Në atë kohë – vitet 1821-1835 – Shtetit Osman i kishte ardhur praktikisht fundi, pasi ishte turpëruar dhe kishte pësuar disfata nga një mëkëmbësi i mbretit, dhe një ushtri që duhet të kishte qenë nën kontrollin e tij të rreptë. Nëse nuk do të ishte ndaluar nga ‘miqtë e tij evropianë’, me shumë mundësi Ibrahim Pasha do të kishte hyrë në Stamboll dhe do ta kishte marrë Devletin (sundimin e Shtetit Osman, E.Sh.)”[5] Nga ky ekspansion i çuditshëm forcat egjiptiane të Mehmet Ali Pashës, të mbështetura nga Franca, sigurisht që dolën të humbur. Për këtë u detyruan të nënshkruanin marrëveshjen e Traktatit të Londrës, (15 korrik 1840), sërisht i diktuar nga fuqitë e mëdha të kohës, Britania e Madhe, Austria, Prusia dhe Rusia. Në këtë Traktat Muhamed Ali Pasha nënshkroi marrëveshjen dhe mori vetëm drejtimin e Egjiptit dhe Sudanit, si guvernator, por me të drejtë trashëgimie. Ndërsa në Dardanele u ndalua të kalohej me luftanije, pa leje dhe miratim. Në këtë mënyrë shtetet perëndimore pengonin dhe ndalonin Rusisë të kalonte me luftanije në ngushticat e Dardaneleve, në drejtim të Mesdheut.[6] Edhe një herë u faktua se: “…Perandoria Osmane ndodhej në pikën e shkatërrimit. (…) Të trembur nga një prishje e ekuilibrit të forcës në Mesdhe, Rusia, Britania, Austria dhe Prusia, u bashkuan për të rivendosur status quo-në.”[7]
Ishte për të ardhur keq se si një Perandori që kishte sunduar botën, po coptohej çdo ditë nga sulme të brendëshme dhe të jashtme, duke sjellë destabilitet në mbarë zotërimet e saja territoriale. Por mbi të gjitha Rusia bënte diferencën në luftën ndaj Perandorisë Osamane. Në fakt lufta ruso-turke, kishte një kohë të gjatë që kishte filluar, madje Pjetri i Madh (1627-1725) e kishte shpallur në ‘Kushtetutën e tij’ luftën ndaj Osmanëve, me nënshtrimin e së cilës shihte se do të nënshtronte botën. Ai shprehej se: “Do t’i afrohemi Kostandinopojës sipas mundësisë. Kush ia arrinë të pushtojë Kostandinopojën e ka pushtuar botën.”[8] Këtë mision kurrsesi nuk do ta harronin pasardhësit e tij, perandorët rusë, të cilët sapo kushtet i favorizonin nuk ngurronin të sulmonin në veçanti Perandorinë Osmane. Kështu që në një moment kur kushtet e favorizuan në janar 1853, car Nikolla i Rusisë zyrtarisht fton Britaninë e Madhe, që t’i bashkohet projektit të tij për t’i dhënë goditjen përfundimtare Perandorisë Osmane. Ai iu shpreh drejtëpërdrejt ambasadorit britanik se: “Ne kemi përpara një njeri të sëmurë, shumë të sëmurë. Do të ishte ters i madh nëse ai do të na ikte nga duart përpara se të marrim masat e nevojshme.”[9] Kjo ofertë nuk do të pranohej nga Britania e Madhe, pasi ata e kishin të qartë forcën, pozitën dhe degradimin në të cilën kishte arritur shteti osman, dhe se nuk i friksonte aspak ‘një i sëmurë rëndë’ siç ishte Perandoria Osmane. Por nga ana tjetër britanikët vërenin, që Rusia po bëhej problem kryesor i ekspasionit të pakufi, jo vetëm ndaj territoreve të Perandorisë Osamane, por dhe vetë Europës, me zgjerimin nga pjesa Lindore e saj, përgjatë rrjedhës së Danubit, gjithashtu dhe me një ndikim të madh ndaj sllavëve në Ballkan. Lufta e Krimesë ishte lufta e radhës mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë, përballje e cila për të disatën herë, nxorri fitues sërisht Rusinë. Si pasojë, Britania e Madhe dhe Franca, bënë aleancë me Perandorinë Osmane më 1854, duke luftuar kundër Rusisë, e cila si përfundim e humbi këtë betejë.[10] Të detyruar ata duhet të nënshkruanin marrëveshjen e Paqes. Realiteti ishte se pavarësisht se humbi luftën Rusia doli e fituar, pasi aneksoi Krimenë ndaj Perandorisë Osmane. Me nënshkrimin e Paqes së Parisit (1856)[11], Rusia pranonte kushtet e vendosura mes palëve, të cilat në thelb së pari, ndalonin ekspasionin rus në drejtim të Europës. Humbjen më të madhe normalisht që e pësoi Perandoria Osmane, e cila humbi Krimenë, që ishte e një rëndësie të shumëfishtë për Shtetin Osman,[12] por gjithashtu ishte vend i cili banohej nga më shumë se dy milionë muslimanë. Njëkohësisht Porta e Lartë u poshtërua për të disatën herë shumë rëndë, duke parë veten aq poshtë, sa ky ‘gjigand’ të vendosej nën mbrojtjen e Fuqive të Mëdha[13] të krishtera, kundrejt së cilës kishte luftuar shpesh dhe kishte dalë fitimtarë për shekuj me radhë, saqë gati e nënshtroi tërë Europën. Pasojat e marrëveshjes së Paqes së Parisit (1856) ishin shumë të rënda, pasi në një farë mënyre Porta e Lartë jo vetëm që pranonte gjymtimin e saj me heqjen e Krimesë, por njëkohësisht duhej të shlyente ‘borxhin’ kundrejt fuqive të mëdha, me reforma të thella të orientuara ose të diktuara nga ‘Aleatët’ Europianë, që kishin dhënë besën se do ta ‘mbronin’ ‘të sëmurin e Bosforit’.
Traktati i ‘Shën Stefanit’ i zgjoi shqiptarët nga gjumi letargjik
Sikur të mbaronin me kaq sa përmendëm më lart hallet dhe problemet e Perandorisë Osmane! Rënia e Perandorisë Osmane nuk ishte parë ende, prandaj dhe Rusia kurrsesi nuk mund të dorëzohej. Pas disa vitesh nga lufta e Krimesë, Rusia tentoi që t’i jepte goditjen e fundit Perandorisë Osmane, sërisht duke kërkuar me ngulm pëlqimin e fuqive të mëdha të kohës. Në vitin 1877 ushtria ruse, rihapi disa fronte lufte ndaj Perandorisë Osmane, dhe jo vetëm që nisi sulmet intensive në zotërimet e saj në Ballkan/Rumeli, por në një aleance me Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi, kishte inkurajuar dhe këta të fundit, që të ngrinin krye ndaj sundimit osman. Sipas Mehdi Frashërit kjo lëvizje e Rusisë ishte: “Për ta detyruar Portën e Lartë, të njohë pavarësinë e Rumanisë, të Serbisë, të Malit të Zi edhe një autonomi gati të pavarur për një Bullgari të madhe, që nga lumi Martisë në Thrakë deri të Guri i Pishkashit në Çermenikë të Shqipërisë.”[14] Rusia u bë shkaktare e nxitjes së sllavëve ortodoksë në Ballkan për kryengritje ndaj Perandorisë Osmane.[15] Lufta e gjeti Perandorinë Osmane të papërgatitur për të reaguar në kohë. Si rezultat, për disa muaj pësoi disfata të njëpasnjëshme derisa më në fund ra dakord për armëpushim. Si pasojë, më 3 mars 1878 Cari e detyroi sulltanin të nëshkruante marrëveshjen e ‘dorëzimit’, që Sulltani të pranojë humbjen, që u njoh si: Traktati i Shën Stefanit.
Ky Traktat prekte ndjeshëm zotërimet shekullore të Perandorisë Osmane. Trojet e banuara nga shqiptarët, u përcaktuan të përfshiheshin nën shtetet e sapoformuara ballkanike sllavo-greke, të besimit ortodoks, të cilat kishin lidhje të ngushta me Rusinë. Nga vendimet e Traktatit, sipas autorëve Charles & Barbara Jelavich: “Në parashikimet e Traktatit të Shën Stefanit, Bullgaria e madhe përfshinte pjesë të Shqipërisë Lindore të sotme, ndërsa Malit të Zi i qenë dhënë toka në veri të banuara kryesisht nga shqiptarët. Territoret kombëtare iu qenë caktuar kështu dy vendeve sllave ortodokse, asnjëri nga të cilët nuk pritej të sillej butësisht me muslimanët.”[16] George Gaërych: “Shteti Bullgar, zgjeronte territorin e tij deri në afërsi të Shqipërisë së Mesme, Mali i Zi përfitonte qytetet e Podgoricës, Ulqinit, Plavës dhe Gucisë, Serbia mori gati 100.000m2 territor përreth Nishit, qytetet e Mitrovicës dhe të Vuçiternit në Kosovë, si dhe një zonë të vogël më sanxhakun e Novi Pazarit.”[17] Për të përfunduar argumentin: “Marrëveshja e Shën Stefanit, në një masë të madhe i jepte fund sundimit osman në Ballkan dhe krijoi një situatë që i hapte rrugë forcimit të ndikimit rus në këtë rajon, ngjalli reagimin e fuqishëm jo vetëm të shteteve ballkanike, por edhe atë të shteteve perëndimore.”[18]
Ndërkohë që diplomatët punonin për interesat e vendeve të tyre, atdhetarët shqiptarë, patriotë, intelektualë, e përcillnin me shumë vëmendje ecurinë e luftës, politikës, diplomacisë së Stambollit dhe diplomacitë e fuqive të mëdha, po ashtu edhe me shumë shqetësim. Ata u alarmuan shumë nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, por akoma më shumë kur Mali i Zi detyroi forcat osmane të tërhiqen më në jug, respektivisht në brendësi të trojeve të banuara nga shqiptarët.
Historiografia zyrtare shqiptare shprehet për rrezikun që i kanosej Shqiptarëve nga marrëveshja e Shën Shën Stefanit, për të cilën shkruan se: “Traktati i Shën Stefanit nuk zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk eksiztonte si subjekt të drejtash politike. Gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, Bilishtit, Pogradecit Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupti, Kaçanikut etj. Serbia e cila do të shtrihej kryesisht drejt jug-perëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore te Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane.”[19] Nga ana tjetër: “…Greqia i shtyu osmanët për kompensim duke iu kërkuar pjesë nga territori në Shqipërinë e Jugut, përfshirë qytetet e Janinës dhe të Prevezës.”[20] Një tjetër autor shprehet se: “Në betejën midis Shtetit Osman dhe Rusisë në vitet 1877-1978, është diskutuar për ndarjen e territoreve shqiptare midis Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, që pritej të themelohej. Anglia, Franca, Italia dhe Rusia e mbështetën këtë çështje. Ndërsa Greqia donte të zaptonte krahinën e Çamërisë. Për shkak të rezistencës së përbashkët të Qeverisë Osmane dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Greqia kishte vetëm një territor të vogël – Artën.”[21]
Konsulli britanik në Shkodër Herbert Green, që më 3 maj 1878, para një muaji e gjysëm nga hapja e punimeve të Kongresit, ishte shprehur në një telegram, ku njoftonte shefin e tij të diplomacisë për situatën në veri të Shqipërisë, ku mësymja serbo-malazeze kishte filluar herët se:“Në trevat e Gucisë, Plavës, Beranit, Granicës dhe më të shumtën e zonave malore në lindje të Shqipërisë veriore, është krijuar një Lidhje midis muslimanëve që i bashkon ata kolektivisht dhe individualisht për të qëndruar deri në frymën e fundit ndaj sulmeve që mund të vijnë nga jashtë, apo nga Qeveria e Lartë për të ndryshuar gjendjen e tanishme të territorit të tyre. Ndërkohë janë duke u marrë hapa për të marrë mbështetjen e shqiptarëve edhe në jug, afër Prizrenit, Prishtinës, Fanit, Dibrës, Ohrit dhe deri në Manastir.”[22] Më 30 maj 1878, dy muaj mbas Traktatit të Shën Stefanit, Komiteti i Stamboll lëshoi një proklamatë në të cilën thuhej: “Ne nuk dëshirojmë asgjë më tepër veçse të jetojmë në paqe me fqinjët tanë Malin e Zi, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë dhe nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por ne jemi plotësisht të vendosur ta mbajmë atë që na përket. Toka shqiptare duhet t’u lihet shqiptarëve!”[23] Traktati i Shën Stefanit solli shqetësime të mëdha dhe në Europë, kjo jo për shkak se osmanët dhe shqiptarët po humbnin territoret e tyre, por se Rusia po tregonte forcën e saj, duke mos përfillur shtetet europiane. Ndërsa rezultati përfundimtar për Perandorinë Osmane dhe për shqiptarët rezultoi se Traktati ishte: “Një disfatë e plotë për qeverinë Osmane, kurse Shqipërisë, i vuri në rrezik trojet e saj me humbje të mëdha territoriale.”[24]
[1] Charles & Barbara Jelavich, Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit 1804-1920, shqipëroi Betim Muço, Dituria, Tiranë 2004, f. 97
[2] Mehmet Maksutoğlu, Historia Osmane dhe Institucionet, shqipëroi nga anglishtja Enilda Meidani, Alsar, Tiranë 2013, f. 458-463
[3] Ch. & B.Jelavich, Themelimi i Shteteve Kombëtare…, cituar më lart, f. 99
[4] Ferdinand Schevill, Ballkani – historia dhe qytetërimi, Uegen, Tiranë 2002, f. 285-287
[5] M. Maksutoğlu, Historia Osmane…, cituar më lart, f. 484
[6] M. Maksutoğlu, Historia Osmane…, cituar më lart, f. 490
[7] Ch. & B. Jelavich, Themelimi i Shteteve…., cituar më lart, f. 102
[8] Ali Muhamed Salabi, PERANDORIA OSMANE, faktorët e ngritjes dhe rënies së saj; Sh.B. Fjala e Bukur , Prishtinë 2009, f. 442
[9] F. Schevill, Ballkani…, cituar më lart, f. 292
[10] F. Schevill, Ballkani…, cituar më lart, f. 294-295
[11] Stanford J.Shaw & Ezel Kural Shaq, Historia e Perandorisë Osmane dhe Turqisë Moderne; vëllimi II; J.S.C, Tiranë 2006, f. 185
[12] M. Maksutoğlu, Historia Osmane…, cituar më lart, f. 494
[13] F. Schevill, Ballkani…, cituar më lart, f. 296
[14] Mehdi Frashëri, Problemet shqiptare, Iliria, Tiranë 2001, f. 58
[15] S. Shaw & E. Kural Shaq, Historia e Perandorisë Osmane…, cituar më lart, f. 232-235
[16] Ch. & B. Jelavich, Themelimi i Shteteve…., cituar më lart, f. 207
[17] George Gawrych, Gjysëm hëna dhe shqipponja, Sundimi Otoman, Islamizimi dhe Shqiptarët 1874-1913,shqipëroi Aurel Manushi, Bota Shqiptare, Tiranë2006, f. 64
[18] Nuray Bozbora, Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane, shqipëroi Dritan Egro, DITURIA, Tiranë 2002, f. 164
[19] Grup autorësh, Historia e Popullit shqiptar, vëll. II, Toena, Tiranë 2002, f. 147-148
[20] G. Gawrych, Gjysmëhëna dhe shqiponja…, cituar më lart, f. 65
[21] Ali Arslan, Problemet e zhvillimit të arsimit shqip gjatë shtetit Osman në Shqipëri,
[22] Miranda Vickers, Shqiptarët – një histori modern, Bota Shqiptare, Tiranë 2008, f. 54-55
[23] Peter Barlt, Shqiptarët – nga mesjeta deri në ditët tona, shqipëroi Afrim Koçi, IDK, Tiranë 2008,
[24] G. Gawrych, Gjysmëhëna dhe shqiponja…, cituar më lart, f. 64
Revista Kibla 1, 2017