Me emrin e Allahut, Gjithmëshiruesit, të Mëshirshmit
Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimi qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, vulën e profetëve, dhe mbi familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Vendimi nr. 244 (25/6)
Rreth dispozitave të rrjeteve sociale, rregullave të tyre, dhe përhapjes së informatave dhe lajmeve në to për të kritikuar, apo për të përhapur thashethemeve dhe ofendime
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të njëzet e pestë në Xheda, Mbretëria e Arabisë Saudite, gjatë periudhës 29 Rexheb – 3 Shaban 1444 hixhri, përkatësisht 20-23 shkurt 2023, dhe në mbështetje të vendimit të mëparshëm të Akademisë nr. 52 (6/3) në lidhje me dispozitën e kryerjes së kontratave përmes mjeteve moderne të komunikimit, si dhe pasi ka shqyrtuar studimet e paraqitura në lidhje me temën: “Dispozitat e rrjeteve sociale, rregullat e tyre dhe përhapja e informatave dhe lajmeve në to me qëllim kritikimi, apo përhapjeje të thashethemeve dhe ofendimeve”, dhe pasi dëgjoi diskutimet dhe debatet që u zhvilluan me pjesëmarrjen e anëtarëve të akademisë dhe ekspertëve të saj, vendosi si vijon:
Së pari: Rrjetet sociale nënkuptojnë një sistem rrjetesh elektronike që i mundëson pjesëmarrësit të krijojë një profil të veçantë të tyrin, që e lidhin atë përmes një programi social elektronik me anëtarë të tjerë. Ndërsa me “media sociale” nënkuptohet përmbajtja mediatike që karakterizohet nga natyra personale dhe që qarkullon ndërmjet palëve të ndryshme përmes rrjeteve sociale, me liri të dërgimit nga ana e dërguesit dhe liri të përgjigjes nga ana e marrësit. Këto përfshijnë platformat si: Twitter, WhatsApp, Facebook, Snapchat, dhe të tjera që ekzistojnë aktualisht apo që mund të shfaqen në të ardhmen.
Së dyti: Ndalohet përhapja, transmetimi, dhe regjistrimi i të këqijave përmes këtyre platformave dhe të tjerave si ato. Po ashtu ndalohet përhapja e lajmeve të rreme, thashethemeve dhe gjithçka që dëmton shoqërinë në aspektin e sigurisë së saj, stabilitetit, fesë, besimit dhe moralit të saj.
Së treti: Kritika dhe ndalimi i së keqes përmes rrjeteve sociale është i kushtëzuar me respektimin e kushteve të përmendura nga dijetarët për urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, ndër të cilat janë: që të arrihet një dobi e qartë nga ndalimi i saj; që ndalimi të mos çojë në një të keqe më të madhe se ajo që po kritikohet; dhe që të mos përbëjë një ndërhyrje në kompetencën e autoritetit ligjor (shtetit, velijl-emri).
Akademia rekomandon sa vijon:
- Përfshirjen në kurrikulat dhe programet mësimore të rregullave fetare që duhen ndjekur gjatë përdorimit të rrjeteve sociale, me qëllim që brezi i ri të mund të dallojë mes asaj që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme.
- Mospërdorimi i këtyre rrjeteve sociale gjatë ngarjes së automjeteve dhe gjatë kryerjes së adhurimeve si tavafi dhe saji, për shkak të shpërqendrimit dhe hutimit nga adhurimi që ato mund të sjellin, por gjithashtu edhe për faktin se ato mund të bëhen shkak për vetëpëlqim dhe hipokrizi, gjë që ndikon negativisht në përmbushjen e adhurimit.
E Allahu është më i dituri.
Burimi: https://iifa-aifi.org/ar/44180.html