Më i miri ndër ju

Lidhja e Hoxhallarëve
20 minuta lexim

Fjala “e mira” është një nga fjalët më të bukura dhe cilësitë njerëzore më të hijshme. Mirësia është diçka që përmbledh fjalë, vepra dhe gjendje që sjellin dobi, kënaqësi, lumturi dhe gëzim.
Bartësit e këtij virtyti në shoqëri përfitojnë dhe sjellin dobi, janë të lumtur dhe i bëjnë të tjerët të lumtur. Ata janë si shiu i dobishëm: kudo që bie, sjell dobi, dhe si drita që shpërndan errësirën dhe ndriçon rrugët e njerëzve.

Shpirtrat e atyre që mbartin këtë të mirë janë shpirtra të pastër e të kthjellët; nuk i ndotin turbullirat e as i prishin ndyrësirat.
Zemrat e tyre janë vendtakim i qëllimeve të mira dhe dëshirave të pastra; mendjet e tyre janë hapësira të mendimeve të dobishme dhe horizonte të dijes gjithëpërfshirëse. Gjuhët e tyre lëshojnë fjalë të ëmbla që shuajnë etjen e dëgjuesve dhe u sjellin dobi në çështjet e dynjasë dhe fesë. Duart e tyre janë të shtrira për të ofruar mirësi, dhe të përmbajtura nga çdo dëm ndaj krijesave.
Prandaj, e mira gjendet në brendësinë dhe të aparencën e këtyre njerëzve, në zemrën dhe në të gjitha gjymtyrët e tyre.

Me këtë mirësi me të cilën janë stolisur si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, ata gjetën qetësi dhe u sollën qetësi të tjerëve. Shpëtuan nga e keqja dhe i shpëtuan të tjerët prej saj. Sa e bukur është jeta e tyre! Dhe sa e bukur është jeta pranë tyre!

O robër të Allahut: Myslimani është i ngarkuar me detyrën për të bërë mirë, për të qenë burim mirësie për krijesat, dhe burim bamirësie për të gjallët, pikërisht ashtu si këron Allahu dhe e pëlqen, duke fituar kështu lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Veprat e mira, me të cilat muslimani bëhet nga robërit e afërt të Allahut, janë të shumta. Kush i përmbledh të gjitha, ka përmbledhur tërë të mirën; dhe kush stoliset me disa prej tyre, ka marrë nga e mira aq sa është stolisur me to.

Kush e ndjek me vëmendje sunetin e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – do të shohë se ai është i mbushur me përmendjen e të mirëve ndër robërit e Allahut, për shkak të veprave të drejta që ata bëjnë. Me këto vepra ata merituan këtë dekoratë fisnike dhe arritën këtë nder të madh.

Veprat e mira që përmendi më i miri i njerëzimit – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të –, përmes të cilave disa njerëz arritën të jenë të parët dhe fituan epërsinë në mirësi, shtrihen në shumë fusha të jetës.
I Dërguari ynë fisnik ka përmendur më të mirët e njerëzve në fushën e marrëdhënieve njerëzore, më të mirët në sjellje dhe moral, më të mirët në jetën shoqërore, më të mirët në udhëheqje dhe përgjegjësi, më të mirët në mësim dhe mësimdhënie, më të mirët në marrëdhëniet financiare, më të mirët në përfitimin e jetës dhe kohës, më të mirët në jetën bashkëshortore dhe familjare, si dhe në fusha të tjera të mirësisë të përmendura në sunetin e ndritur.

Në garën e jetës njerëzore në përgjithësi, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – ka thënë:
“A t’ju tregoj për më të mirët ndër ju dhe më të këqinjtë tuaj?”
Një burrë tha: “Po, o i Dërguari i Allahut!”
Ai tha: “Më i miri nga ju është ai prej të cilit pritet e mira dhe ka siguri nga e keqja e tij. Ndërsa më i keqi nga ju është ai prej të cilit nuk pritet e mira dhe nuk është i sigurt askush nga e keqja e tij.” (Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Hibani)

Kështu, Profeti – paqja qoftë mbi të – sqaroi se më i miri i njerëzve në këtë fushë është ai që njerëzit shpresojnë nga ai mirësi dhe kanë siguri nga e keqja e tij –dhe ai realisht vepron kështu.
Ai është, në mesin e krijesave, mes një begatie që ua dhuron, një bamirësie që ua dërgon, apo një dobie që ua ofron për të mirën e tyre; mes një fatkeqësie që e largon, një dëmi që e zhduk, apo një shqetësimi që ua largon – dhe e gjithë kjo, sipas mundësisë së tij.

Sa madhështor është ai shpirt që merr përsipër këto detyra! Dhe sa shumë e duan njerëzit personin që i përmbush ato!
I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Më i miri ndër njerëz është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” (Darekutniu dhe hadithi është i mirë.)

Prej mirësisë është që ai të largojë prej tyre një të keqe, apo të sjellë për ta një dobi – qoftë e menjëhershme apo e mëvonshme.
Padyshim, se ndër dobitë më të mëdha janë dobitë fetare: si udhëzimi nga humbja, mësimdhënia për të paditurin, ndihma për në bindje ndaj Allahut, shmangia nga mëkatet, largimi i dyshimeve dhe ndriçimi i rrugës së drejtë që e forcon muslimanin në shtegun e së vërtetës dhe të drejtës.

Në fushën e sjelljes dhe moralit, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Më të mirët prej jush janë ata që kanë moralin më të mirë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Pra, më të mirët ndër njerëzit në sjellje janë ata me moral të lartë, të cilët dhurojnë mirësi me butësi në sjellje, buzëqeshje në fytyrë, thjeshtësi në shoqërim, afeksion dhe mëshirë, durim dhe mençuri, dhe që nuk i lëndojnë të tjerët.
Nga ata nuk del karshi besimtarëve as fjalë të ndyra, as fyerje, as ashpërsi, as padrejtësi apo dëm, as arrogancë e as përçmim.

Ata janë njerëz që shoqërohen lehtë dhe i bëjnë të tjerët të ndihen të afërt me ta; ata duan dhe janë të dashur; janë të përulur dhe nuk sillen me mendjemadhësi.
Mirësia e tyre është e dhënë pa kursim, dhe begatia e tyre është e vazhdueshme në mesin e njerëzve. Ata janë bamirës me krijesat dhe janë të përkushtuar në adhurimin e Zotit të botëve.

Në fushën e mardhënieve shoqërore dhe ndërveprimit me njerëzit – qoftë në përgjithësi apo në mënyrë të veçantë – i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – kur u pyet: “Cili është muslimani më i mirë?” Ai u përgjigj: “Muslimani më i mirë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të sigurt.” (Muslimi)

Pra, nga më të mirët e muslimanëve është ai që e ndal gjuhën e tij nga të folurit keq ndaj vëllezërve të tij – nuk shan, nuk ofendon, nuk përqesh, as nuk dëmton me fjalë. Gjithashtu, ai ndal dorën e tij nga çdo dhunë – nuk vret, nuk lëndon, nuk godet, nuk gërvisht, nuk vjedh dhe nuk mashtron.
Gjuha e tij nuk përdoret veçse për të vërtetën, dhe dora e tij nuk lëviz përveçse për drejtësi.
Kjo nuk do të thotë që ai të heshtë përballë të kotës.

I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Më i miri i njerëzve është ai që ka zemër të pastër dhe gjuhë të drejtë.” Dikush tha: “O i Dërguar i Allahut! E dimë ç’është gjuha e drejtë, por ç’është zemra e pastër?” Ai tha:
“(Është) zemra e devotshme dhe e pastër, që nuk ka mëkat, as padrejtësi e urrejtje.”
(Ibn Maxhe dhe Bejhekiu, hadithi është i saktë)

Pastërtia e zemrës dhe e gjuhës nga këto dy sëmundje – urrejtja dhe padrejtësia – është një nga dhuntitë më të mëdha që Allahu mund t’ia dhurojë një njeriu.

I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Më të mirët në mesin tuaj janë ata që ushqejnë të tjerët dhe i përgjigjen me selam.”
(Hakimi dhe të tjerë, hadithi është i mirë)

Këto dy veprime janë ndër më të rëndësishmet për forcimin e lidhjes së vëllazërisë islame dhe për intensifikimin e dashurisë mes myslimanëve. Ushqimi i të tjerëve – sidomos në kohë të vështira – është një prej veprave më të mëdha të mirësisë, pasi përmban jetë për trupin dhe ndihmë për adhurimin e Allahut.
Po ashtu, përgjigjja me selam është shpërndarje paqeje, sigurie, dashurie dhe vëllazërie, dhe largim i urrejtjes dhe përçarjes. Kush e bën këtë është nga më të mirët e njerëzve.

Po ashtu, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Më të mirët e shokëve tuaj te Allahu janë ata që janë më të mirët për shokët e tyre, dhe më të mirët e fqinjëve tuaj te Allahu janë ata që janë më të mirët për fqinjët e tyre.” (Ahmedi, Tirmidhiu dhe El-Hakimi, hadithi është i saktë)

Pra, ai që është më i dobishëm për shokun e tij në të vërtetën, që sjell më shumë dobi dhe e mbron nga e keqja – ai është shoku më i mirë. Shpërblimi më i mirë i shokut është dëshmia e sinqeritetit dhe dashurisë së vërtetë për të.

Kush është më i kujdesshëm ndaj fqinjit të tij, më i duruar ndaj dëmeve që mund t’i vijë prej tij, më i vëmendshëm ndaj plotësimit të të drejtave të tij dhe më i kujdesshëm për ta mbrojtur nga të këqijat, ai është më i miri nga fqinjët te Allahu – i Lartësuar – dhe te krijesat e Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i bëni shok Atij, dhe bëni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe fqinjët e largët, shokët dhe udhëtarët, dhe me ata që i keni në dorë (robërit). Allahu nuk i do ata që janë arrogantë dhe mburravecë.”
(El-Nisa: 36)

Në fushën e të drejtave financiare të njerëzve, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – na tregon se më të mirët e njerëzve në rastin e marrjes së huasë janë ata që janë më të shpejtë në kthimin e borxhit. Ai ka thënë: “Më të mirët tuaj janë ata që janë më të mirët në shlyerjen e borxheve.” (Ahmedi dhe Nesaiu, hadithi është i saktë)

Pra, kush merr hua, është detyrë e tij të kthejë borxhin pa vonesë, në kohën e caktuar, pa e mangësuar dhe pa e dëmtuar atë.
Po ashtu, nëse ai e kthen më shumë sesa ka borxh, pa e kërkuar kreditori, kjo është bamirësi dhe shtrirje mirësie, dhe nuk është kamatë. Për shembull, siç tregon hadithi:
Nga Ebu Rafi, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – kishte marrë hua një deve, dhe kur i sollën devetë e sadakasë, ai i kërkoi Ebu Rafiut që t’ia kthente borxhin. Ebu Rafiu u kthye dhe tha: “Nuk gjeta veçse një deve më të mirë, një devë më të bukur.” I Dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – tha: “Ktheja atij, sepse më të mirët e njerëzve janë ata që janë më të mirë në shlyerjen e borxheve.” (Muslimi)

Në fushën e mësimit dhe edukatës, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë:
“Më të mirët tuaj janë ata që mësojnë Kur’anin dhe ua mësojnë atë të tjerëve.” (Buhariu)

Kush e mëson Kur’anin për Allahun, e lexon, e mediton dhe vepron sipas tij, pastaj ua mëson atë edhe të tjerëve, ai është më i miri i njerëzve në fushën e dijes së dobishme. Kjo ndodh sepse ai është angazhuar me fjalën më të lartë, duke i dedikuar shumicën e kohës dhe mundit të tij një prej dijeve më të mëdha të Islamit.

Po ashtu, në lidhje me mundësinë e jetës së gjatë, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – na tregon për më të mirët në këtë fushë, duke thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata që jetojnë më gjatë dhe kanë vepra të mira, ndërsa më të keqijtë janë ata që jetojnë gjatë dhe kanë vepra të këqija.” (Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, hadithi është i saktë)

Kjo ndodh sepse më shumë jetë do të thotë mundësi për të bërë më shumë veprime të mira, për të ndihmuar në përmbushjen e adhurimeve dhe për të përballuar vështirësitë për hir të Allahut, duke shtuar kështu sevapet dhe ngritur gradat. Jetë e gjatë, e mbushur me të mira, është një mundësi e jashtëzakonshme për të arritur më shumë shpërblime.

Në lidhje me jetën familjare dhe lidhjen bashkëshortore, i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – përmendi se më të mirët në këtë fushë janë ata që janë më të mirë me të afërmit e tyre, dhe veçanërisht me bashkëshortet e tyre. Ai ka thënë: “Më të mirët tuaj janë ata që janë më të mirët me familjet e tyre, dhe unë jam më i miri me familjen time.”
(Tirmidhiu dhe Ibn Hiban, hadithi është i saktë)
Kështu, ai – paqja qoftë mbi të – theksoi se më i miri ndër njerëz është ai që është më i kujdesshëm, më i dashur dhe më i sjellshëm ndaj të afërmve dhe bashkëshortes së tij, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë kur ata mund të sillen keq ose të mos e vlerësojnë siç duhet. Ai që e trajton familjen me falje, durim dhe mençuri është në radhët e më të mirëve.

I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të – ka thënë: “Gratë më të mira janë ato që e kënaqin burrin kur e sheh, i binden atij kur ai i urdhëron, dhe nuk kundërshtojnë atë – në gjëra që lidhen- në veten e tyre, as në pasurinë e tyre dhe në atë që ai e urren.” (Ahmedi, Nesaiu dhe El-Hakimi, hadithi është i saktë)

Kështu, gruaja që është e përkushtuar për të dëgjuar burrin e saj dhe nuk e kundërshton atë në atë që është e drejtë, që ka moral të lartë dhe kujdes për pamjen e saj përpara tij, është më e mira nga gratë.
Kjo është një formë e nderimit dhe përkushtimit ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si dhe një mundësi për të sjellë gëzim dhe qetësi në jetën bashkëshortore.
Kjo ndihmon në ruajtjen e një marrëdhënieje të shëndetshme dhe të qëndrueshme, që është baza për një shoqëri të pastër dhe të mirë.

Përzgjodhi. Bledar Haxhiu

Etiketat