Lindja dhe zhvillimi i fikhut dhe i katër shkollave të njohura juridike islame

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 12 minuta lexim

الفقه_على_المذاهب_الأربعة

Lindja dhe zhvillimi i fikhut dhe i katër shkollave të njohura juridike islame

 

Hoxhë: Ervin Qylafku

Fikhu në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam) nuk nuk ka qenw i regjistruar në libra dhe i sistemuar sipas kapitujve të caktuar. Myslimanet e parë jetuan pranë Profetit dhe ai ishte burim referimi për çështje të ndryshme të jetës së tyre. Ai i drejtonte besimtarët, iu përgjigjej pyetjeve dhe, kështu, i qetësonte mendjet dhe zemrat e tyre. Shokët e tij  gjithashtu shikonin veprimet e tij dhe i zbatonin ato pa bere dallimin se cili prej tyre ishte element bazë në to dhe cili ishte i pëlqyer. Pas vdekjes së Profetit (alejhi salatu ue selam) takimet konsultative ishin të shpeshta dhe shumica e vendimeve juridike dhe politike merreshin bashkërisht dhe shumë shpesh të

mbështetura në konsensusin e sahabëve. Këta te fundit, shpesh herë, ngurronin të jepnin përgjigje (fetva) në mënyrë individuale dhe përpiqeshin që ta dërgonin pyetësin te ndonjë shok tjetër i Profetit (alejhi salatu ue selam) të cilin e konsideronin më të kualifikuar. Në këtë mënyrë filluan të dalin në pah disa figura të dalluara të cilat ishin pikë referimi për t’i dhënë zgjidhje situatave të ndryshme në atë kohë, si Abdullah ibn Mesudi, Omeri, Muadh ibnu Xhebeli, Aliu, Zejd ibu Thabit, Osmani, Ebu Hurejra, Aishja, Abullah ibn  Abasi, etj. Megjithatë shokët e Profetit (alejhi salatu ue selam) ishin të interesuar për të përvetësuar numrin më të madh të mundshëm të thënieve të Profetit (alejhi salatu ue selam), veprimeve të tij, si dhe gjykimeve sipas situatave të ndryshme, duke i logjikuar ato dhe duke u munduar që të njiheshin me veçoritë themelore të tyre. Kështu, në këtë mënyrë, secili prej tyre formoi idenë e tij në lidhje me këtë trashëgimi të bollshme të Profetit (alejhi salatu ue selam), duke konsideruar ndjekjen e disa prej thënieve dhe veprimeve të tij të pëlqyera, disa të tjera të detyruar dhe të fundit të lejuar apo të shfuqizuar me ndonjë thënie ose veprim të mëvonshëm. Sahabët pasi u shpërndanë në vende të ndryshme, të gjithë këtë informacion të grumbulluar ata ia përcollën pasardhësve të tyre, tabi’inëve, ku secili prej tyre memorizoi thëniet profetike që mundi, si dhe mendimet e ndryshme të shokëve të Profetit, duke i dhënë përparësi disa prej tyre dhe duke lënë mënjanë në të njëjtën kohë disa mendime të tjera. Në këtë mënyrë edhe tabi’inwt filluan të bënin përzgjedhjet e tyre në çështje të ndryshme juridike dhe se çdo vend karakterizohej nga figurat më me zë ku më vonë u bënë edhe referencat e atyre vendeve. Ndër ta dallohej Said ibn  Musejebi, Ikrime, Ata ibn Ebi Rabaha, Zuhriu, Tavus ibn Kejsan, Hasen El-Basri, Esved ibn Jezidi, Ibrahim en-Nekhai, Alkametu ibn Kajs, Mekhuli etj., respektivisht të ndarë në Mekë, Medine, Kufe, Basra dhe Sham. Secili prej të lartpërmendurve mblodhi temat e fik’hut dhe në çdo kapitull ata kishin bazat dhe preferencat e tyre nga mendimet e sahabwve. Said ibn Musejebi dhe nxënësit e tij p.sh. mendonin se fik’hu i mekasve dhe medinasve ishte mw i godituri dhe baza e medh’hebit (shkollës juridike) të tyre ishte fetvatë dhe gjykimet e Omerit, Osmanit, Ibn Omerit, Aishes, Ibn Abasit. Sipas tij nëwse fukahatë (juristët) e Medinës vendosnin unanimisht për ndonjë çështje, ai dhe nxënësit e tij kapeshin fort pas tij dhe nuk shikonin mendimet e tjera. Ndërsa Ibrahim en-Nekhaiu dhe nxënësit e tij mendonin se Abdullah ibn Mesudi ishte më i saktë sesa të tjerët në çështjet e fik’hut. Baza e medhhebit të tij ishin fetvatë e Abdullah ibn Mesudit, Omerit dhe Shurejhut, si dhe gjykimet e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për fukahatë e tjerë. Gjejmë pra kështu një shpërndarje gjeografike të mendimeve juridike, ku secila zonw kishte juristët e saj, mendimet e saj si dhe bazat dhe metodikën e studimit të Kuranit dhe Traditës Profetike, të cilat u transmetuan me vonë te fukahatë më në zë, që ka njohur Islami. Ndër këto shkolla juridike të formuara  ishin medh’hebi i Ebu Hanifes në Kufe, i Euzait në Siri, i Malikut në Medine, i Zejdit në Kufe dhe Vasit, i Lejthit në Egjipt, i Sufjan Theuriut në Kufe, i Shafiut në Bagdad dhe Kajro, i Ahmed Ibn Hanbelit në Bagdad, i Ebu Davudit në Kufe dhe i Taberiut në Egjipt dhe Taberistan. Secili prej këtyre fukahave gjatë jetës së tij ka dhënë një kontribut të veçantë dhe ka ndihmuar në zhvillimin e të kuptuarit të burimeve islame. Secili prej tyre konsiderohet si themelues i një medh’hebi, ku disa prej tyre janë zhdukur gjatë historisë, kurse shkollat e tjera janë edhe sot të pranishme në të gjithë botën islame. Imamët e katër medh’hebeve të njohura dhe nxënësit dhe pasuesit e tyre kane dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e lëndës së fikhut, duke vendosur kriteret dhe bazat e kuptimit të Kuranit dhe Traditës Profetike për hulumtuesit e lëndës së fikhut. Ata mblodhën dhe sistemuan temat dhe kapitujt e tij, duke e thjeshtëzuar këtë lëndë për të gjithë ata të cilët nuk kanë kapacitetin për të nxjerrë konkluzione drejtpërsëdrejti nga Kurani dhe Suneti. Vihet re që në kohën e katër imamëve dhe sidomos ndjekësve të tyre lulëzoi lënda e fikhut ku iu dha edhe forma e saj e fundit. Në këtë periudhë ndeshemi me librat që pasqyrojnë mendimet e secilit imam dhe shumë çështje të pa cekura nga vetë ata, por kjo në bazë të kritereve të vendosura nga secili imam.

Asnjëri nga imamët nuk e ka konsideruar veten të pagabueshëm, dhe askush nuk ua ka atribuuar këtë cilësi atyre. Ata kanë qenë muxhtehidë dhe kanë kërkuar të vërtetën, aq sa kanë qenë mundësitë e tyre njerëzore. Për këtë shkak ata shpesh herë linin një mendim dhe pranonin një tjetër, në përputhje me ekzistencën dhe fuqinë e argumentit. Na përcillet se Ebu Hanifja ka thënë: “Ky është mendimi im dhe gjëja më e mirë që ka arritur arsyeja ime, prandaj kush vjen me mendim më të mirë, ne do ta pranojmë atë”. Imam Maliku ka thënë: “Unë jam njeri, si njerëzit e tjerë. Gjykoj me drejtësi, por edhe gaboj, prandaj vendosini fjalët e mia në peshoren e Kuranit dhe Sunetit”. Ndërsa nga Shafiu përcillet se ka thënë : “Nëse ndonjë hadith kundërshton mendimit tim, atëherë flakeni mendimin tim për muri, e kur të shihni ndonjë argument të marrë, dijeni se ai është opinioni im individual”. Nuk duhet të harrojmë, se këto fjalë duhet vënë vendin e duhur, sepse këto thënie të ndritura ata ua drejtonin nxënësve të tyre ose juristëve islamw, të cilët kanë arritur një nivel të lartë dije dhe sidomos në lëmin e fik’hut. Ndryshe këto thënie të keqkuptuara u hapin rrugën edhe atyre që kanë lexuar disa librat të fikhut, apo kanë dëgjuar disa hadithe, e më pas i kundërvihen fjalëve të dijetarëve duke mos kuptuar arsyet e konkluzioneve të tyre.

Sot vihet re, se në libra dhe në hulumtime përmenden më shumë mendimet e katër medh’hebeve, ndërsa mendimet e medh’hebeve të tjera, që nuk janë ruajtur nuk u dëgjohet zëri me forcë. Cila është urtësia që Allahu ka ruajtur vetëm këto shkolla, ndërsa të tjerat nuk përmenden vetëm se në çështje sporadike? Kësaj pyetje i përgjigjet Ibn Tejmije, i cili duke përcjellë fjalën e Ebul Hasen El Kerkhiut thotë: “…ata që përmendëm, veç imamëve të shkollave të njohura, ishin shembull i mirë në kohën e tyre, por më pas shkollat e tyre u shkrinë dhe u bënë pjesë e mendimeve të imamëve të shkollave të njohura. Ibnu Ujejne ishte shembull i mirë, por ai nuk la literaturë rreth mendimeve të tij në lëmin e fikhut. Ata që shkruan ishin nxënësit e tij, si Shafiu, Ahmedi, Is’haku dhe në këtë mënyrë mendimet e tij u bënë pjesë e mendimeve të këtyre të fundit. Ndërsa Lejth ibn Sa’dit nxënësit e tij nuk i shërbyen mendimeve të tij për t’i mbledhur ato, megjithatë siç thotë Shafiu, mendimet e tij janë të ngjashme me ato të Malikut dhe Sufjan Theuriut. Kurse Euzai, shumica e mendimeve të tij i bashkëngjiten mendimeve të Malikut, Shafiut dhe Theuriut. Gjithashtu përzgjedhjet e Is’hakut janë të ngjashme me ato të Ahmedit. Po ashtu edhe mendimet e Ebu Zur’es, Ebu Hatimit dhe Buhariut janë të ngjashme me ato të Ahmedit”. Kështu pra, kur përmenden mendimet e katër imamëve të njohur kjo nuk do të thotë se ne i qëndrojmë fanatikë vetëm mendimeve të tyre dhe anashkalojmë çdo mendim tjetër, por në të njëjtën kohë këto mendime pasqyrojnë edhe mendimet e imamëve, të cilët nuk kanë lënë libra, ku të tregohen përzgjedhjet e tyre në lëmin e fikhut.