“Malësia e Gjakovës një studim i shkurtër rreth prezencës së xhamive si simbole të Islamit të hershëm në këtë trevë”
Nga hoxhë Bashkim Berisha
Zona e Tropojës apo Malësia e Gjakovës zë një hapësirë të madhe dhe brenda kësaj hapësire kemi hasur shenja të mëdha të simboleve fetare islame, konkretisht xhamive. Duke pasur parasysh që kanë ekzistuar një numër i konsiderueshëm i xhamive në këtë rrethinë, në këtë punim jemi munduar që të bëjmë prezantimin e tyre (d.m.th. deri në vitin 2015-2016).
Duke e ndier vetën përgjegjës ndaj Zotit si dhe borxhli ndaj popullit, ia jam qasur këtij punimi me shpresë për të kontribuar sado pak në thirrjen për në rrugën e Zotit. Kjo temë përbën hapin e parë për studime të mëtutjeshme në këtë fushë.
Me ardhjen e Perandorisë Osmane përqafimi i ideologjisë fetare, islame nga aristokracia shqiptare dhe përhapja e tij në popull u bë brenda një kohe të shkurtër. Në përhapjen e fesë islame në Shqipëri kanë ndikuar disa faktorë dhe sporadikisht edhe janë marrë masa të ndryshme detyrimi, nga Osmanët.
Në fushatën e Islamit, Osmanët përfituan nga tronditja që kishin pësuar të dy ritet e krishtera (katolike dhe ortodokse) edhe në Shqipëri në shek. XVI-XVII, në këto kushte, për të ruajtur pozitat e veta ekonomike, politike, ish pjesëtarët e parisë së vjetër vendase përqafuan të parët fenë Islame. Në atë kohë, u islamizuan fshatra e krahina të tëra si në Fushë Kosovë, Krahina e Prizrenit, Gjakova, Peja, etj.
Procesi i islamizimit në Malësinë e Gjakovës ka ardhur si rezultat i ndikimit të disa prej këtyre faktorëve, ku më shumë e ku më pak edhe pse ishte krahinë autonome.
Tropoja, dhe islamizimi i saj ndër shekuj.
Tropoja fillimisht është quajtur “Malësi e Vogël” që korrespodon me Malësinë e Gjakovës, ku bëjnë pjesë fiset Gash, Krasniqe, Bytyç e Berishë, dhe një siperfaqe e madhe e territoritoriale. Kjo vazhdoi deri në vitin 1913 kur u vendos ndarja nga Konferenca famëkeqe e Ambasadorëve në Londër. Me vendosjen e administratës lokale në Tropojë (1925) kjo Malësi nisi të quhej Malësia e Tropojës, rrethi i Tropojës, emër që e mban edhe sot.
Lidhur me islamizimin e zonës së Gashit, Krasniqes e Lumës, At Martin Sirdani shkruan: “Kurrni krahine të Pultit të vjetër nuk i takoi me e psue ma fort prej Turkit se e Lumës, Gashit e Krasniqes. Begollët e Pejës banë shka u erdhi për dore e te e mramja dun me e kthye në Muhamedanizëm mbarë Gashin, Krasniqen e Lumën”.[1] Ndërsa At Gasperi në vitin 1671 thotë: “ Ishin ma se 100 shtëpi katolike në Gashë e Krasniqe, por ka mesi i shek. XVIII zhduket fare feja Katolike në ato fise[2].
Shkëndijën parë të Islamit në këtë zonë e kemi në baza të miqësisë mes dy familjeve mes fisit Gashi dhe Bytyç. Sipas gojëdhënes historike të marrë në Bytyç: Kur Ali Bardhit të fisit Gash ju rrit një vajzë dhe ishte shqetësuar për martesën e saj i kërkoj të birit të Pacit të fisit Bytyç që të pranoj Islamin. Pasi Pac Biba e pranoi fenë Islame dhe ofertën për miqësi, Ali Bardhi ia dha emrin e tij djalit të Pacit dhe u quajt Ali Paci. Ali Paci pasi u bë dhëndër i Ali Bardhit dhe mori vajzën e tij për nuse iu dha një dhuratë një kalë shale në shenjë mirënjohje për pranimin e Islamit dhe lidhjes miqësore.
Sipas të dhënave të fisit Bytyç aty fe Islame ka pasur shtatë breza me radhë, por nuk ka pasur xhami. Xhamia e parë në fisin Bytyç është ndërtuar Xhamia e Mulla Bajramit. Pas kësaj janë ndërtuar edhe Xhamia në Berishë dhe Visoç, pastaj Xhamia në Vlad, dhe pastaj xhamia në Kepenek.
Familja e Hoxhëve të bregut të Pacit në fisin Bytyç, ka përdorur të njejtën mënyrë në përhapjen e fesë islame me fisin Krasniqe, pra me anë të lidhjeve miqësore.
Xhamitë e kësaj zone mendohet se janë ndërtuar qysh në shekullin e XV me paraardhësit e Ali Bardhit të fisit Gash i cili ka vdekur në vitin 1090 Hixhri1669 Miladi.Varri i Ali Bardhit të fisit Gash është monument kulture i shpallur dhe i mbrojtur nga shteti shqiptar. Dhe prej asaj kohe e deri më sot këto xhami kanë qenë shtyllë e fesë islame, dhe sigurisht kanë luajtur rol të madh edhe në çështjet e tjera. Ndërtimi i këtyre xhamive është bërë me iniciativat e vet banorëve, që tregon faktin se banorët kishin simpati për fenë islame. Metarialet e përdorura për ndërtimin e këtyre xhamive kanë qenë materiale të asaj kohe. Arkitektura e tyre nuk ka dalluar nga kullat, vendbanimet e banorëve, pra pa minare, përveç xhamisë së ndërtuar nga Selim Efendi Gashi.
Këto xhami kanë dhënë shumë hoxhallarë që kanë shërbyer brenda dhe jashtë vendit për përhapjen e fesë islame. Po ashtu mejtepet, që shumica e xhamive i kishin, luajtën rol për përgatitjen shkollore të hoxhallarëve por edhe të banorëve të zonës, si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë arsimor. Është për t’u përmendur se sa herë që pushtuesit e kanë djegur Malësine e Gjakovës është djegur edhe Xhamia, por është ndërtuar më e bukur nga vetë populli, bile thuhet se gjithmonë e rindërtonin Xhaminë para se t’i rindërtonin shtëpitë e tyre. Mejtepi i xhamisë ka shërbyer si shkollë për të gjithë komunietin.
Xhamia ka luajtur rol të madh edhe në çeshtjen kombëtare, kuvende për vendime luftërash kryesisht të betejave të parreshtura në Kosovë, Plavë dhe Gusi kuvende për pleqni të ndryshme për zgjidhje konfliktesh pronësie, pleqërim vrasjesh a falje gjaku, pleqërim për ndodhi që sillte jeta, për ndihma të dëmtuarve nga fatkeqësi natyrore e deri në vendimarrje të mëdha për ballafaqime force me qeveri siç qe: “Sulli i Shipshanit” për luftë ndaj komunizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Gjithashtu paria e Gashit dhe hoxhët e bregut të Pacit kanë marrë vendim për të mos u bashkuar në përkrahje të komunizmit.
Për traditën e thellë fetare në Zonën e Tropojës flet edhe prezenca e Namasgjahëve të cilët përdoreshin për faljen e namazit të bajramit të xhumasë, si shembulli i mesxhidit “Kungji i armëve” ku të gjitha bjeshkët nga Balçina e Luzhës, Trokuzi i Bujanit, Mullafci, Rupat, Lugu i Vocit, Poligaja, e deri në Markofçe e falnin namazin aty. Ndërsa pjesa tjetër e bjeshkëve të Tropojës nga Dobërdoli, Sylbica e deri në Pojanë të Shipshanit e falnin namazin e Bajramit në Shkëlzen të Gashit. Hytbeja mbahej nga rrasa gurit, pas namazit luhej me rrasa gurësh duke i përdorur si shenjë, si dhe lojëra të tjera si kalërimi, mundja etj. Këto veprime të cilat janë në përputhje me traditën pejgamberike.
Gjithashtu për ndjenjën e lartë të Islamit në këtë zonë flet edhe mejtepi i grave që përdorej për shkollimin e grave në frymën islame, ku mësuesesja e parë e fesë islame në Tropojë është vajza e Ali Bardhit e cila u bë nuse dhe mësuese në familjen e Ali Pacit në fisin Bytyç. Të gjitha gratë e hoxhallarëve janë marrë me mësime, duke marrë njohuri nga burrat e tyre hoxhallarë dhe këtë dituri e kanë praktikuar në shërbimin që kanë treguar ndaj grave tjera si shembulli i viteve të fundit është Shkurte Ukshin Gjoça gruaja e Imer Hoxhës, 1902-1964. Ishte përgatitur për hoxheshë dhe ka shërbyer në fshatin e vet për kryerjen e shërbimeve ndaj grave. Çdo xhami posedonte edhe pjesën e vakëfit e cila përdorej për sherbimet e xhamisë, lëshohej me qira apo u jepej në huazim.
Një nga figurat më të rëndësishme që ka dhënë kontribut në përhapjen e islamit në Tropojë është hoxha i madhë i fisit Gashë Ali Bardhi. Ky burrë është strategu i përhapjes së islamit në Malësinë e Gjakovës që e jetojmë ne sot.
Ali Bardhi ka qenë një dijetarë shumë i madhë dhe shumë largë pamës në përhapjen e fesë islame në Tropojë. Gjithashtu hoxhallarët e fisit Bytyç nga Mulla Bajrami dhe deri tek Isa Hoxha dhe Hajredin Shefqet Hoxha, kanë qenë pijonerët e parë të Islamit në këtë trevë.
Gjithashtu figurë e rëndësishme që ka kontribuar në përhapjen e Islamit në rrethinën e Tropojës ka qenë Imam Isa Hoxha me kontributin e tij si imam, po ashtu edhe me iniciativat e marra për ndërtimin e xhamive (p.sh për xhaminë e re të Pacit).
Mulla Ibrahimi (Mehmet Islamaj), i shkolluar në Fakultetin Teologjik të Stambollit, Imam në xhaminë e fshatit Begaj, ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm në fenë islame, por edhe në shkencë duke u nisur nga parimi i humanitetit. Në fshat hapi mejtepin e parë ku morën mësimet fillestare të besimit Islam shumë figura që më vonë bënë emër në këtë fushë si Selim Efendi Gashi, Efendi Emin Blezi dhe biri i tij Hasan Islamaj, e të tjerë.
Arsimimi i lartë në frymën fetare islame në këtë zonë bëri që kjo të reflektohet edhe në dashuri ndaj atdheut. Një prej figurave të njohura me kontributin e tij në çështjen kombëtare, si hoxhë, i zonën së Tropojës apo Malësisë së Gjakovës, është Zymer Demiri (Hoxhë Dollapi). I shkolluar në Stamboll Hoxhë Dollapi ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, dhe qe zgjedhur në organet drejtuese të Lidhjes. Po ashtu, në vitin 1878 merrë pjesë në mbledhjen te Vorret e Shalës, ku Jakup Ferri kërkoi mbështetje në luftën kundër malazezëve.
Një tjetër personalitet që ka kontribuar në luftërat për çështjen kombëtare ka qenë Myftiu i Tropojës, Selim Efendi Gashi. “Pikërisht Selimi në moshën e re 16-17 vjeç rroku armët dhe luftoi për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë, ku ai u plagos rëndë.”[3]
Kultivimi i mësimeve fetare dhe atdhetare si dhe roli i xhamive ishte aktiv në nivel të lartë deri në vitet 50-60 te shekullit të kaluar. Me ardhjen e komunzmit ky hov paksa u ndal. Komunizmi në Shqipëri konkretisht në Tropojë zhvilloi një luftë psikologjike por edhe fizike ndaj Islamit dhe Muslimanëve. Ai sistem i shkatërroi pothuajse të gjitha xhamitë në atë zonë duke i lënë vetëm themelet e tyre. Pas viteve 90-ta fillon riorganizimi dhe rindërtimi i xhamivë në këtë Zonë. Vlen të përmendet se falënderim të veçantë në ndërtimin e këtyre objekteve meritojnë fillimisht: Populli bujar i këtij vendi që me dhurimin e truallit, përkrahjen e planeve ndihmuan fuqimisht në këtë drejtim Komuniteti Musliman Shqiptar dhe ai Kosovar, si dhe shoqatat e ndryshme bamirëse që financuan ekonomikisht këto projekte.
[1]Shqiptarët në trojet e tyre (Referat i Martin Camajt. Revista “Ballkanologjia”, 1967, fq. 28, gjermanisht), fq. 505.
[2] Revista, “Ylli i Dritës”, 1930, fq. 497. Pjesa tjetër e marrë nga libri, “Malësia e Gjakovës (Tropoja) në rrjedhën e Historisë Kombëtare, Elez Qerimaj
[3]Enciklopedi – 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame; shek XIX-XX, Komuniteti Mysliman Shqiptar, 2012, Tiranë, fq. 226.