Mësimi fetar Islam në shkollat fillore dhe të mesme në Luginën e Preshëvës
Mësimi fetar në sistemin shkollor në Luginën e Preshevës për herë të parë startoi në vitin shkollor 2001/2002. Padyshim se kjo ngjarje kishte domethënie të veçantë për mbarë banorët shqiptarë të këtyre trevave shqiptare të konfesionit islam. Në paralelet shkollore në të cilat deri para pak kohësh zhvillohej luftë sistematike dhe e pakompromis kundër Islamit, pikërisht në të njëjtat ambiente tani e tutje brezave të rinj nga njerëz kompetentë dhe profesionistë do t’iu prezantohen, predikohen e shpjegohen mësimet e Islamit burimor dhe autentik. S’do mend se ky ishte një sihariq i paimagjinuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjë të cilën e kishin ëndërruar breza e gjenerata të panumërta, por që për të ardhur keq, nuk kishin pasur fatin ta shijonin ndonjëherë “ëmbëlsinë” e saj. Fatkeqësisht, një gjë e tillë iu ishte pamundësuar gjatë gjithë kohës së sundimit komunist të asokohshëm dhe një dekadë të plotë pas daljes në skenë të pluralizmit politik në hapësirat ballkanike e më gjerë në Evropën Jug-lindore. Në klasën e parë të ciklit të ulët prindërit janë të obliguar të deklarohen me shkrim, nëse janë për apo kundër vijimit të mësimeve fetare nga ana e fëmijëve të tyre. Në momentin e deklarimit pozitiv kjo lëndë për vetë nxënësin bëhet obliguese dhe i njëjti deklarim do të vlejë deri në klasën e katërt të ciklit të ultë. Nga klasa e pestë vetë nxënësit janë ata nga të cilët kërkohet deklarimi me shkrim, nëse dëshirojnë të jenë pjesë e vijimit të mësimit fetar. Deklarimi pro mësimit i shpie ata në ndjekjen e mësimeve të lëndës në fjalë deri në klasën e tetë të shkollës fillore, kohë kur edhe përfundon mësimi shkollor i ciklit të lartë. Po ashtu edhe në shkollë të mesme kjo lëndë mësohet në të gjitha vitet, respektivisht nga viti i parë deri në vitin e katërt. Edhe këtu, vetë nxënësit deklarohen nëse dëshirojnë apo jo të ndjekin mësim fetar “Ilmuddin”. Notimi i nxënësve nga ana profesorëve dhe arsimtarëve bëhet me shkrim. Në Luginën e Preshevës janë gjithsej 20 arsimtarë dhe 8 profesorë të lëndës së mësimit fetar. Kjo lëndë zhvillohet një herë në javë në çdo paralele, ndërsa gjatë vitit nxënësit ndjekin 36 orë mësimi. Numri i përgjithshëm i nxënësve në Komunën e Preshevës është 4987, ndërsa në atë të Bujanocit 4123. Në Komunën e Medvegjës për shkak të numrit të kufizuar të nxënësve, akoma nuk ka startuar kjo lëndë tejet e rëndësishme. Për përkthimin dhe botimin e librave shkollorë të “Ilmuddinit” janë përkujdesur këshillat e Bashkësisë Islame në Preshevë dhe Bujanoc, duke dhënë një kontribut mjaft të çmuar në këtë drejtim.
Rregullorja mbi shkallën e përgatitjes profesionale të mësimdhënësve për shkollën fillore thotë se nga klasa e parë deri në klasën e tetë lëndën e mësimit fetar “Ilmuddin” mund ta japë:
– personi i cili ka të kryer fakultetin teologjik islam;
– personi i cili ka të kryer fakultetin (e ndryshëm), por i cili më parë ka të kryer medresenë (shkollë e mesme fetare);
– personi i cili ka të kryer fakultetin dhe i cili është aftësuar për dhënien e lëndës së mësimit fetar.
Marrë në përgjithësi nga të gjitha trevat shqiptare, deri vitin e kaluar aktualisht vetëm në Luginë të Preshevës zhvillohej mësimi fetar nëpër shkolla fillore e të mesme. Viti rrjedhës shkollorë është i dhjeti me radhë, që kur ka nisur të mësohet lënda fetare ”Ilmuddin”. Sinjale pozitive në këtë drejtim si duket vijnë edhe nga Maqedonia fqinje. Atje tashmë ka
startuar mësimi i lëndës fetare, por qysh nga klasa e pestë. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt të përfshihet në të gjitha ciklet mësimore. Janë për t’u përshëndetur dhe meritojnë çdo lëvdatë angazhimet serioze që po bën Bashkësia Islame e Kosovës për jetësimin në vepër të këtij pikësynimi madhor duke futur lëndën e mësimit fetar në sistemin shkollor të arsimit të Republikës së Kosovës në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme të vendit. Urojmë sukses të plotë në këtë përkushtim të vazhdueshëm të Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim ef. Tërnava.
Libri që parashihet me planprogramin e vitit të parë dhe të dytë në shkolla të mesme është “Hyrje në Islam “ i autorit dr. Muhammed Hamidullah, ndërsa në vitin e tretë dhe të katërt nxënësit mësojnë nga libri “Islami dhe regjilionet botërore “ të autorit boshnjak dr. Xhemaludin Latiq.
Pjesë nga Ligji mbi kishat dhe bashkësitë fetare. Liria e predikimit fetar:
Neni 1. Çdonjërit në përputhje me Kushtetutën i garantohet e drejta e lirë e ndërgjegjës dhe e besimit. Liria e besimit përfshin: lirinë që individi të ketë apo jo besim, që të mbajë apo ndërrojë besimin apo bindjen fetare, respektivisht lirinë e besimit apo lirinë e predikimit fetar.
Neni 15. Bashkësisë Islame i njihet kontinuiteti me subjektivitet juridik arritur në bazë të ligjit mbi Bashkësinë e fesë islame të Mbretërisë së Jugosllavisë, nrt. 29/1930.
Përgatiti:
Valter Kamberi