Allahu i Madhëruar me Diturinë e Tij, e cila përfshin çdo gjë, dhe me Urtësinë e Tij të madhe, na ka obliguar me kryerjen e disa adhurimeve. Na ka lejuar shumë gjëra e na ka ndaluar nga disa të tjera.
Çdo mendje e shëndoshë arrin të kuptojë se zbatimi i këtyre urdhrave është në dobinë e njeriut, si në këtë botë ashtu edhe në Botën Tjetër, ndërsa afrimi nga të ndaluarat është në dëmin e tij, si në këtë botë ashtu edhe në Botën Tjetër.
Ndër obligimet, që Allahu i Madhëruar ka bërë për besimtarët e fesë Islame, është dhe namazi, i cili konsiderohet nga shtyllat bazë, pas dëshmisë se “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.”
Namazi është simboli i të Dërguarve dhe cilësi e të devotshmëve.
Namazi, që në një ndër kuptimet gjuhësore të tij nënkupton mjet lidhës, shërben si një urë lidhëse mes njeriut dhe Allahut të Madhëruar.
Me namazi muslimani pastrohet nga gjynahet e vogla, sikurse uji që pastron rrobat nga papastërtitë.
Namazi shton te muslimani ndjenjën e frikës, gjë kjo që e bën atë të largohet nga çdo vepër që Allahu i Madhëruar nuk e pëlqen dhe njëkohësisht dëmton edhe shoqërinë ku ai jeton. Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: “Ti lexo atë që po të shpallet nga Libri (Kur`ani), fal namazin, vërtet namazi parandalon nga të shëmtuarat (si imoraliteti, vjedhja) dhe të këqijat (si idhujtaria, vrasja, etj) e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve). Allahu e Di atë që ju e veproni.” El Ankebutë: 45
Namazi me ndriçimin që sjell në shpirtin, zemrën dhe mendjen e njeriut, bëhet pengesë për ndotjen e tij nga papastërtitë e gjynaheve dhe gjërave të shëmtuara.
Termi i përdorur në arabisht Ikametu Salate, që mund të përshtatej me realizimin, kryerjen dhe faljen siç duhet të namazit, nënkupton sinqeritetin për Allahun, kryerjen e tij në kohën e caktuar, brenda mundësive të përcaktuara nga feja, së bashku me besimtarët e tjerë në xhami si dhe përkujdesja për veprimin me korrektësi të shtyllave, kushteve, detyrimeve dhe veprimeve të tjera në të.
Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrë për besimtarët muslimanë kryerjen e faljeve gjatë ditës dhe natës, në kohët më të përshtatshme që nuk e pengojnë njeriun në kryerjen e punëve të tij të përditshme dhe të dobishme, por përkundrazi, e ndihmon në to duke e ripërtëritur lidhjen me Krijuesin e tij.
Namazi i parë është sabahu, me faljen e tij njeriu fillon ditën e re, e madje me të ai siguron prej Zotit ruajtje prej ngacmimeve të Shejtanit si dhe ndihmë në kërkimin e të mirave.
Robi i Allahut, pasi e ka kryer namazin në mënyrën e kërkuar, largohet për në punët e tij ditore, duke ndjerë ngritjen e besimit në zemër. E shikon atë të kënaqur shpirtërisht dhe duke mos menduar për kryerjen e gjynaheve dhe veprave të shëmtuara, e nëse bën ndonjë gjynah të vogël, afrohet koha e namazit të drekës, me kryerjen e të cilit Allahu ia fshin ato gjynahe dhe e rikthen atë në gjendjen e mëparshme. E tillë vazhdon jeta e tij gjatë ditës dhe natës, duke qenë i ruajtur dhe i pastër nga gjynahet, si rezultat i kryerjes së namazit vetëm për hir të Allahut të Madhëruar.
Njeriu që e fal namazin në mënyrën e kërkuar, kur e mbaron atë, ndjen një lehtësim në veten e tij, sikur i ka mënjanuar hallet dhe problemet ditore. Si të mos ndjehet i tillë, kur dihet që hallet dhe problemet e tij i merr përsipër Allahu. Në këtë mënyrë njeriu e sheh veten të çlodhur, të gatshëm për punë dhe të kënaqur shpirtërisht, duke shpresuar të ishte akoma në namaz, ngaqë namazi konsiderohet për të kënaqësi, mirësi e shpirtit, xheneti i zemrës dhe vendpushimi i tij në këtë botë.
Kushdo që e shijon kënaqësinë në namaz, kur ndodhet para Allahut të Madhëruar, nuk mundet ta kundërshtojë Atë jashtë tij, sepse e di që Allahu i Madhëruar e Shikon dhe e ka nën Mbikëqyrjen e Tij kudo që të ndodhet.
Gjithashtu Ibn Mes`udi transmeton se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Nuk e ka namazin ai që nuk i bindet namazit.”
Bindja ndaj namazit arrihet kur ky të ndalon nga veprimi i të shëmtuarave dhe të ndaluarave.
Ebu Hurejra, radij Allahu anhu, ka thënë: Erdhi një person tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Vërtet filani falet natën, por kur zbardh dita, ai vjedh. I Dërguari, alejhi selam, tha: “Falja e tij do ta ndalojë nga ajo që përmende (vjedhja).” Tefsiri i Ibn Kethirit.
Ndërsa Ebu El Alijet në komentin e këtij ajeti thotë: “Në faljen e namazit ndodhen tre cilësi, e në çdo namaz që mungon ndonjë prej këtyre cilësive, ai nuk konsiderohet si namaz. E ata janë: Sinqeriteti, frika dhe përmendja e Allahut. Sinqeriteti të nxit në kryerjen e veprave të mira; Frika të ndalon nga veprimi i gjynaheve; Ndërsa përmendja e Allahut (Kur`ani) e urdhëron dhe e ndalon.”
Që falja e namazit të ndalon nga veprat e këqija, e pohuan dhe mosbesimtarët në kohën e të Dërguarit Shuajb, alejhi selam, shikoni dialogun mes tyre:
“Medjenit i dërguam vëllain e tyre Shuajbin që iu tha: “O populli im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni Zot tjetër veç Tij, mos matni e as mos peshoni mangut. Unë po ju shoh në lulëzim, (por) me të vërtetë kam frikë për ju nga dënimi i një dite të afërt, (se do t’ju përfshijë nga të gjitha anët).
O populli im, veproni drejt gjatë matjes dhe peshimit, mos dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë!
Atë pjesë që jua lejoi Allahu, është shumë më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jam mbikëqyrësi juaj!”
Ata thanë: “O Shuajb, vallë namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që adhuruan prindërit tanë, apo të mos bëjmë ç’të duam me pasurinë tonë? Vërtet, ti qenke i urtë e i mençur (me ironi)”. Hud: 84-87
Shkurtimisht mund të themi se besimtari që fal namazin, është nga njerëzit që largohet më tepër prej të ndaluarave, prej imoralitetit, prej pirjes së alkoolit, prej vjedhjes dhe shpifjes, prej gënjeshtrës dhe mashtrimit, prej kamatës dhe përgojimit, si dhe prej veprave të tjera që janë në kundërshtim me urdhrat e Allahut dhe që e pakësojnë burrërinë dhe nderin e besimtarit. Kjo ndodh ngaqë është e papranueshme logjikisht që një person, i cili e ka njohur Zotin e tij, qëndron para Krijuesit të tij të dashur që e ka edukuar atë dhe të gjitha krijesat e tjera, kërkon nga Allahu i Madhëruar ta udhëzojë në rrugën e vërtetë, i përulet Atij dhe bie në sexhde për Të, e falënderon dhe e madhëron, ashtu siç e meriton Allahu i Madhëruar, të shihet më pas duke u vërtitur nëpër rrugët e degjenerimit dhe gjynaheve, sikurse veprojnë njerëzit e prishur, që u janë bërë normë ditore vepra të tilla, e janë bërë specialistë të krimeve dhe veprimeve të pahijshme.
Lexues i nderuar!
Nëse do t`u hedhësh një vështrim njerëzve që të rrethojnë dhe veprimeve të tyre, ku krimi droga, imoraliteti etj. janë të pranishme, shumë shpejt do të arrish të kuptosh se vërtet namazi të largon nga këto vese. Nuk njohim raste kur personat që frekuentojnë xhaminë të akuzohen për imoralitet, për vrasje, të merren me drogë, të mos respektojnë prindërit e tyre apo të bëjnë ndonjë të keqe, vetëm nëse sapo mund të kenë filluar të falin namazin dhe akoma mund të mos jetë bërë namazi pjesë e veprimeve të tij ditore. Besimtarët që falen rregullisht, rrezatojnë vetëm mirësi, për të cilat ka shumë nevojë shoqëria sot. Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara, kur falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut dhe duke menduar në domethënien e ajeteve që lexohen.
Jo të gjithë besimtarët në namazin e tyre ndodhen në të njëjtën pozitë. Imami Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë!) i ka klasifikuar njerëzit në namaz në pesë grupe.
Grupi i parë. Janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, duke qenë neglizhues. Këtu bën pjesë ai që nuk e merr abdesin në mënyrë të plotë e nuk i kushton rëndësi kohës dhe shtyllave të namazit.
Grupi i dytë. Ai që tregohet i kujdesshëm për kohën, kufijtë, shtyllat e namazit dhe për abdesin, por në namazin e tij mungon këmbëngulja për të mposhtur cytjet e të mallkuarit, duke qenë i zhytur në cytje dhe mendime të kota.
Grupi i tretë. Personi që tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e rregullave dhe shtyllave të namazit, njëkohësisht është këmbëngulës në largimin e cytjeve dhe mendimeve të kota, ai gjatë faljes është në përpjekje (luftë) me armikun e tij, që kërkon t`i vjedhë pjesë nga namazi. Ai ndodhet njëherazi në namaz dhe në luftë.
Grupi i katërt. Personi që kur fal namazin, plotëson detyrimet, shtyllat dhe rregullat e tij, duke qenë i angazhuar me zemër në veprimet e namazit dhe duke pasur si qëllim kryesor kryerjen në mënyrën sa më të plotë dhe adhurimin e Zotit të tij në të.
Grupi i pestë. Personi që ndodhet në namaz, si ata që përmendëm në grupin e katërt, porse krahas kësaj e ka vendosur zemrën e tij para Allahut të Madhëruar, duke e mbushur me dashurinë dhe madhërimin e Tij, sikur ta shikonte Atë. Përsa i përket cytjeve, te ky person nuk ekzistojnë sikurse nuk ekziston as edhe një lloj pengese ndërmjet tij dhe Zotit të tij. Gjendja në të cilën ndodhet ky në raport me të tjerët gjatë namazit, është më e mira si dhe më e madhe se hapësira që ekziston ndërmjet qiellit dhe Tokës. Ky në namazin e tij është i zënë vetëm me Allahun e Madhëruar.
Grupi i parë dënohet, i dyti do të merret në llogari, të tretit i falet, i katërti shpërblehet dhe i pesti ndodhet më afër Allahut.
E lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej robërve të Tij të shpëtuar, të na ruajë nga dënimi i Xhehenemit e të na falë ne, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët Ditën e dhënies së llogarisë.
Namazet ruajnë shëndetin, eliminojnë dëmin, të mbrojnë kundër sëmundjeve, gjallërojnë zemrën, e bëjnë fytyrën të shndritshme duke e veshur me një dritë të këndshme, qetësojnë dhe e edukojnë shpirtin, i bëjnë mirë trurit, eliminojnë përtacinë dhe dembelizmin, përtërijnë trupin dhe energjinë, rrisin mençurinë dhe zgjerojnë horizontin e njohurive. Namazet e pastrojnë zemrën, i zvogëlojnë shqetësimet që lidhen me fitimet për jetesë, i sjellin bekimet e Allahut në ato që ka fituar njeriu, e ndalin zemërimin e Allahut, e mbrojnë dëshirën e individit nga përpjekjet djallëzore sistematike për të devijuar besimtarët. Namazet e afrojnë individin te Zoti i Mëshirshëm. Ibn Kajim
Revista Zemzem