Pyetje: Një vëlla musliman ka pasur kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. A duhet ky njeri të prezentojë në namazet me xhemat dhe në namazin e xhumasë?
Përgjigje: Feja islame na ka urdhëruar, që t’i ruhemi sëmundjeve ngjitëse, prandaj mendojmë se nëse ky njeri ka pasur kontakt të afërt qoftë në kohë qoftë në distancë, pra duke u takuar e duke qëndruar afër me të bie fjala deri duke ngrënë e duke pirë bashkë ai duhet të bëjë testin për veten dhe familjen e tij fillimisht pastaj për të tjerët. Nëse kontaktet kanë qenë të afërta, aq sa dyshon se mund të jetë infektuar edhe vetë, atëherë ai nuk duhet të prezentojë për namazin e xhumasë apo namazet e tjera me xhemat në xhami pa masa mbrojtëse derisa të shikojë përfundimin e testit, ose në rastin e xhumasë mund të prezentojë duke përdorur maskë dhe mjetet e tjera, që parandalojnë përhapjen e virusit dhe të qëndrojë në fund të safeve ose në oborrin e xhamisë, pra duke mbajtur distancë, të falet me sexhade të tij personale dhe jo mbi hasrat apo sexhadet e xhamisë dhe pasi imami të japë selam të kthehet në shtëpi. Përndryshe nëse nuk ka siguri dhe mund të jetë shkaktar për përhapjen e virusit tek të tjerët ai nuk duhet të prezentojë në çdo vend publik pa bërë testin.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.