Ndikimi i aktit martesor në lidhje me pronësinë e bashkëshortëve

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Me emrin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Rezoluta nr. 227 (23/11)[1]·

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam, në sesionin e tij të 23-të, të zhvilluar në Medineh el-Muneureh, më 19–23 Ṣafar 1440 h. (28 tetor – 1 nëntor 2018), pasi mori në shqyrtim studimet e dorëzuara pranë Akademisë në lidhje me pasojën e aktit martesor mbi pronësinë e bashkëshortëve, pasi dëgjoi diskutimet e zgjeruara mbi këtë temë, vendosi:

Së pari: secili nga dy bashkëshortët posedon hisen e tij financiare të pavarur, ku secila palë gëzon të drejtën për të vepruar (lirshëm) në lidhje me atë që posedon në pronësi të tij/saj, duke përfshirë këtu të drejtën për shkëmbim dhe dhurim.[1]

Së dyti: pasuria e çdo bashkëshorti, që vjen qoftë nga akti i martesës ose jo, konsiderohet pronë personale e pronarit të saj dhe, pas vdekjes, do t’u kalojë trashëgimtarëve të tij/saj.[2]

Së treti: nuk ka asnjë ndalim sheriatik që nëse bashkëshortët bien dakord me njeri-tjetrin, ata mund t’i ndajnë pronat e tyre në bazë të pëlqimit dhe zgjedhjes personale, por nuk lejohet Sheriatikisht që ata të detyrohen ta bëjnë këtë përmes një marrëveshje imponuese.[3]

Së katërti: gruaja, nëse martesa e saj përfundon me divorc (talak),[4] ose shkurorëzim (tatlik),[5] ose khul’,[6] dhe kjo i ka shkaktuar dëme asaj, ajo ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkojë kompensim për humbjet që e kanë prekur. Ky (gjykim) është një aktivizim (aplikim) bashkëkohor i të drejtës së kompensimit (muta’h) për gruan e ndarë, që i është dhënë asaj nga Ligjvënësi i Urtë (Zoti).

Së pesti: bëjmë thirrje për krijimin e institucioneve qeveritare dhe joqeveritare që merren me përkujdesjen ndaj grave të ndara dhe plotësimin e nevojave të tyre.

Allahu i Lartësuar është i Gjithëdijshmi.

 

Burimi: https://iifa-aifi.org/en/resolutions

 

  • Shpjegimet sqaruese të mëposhtme janë të LHSH, për ta bërë më të qartë materialin.

[1] Pra se pasuria vetjake personale e secilit më vete, burrit dhe e gruas, është në zotërim të plotë të secilit dhe ai/ajo mund të bëjë me të çfarë të dojë, dhe asnjëri prej tyre nuk mund të marrë vendim për pasurinë personale të bashkëshortit tjetër.

[2] Pra çdo pasuri që secili e ka fituar më vete, si pronë të tij personale, qoftë kjo para ose pas martese, apo atë që gruaja e merr si dhuratë nga burri me rastin e martesës, këto ngelen prona personale të secilit bashkëshort, dhe si të tilla ato pas vdekjes së tyre u takojnë trashëgimtarëve të tyre legjitim.

[3] Burri dhe gruaja janë të lirë që pronat personale të tyre ose të përbashkëta t’i ndajnë mes tyre me dëshirë sipas dëshirës, nëse duan ta bëjnë këtë, duke i dhuruar pjesë nga hisja e tyre bashkëshortit/es ose jo, por jo përmes një aktmarrëveshje paraprake detyruese. Pra nëse burri ose gruaja ndahen dhe kanë një pronë të përbashkët, ajo ndahet mes tyre sipas hises që i takon secilit, në bazë të kontributit të secilit, por nëse vetëm burrit ose vetëm gruas i takon pronësia mbi një pronë personale të secilit, është e drejta e secilit ta përfshijë ose jo, nëse do, palën tjetër, pa u detyruar ta bëjnë këtë me një aktmarrëveshje paraprake që i imponon burrit ose gruas të japë pasurinë e tij personale palës tjetër.

[4] Talak, është rasti kur burri i jep ndarjen gruas.

[5] Tatlik, është rasti kur ndarja bëhet nga gjykata për shkak të problemeve mes bashkëshortëve.

[6] Khul, është rasti kur gruaja e kërkon ndarjen nga burri.