Ne nuk jemi terroristë, ne nuk jemi as charlie!
Justinian Topulli
Kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëvë të Shqipërisë
Duke parë këto ditë faqen zyrtare të gazetës apo revistës më të përfolur sot në botë, veç diçiturave dhe sloganeve që mbushnin faqen e saj në ngjyrë të zezë, të binte në sy vizatimi i një dore, e cila mbante të shtrënguar një laps të madh. Tipizimi i grushtit dhe mënyrës së kapjes së lapsit, me përmasa jo reale për të shkruar nga ajo dorë, të përçon mesazhin e qartë se lapsi është arma e tyre. Mënyra e pasqyrimit ishte tipike majtiste marksiste dhe të kujtonte parullat e PPSH-së, ku në njërën dorë mbahej edhe kazma edhe pushka.
Lapsi është një mjet shkrimi që mbahet me dy apo tre gishta, dhe përgjithësisht është shumë më elegant sesa mbajtësit e tij, ndërsa lapsi i gazetës në fjalë nuk ishte thjesht një laps, por një armë! Dhe arma vret! Lapsi që vret! Lapsi merr jetë njerëzish, ashtu si edhe pushka! Kjo nuk është aspak çudi, nëse në mendje na vjen ajo fjala e urtë shqiptare, se gjuha kocka s’ka, por kocka thyen.
Një armë e fjalës së lirë, do të thoshin në kor shumë njerëz!
Ndoshta ky është refreni më bajat dhe më i pavend që dëgjon këto ditë ngado. Një fjalë e lirë që nxit urrejtje, që fyen, ofendon, shan, përdhos, përçudnon, shpif, denigron dhe përbalt, atë që njerëzit kanë më të shenjtë se jeta e tyre. Kjo lloj fjale e lirë, për disa është më e shenjtë sesa shenjtorët më të mëdhenj të botës, më e shenjtë sesa vetë Zoti, më e shenjtë sesa çdo shenjtëri që mund të ekzistojë! Pra, as më shumë e as më pak, por një hyjni më vete! Një idhull që vret për të lartësuar kultin e tij dhe përdhosur të tjerët, madje në fund martirizon edhe veten, për t’u ngritur mbi çdo shenjtëri tjetër! Ky është kulti i dhunës, që përçon dhunën, edukon dhunën dhe e provokon atë dhe simboli i tij është lapsi, që rroket si armë.
Dikush që lexon këto fjalë, menjëherë ndoshta do të thotë se ti je pro vrasjeve dhe justifikon atë që ndodhi, me këto që thua! Në fakt, kjo është vetë logjika që përçojnë kultet e dhunës, nëse nuk je me ne, je kundra nesh, nëse nuk je me të vrarin, atëherë je me vrasësin! Jo, ne nuk jemi as me vrasësin dhe as me të vrarin. Refuzojmë të bëhemi përkrah njërit apo tjetrit, sepse bota nuk është bardhë e zi, dhe se jeta ka edhe të tjera ngjyra. Ne nuk jemi terroristë, ne nuk jemi as charlie!