Ngjarjet dramatike të nëntorit 1990 në syrin e protagonistëve

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Dëshmi nga e kaluara

Ngjarjet e nëntorit 1990 nuk do të harrohen lehtë nga protagonistët e atyre ditëve dhe do ta përshkojnë historinë e Shqipërisë si një fill i artë. Dashuria për Zotin dhe fenë i vjen natyrshëm njerëzve dhe këtë e dëshmojnë edhe dy qytetarë shkodranë protagonistë të atyre ditëve të vështira, kur policia e shtetit monist dhe sigurimi famëkeq enverist i terrorizonte njerëzit për t’i mbajtur sa më larg proceseve demokratike. Në fillim kanë qenë tre persona e më pas pak nga pak janë shtuar për t’u marrë me organizimin e hapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Ibrahim Bilali dhe Gani Kryeziu kanë qenë së bashku me grupin i cili u përpoq për organizimin e rihapjes së xhamisë së Plumbit në Shkodër. Ky grup fillimisht ka qenë i përbërë prej tre vetash Abdyl Sallku, Mevahid Tresi, dhe Agron Dibra. Familja Myftia aty pranë Xhamisë së Plumbit ka qenë përkrahsja kryesore ato ditë të vështira, kur policia dhe sigurimi i shtetit bënin presion në të gjithë Shkodrën të mos dilnin në atë xhuma të para 28 viteve. Disa emra të tjerë në këtë grup janë edhe Ferid Lluja, ing. Vehbi Gruda, Faik Zaganjori, Qamil Nikshiqi, Mit’hat Esat Myftia, Rasim Halim Sokoli, Abdyl Ismet Sallku, Mevahid Qamil Tresi, Surri Muhamet Rexhepi, Artur Shpëtim Komi, Besnik Rasim Sokoli, Elmaz Rexhep Pateriku, Qamil Muho Nikshiqi, Faik Arif Zaganjori etj. Një ditë para hapjes drejtori i policisë së kohës Dilaver Papara i ka kërkuar garanci grupit organizator për “mbarëvajtjen e punëve”, po ashtu edhe oficerë të tjerë të policisë iu kanë bërë presione të ndryshme për ta lënë këtë punë. Dikush nga oficerët e policisë i ka pyetur: Po sikur mos të vijë hoxha, çfarë do të bëni ju?- Unë do të bëhem hoxhë,- i është përgjigjur Ibrahim Bilali. Drejtori i policisë Dilaver Papara i ka bëritur oficerit të vet: A nuk e sheh se kanë vendosur ta bëjnë?- Vendosmëria e këtyre njerëzve ka qenë e madhe, deri edhe të hynin në burg. Po ashtu edhe terrori e presioni ka qenë maksimal për t’i ndaluar, Gani Kryeziu dhe Ibrahim Bilali nuk gjejnë dot fjalë për t’i përshkruar ato ndjenja. Të dy na tregojnë me shumë respekt përkrahjen e dhënë nga familja Myftia në ato ditë të vështira. Ibrahimi tregon se megjithëse djemtë e familjes Myftia ishin të sapomartuar e me nuse të reja në shtëpi e motra, ata na i hapën dyert e na kanë dhënë edhe bukë. Aty ka qëndruar pastaj edhe hafiz Sabri Koçi, deri në kohën kur ka filluar ceremonia e rihapjes së Xhamisë së Plumbit i shoqëruar nga grupi nismëtar.
Gani Kryeziu tregon, se kanë punuar shumë që atë ditë të afrohej populli i Shkodrës. Ai tregon gjithashtu se si drejtori i ndërmarrjes ku ai punonte si punëtor kishte marrë urdhër ta pushonte nga puna Ndërmarrja e Mekanikës Bujqësore. Nevojat për rregullimin e xhamisë ishin nga më të ndryshmet, porse pushteti mundohej me të gjitha mënyrat me na ndalu. Dikujt që solli një makinë zhavorr i hoqën patentën. Familjet e lagjes na kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme deri edhe na kanë mbajtë me bukë. Ai tregon, se si “me kokë në torbë” kanë lëvizur ato ditë në Shkodër, ku i janë gjendur edhe komunitetit katolik duke dhënë ndihmesën e tyre. Po ashtu edhe katolikët i kanë ndihmuar më pas me punimet e ndryshme në xhaminë e Plumbit. Pjesëmarrja e madhe në numër do të ishte suksesi i asaj dite, porse gjithashtu edhe do të na mbronte më pas nga përndjekjet e policisë dhe sigurimit,- pohon ai. Ai kujton se atë ditë ishin angazhuar shumë njerëz për të mbajtur rregullin aty, ku ndër to kanë qenë Sait Fishta dhe Esat Ademi.


Ibrahim Bilali tregon se duke rregulluar xhaminë vjen dikush dhe thotë që po vjen policia. Aty ishte edhe Faik Zaganjori burrë i vjetër. Ne i thamë pjesës më të madhe të njerëzve të largohen që të mos kenë probleme me policinë, kurse Faiku nuk pranoi të largohej. Ai ju kishte thënë: -Edhe unë do të rrij këtu e të vdes bashkë me ju. Gjithashtu Ibrahimi kujton se gjatë përgatitjeve për rihapjen e xhamisë ata e kishin falur një xhuma përpara datës 16 nëntor, ku iu kishte pri si imam Faik Zaganjori. Ai gjithashtu tregon se si gratë që punonin në Ndërmarrjene Xunkthit e kanë shpërthyer derën e ndërmarrjes për të shkuar tek Xhamia e Plumbit, një ndërmarrje e cila kishte 3,000 gra të punësuara. Gjatë ditëve që po përgatisnim xhaminë tregon ai na kanë ardhë lloj lloj njerëzish që na kontrollonin dhe më kujtohet se kanë ardh nga Monumentet e Kulturës dhe nuk donin të na linin, por ne e shpërthyem drynin dhe vazhduam punën. I plotfuqishmi i zonës kërkoi “të na ndihmonte” duke e ruajtur gjoja objektin, por ne i thamë që ti na ndihmon duke mos u duk këtu. Kemi pas një organizim shumë të mirë, ku në krye të punës ka qenë Abdyl Sallku.

Kur i pyetëm të dy Ibrahimin dhe Ganiun: Pse u zgjodh pikërisht Xhamia e Plumbit?- ata u përgjigjën, se xhamitë e tjera kanë qenë të zëna, kanë qenë Xhamia e Kirasit dhe Tophanës, por ishin bërë magazina dhe nuk ishte e mundshme, e ua kishin prish minaret.
Ibrahimi shton, se Xhamia e Plumbit ishte në periferi dhe nuk kishin justifikim për të mos na e dhënë. Xhamia e Plumbit ka qenë monument kulture dhe kishte pamjen e një xhamie.

Ibrahim Bilali për shkak se ka qenë aktiv në proceset e demokratizimit është dekoruar me medaljet e larta Pishtar i Demokracisë, Medalje për Trimëri dhe Shqiponja e Artë. Një nga aktivistët kryesorë në rihapjen e Xhamisë së Plumbit dhe në ndihmë të ringritjes së institucioneve fetare në Shkodër. Ka qenë vazhdimisht aktiv me problemet e Bashkësisë Muslimane.


Gani Kryeziu vjen nga një familje me tradita patriotike me origjinë nga Peja, e persekutuar gjatë regjimit komunist dhe me kontribute gjatë zhvillimeve demokratike. Djali i xhaxhait të tij Nazmi Kryeziu do të vritej pak muaj më pas rihapjes së Xhamisë Plumbit në ngjarjet dramatike të 2 prillit 1991.
Intervistoi: R. A. HYSA