Një lexim vertikal i ngjarjeve në vendet arabe
Nga hoxhë Justinian Topulli
Çdo shoqëri njerëzore dhe çdo komb e ndërton jetën e tij mbi vlera të caktuara, të cilat nga ana e tyre përcaktojnë mënyrën e jetës, kufizimet dhe botëkuptimin e kësaj shoqërie për jetën. Burimi kryesor, që i ka imponuar vlera shoqërisë arabe por jo vetëm- më shumë se çdo burim tjetër, për katërmbëdhjetë shekuj ka qenë dhe mbetet feja islame. Kjo fe u ka dhënë arabëve vlera, me të cilat ata janë përshtatur mjaft mirë dhe me kalimin e kohës ato nuk kanë krijuar konflikte që prishin ekuilibrin psikik, emocional, fizik, material dhe shpirtëror të këtyre shoqërive, ndaj dhe vlerat e kësaj feje vazhdojnë të jetojnë fuqishëm mes këtyre popujve. Njerëzit e këtyre shoqërive kanë jetuar për shumë kohë në paqe me vetveten dhe shoqërinë e tyre, natyrisht për aq kohë sa nuk ka pasur devijime çekuilibruese të këtyre vlerave nga jashtë apo nga brenda shoqërisë. Diçka krejt e ndryshme ka ndodhur p.sh. me shoqërinë perëndimore, besimet dhe feja që ka sunduar në këtë pjesë të botës, vlerat që ato kanë formuar dhe shtresëzuar për shekuj me radhë kanë krijuar me kalimin e kohës një rend të paekuilibruar psikik, emocional, fizik, material dhe shpirtëror, ndaj qe më se normale që kjo shoqëri të kërkonte shtigje dhe hapësira të reja për të plotësuar nevojat e privuara nga ky rend sundues shoqëror. Por, rendi shoqëror që ruante këto “vlera-privime”, për të ruajtur vazhdimësinë e tij tentoi që me mjetet e tij në dispozicion të mbante nën kontroll gati absolut mbi individët e kësaj shoqërie dhe për këtë ai shkoi drejt shtypjes së dhunshme të individëve, të cilët nga ana e tyre radikalizuan reagimin gjithmonë e më shumë në kohë. Rebelimi ndaj këtij rendi shoqëror dhe vlerave të tij u bë një nga opsionet më të preferuara të shoqërisë perëndimore, ndërkohë ky rebelim nga ana e tij si proces krijoi çarje, të cilat me kalimin e kohës dolën jashtë kontrollit, ato u zmadhuan aq shumë sa përmbysën gjithë rendin e mëparshëm, duke krijuar një rend të ri, i cili ruan shumë pak vlera nga ai i mëparshmi. Çdo rend i ri shoqëror që krijohet ka idealet dhe besimet e tij, të cilat i shndërron në vlera, që kërkon më pas t’i ruajë për të ruajtur vazhdimësinë e tij. Rendet që përmbysen dhe zëvendësojnë njëra-tjetrën sa herë që ndjehen të rrezikuar gjithmonë tentojnë ta ruajnë vetveten duke shtrirë sa të mundin kontrollin mbi individin, kështu që shpesh liria e individit, e ngritur në vlerë dhe e përdorur si armë për të përmbysur rendin e vjetër nga rendi i ri, bëhet e rrezikshme për vetë rendin e ri, ndaj dhe merr gjithmonë ngjyrime të veçanta në çdo rend dhe në përputhje me vlerat e tij. Pra kurrë nuk ka ekzistuar dhe s’ka për të ekzistuar shoqëri me një liri absolute, ku individi të jetë plotësisht i lirë në jetën e tij, pa kufizimet që vendosin vlerat e rendit sundues, në të kundërt nuk do të kishte më një shoqëri njerëzore, por një kaos i vërtetë. Kështu pra një rend i mirë dhe i qëndrueshëm shoqëror, nuk është ai që ka më shumë aftësi dhe mjete të shtrijë kontrollin e tij mbi individin dhe nëpërmjet tij mbi mbarë shoqërinë, por ai që krijon dhe mbart vlera, të cilat ruajnë harmoninë dhe ekuilibrin e njeriut me vetveten, natyrën dhe shoqërinë e tij. Një rend i tillë kurrë nuk do të “zbulohet” apo “arrihet” nga “evolucionet e mutacioneve sociale”, apo më saktësisht nga rebelimet e pakontrolluara ëndërrimtare, ai mund vetëm të dhurohet, sigurisht nga Ai që krijoi njeriun. Çështja pra shtrohet te zgjedhja që shoqëritë njerëzore bëjnë dhe jo te zgjidhjet që provojnë. Kjo është liria e vërtetë. Intelektualët e botës perëndimore -në përgjithësi- mendojnë se, vlerat si shekullarizmi dhe demokracia liberale që lidhet me të, janë vlera të cilat edhe pse lindën dhe u zhvilluan në perëndim në situata dhe kushte të caktuara si periudha e iluminizmit dhe industrializimit evropian, ato duhet jenë universale për mbarë botën. Ky vetëbesim për universalizmin e këtyre vlerave -i kthyer gati në një fe të re- i ka shtyrë perëndimorët të mos kuptojnë siç duhet botën arabe dhe atë islame, në veçanti dallimet thelbësore kulturore dhe sociale që i ndajnë këto botë, dhe mbi gjithçka dallimet mes vlerave që ka gjeneruar secila fe në të dyja këto shoqëri. Vetëbesimi në universalizmin e vlerave dhe nganjëherë edhe moskuptimi i tjetrit i shtynë njerëzit në luftë dhe konflikt të pandërprerë me të tjerët. Ky konflikt sot më shumë se i armatosur ka marrë përmasën e një beteje ideologjike në vendet arabe mes një pakice që aspiron të ndjekë perëndimin gati në çdo gjë dhe një shumice që kërkon kthim tek vlerat e vjetra fetare. Ajo çka e pështjellon më shumë qartësinë e këtij konflikti, është pjesa e pakët laike e këtyre shoqërive, të cilët nuk i përkasin elitave sunduese laike të korruptuara që po përmbysen, por që i janë bashkëngjitur shumicës fetare si aleat në përmbysjen e regjimeve autoritariste të korruptuara arabe. Kjo aleancë e brishtë interesash tranzitore duket se është shfrytëzuar mirë nga jashtë, sidomos nga ata që mendojnë se një konflikt i brendshëm i tejzgjatur në këto vende do të shmangë konfliktet e armatosura të motivuara fetarisht si dhe krijon premisat për ardhjen në pushtet të diktaturave të reja ose të dikurshme, që garantonin dje një paqe relative në rajon. Arsyeja pse bota dhe në veçanti ajo perëndimore akoma nuk po mban një qëndrim të qartë dënues ndaj puçit ushtarak në Egjipt dhe nuk po ndërhyn në konfliktin e përgjakshëm sirian, është ndër të tjera edhe fakti se ajo e kupton mjaft mirë situatën aktuale të pranverës së dyzuar arabe, në një anë, dhe luftës së ish regjimeve ushtarake për të ruajtur pushtetin me çdo mënyrë, në anën tjetër. Por qëndrimi dyzuar perëndimor, mes vlerave të tij demokratike, interesave afatgjatë në këtë zonë dhe frikës së një konflikti të armatosur në shkallë të gjerë në rajon, e ka pështjelluar edhe më shumë situatën në këto vende. Nuk ka gjasa se gjendja do të stabilizohet shpejt dhe nëse ajo stabilizohet nuk dihet se çfarë kahu ajo do të marrë. Në një situatë të tillë të paqartë politike duket se ngjarjet kanë mundësi të rrjedhin drejt një të panjohure, që gjithsesi nuk do të dal jashtë rrethit të parashikimeve të të gjitha palëve. Lusim Zotin të bëjë më të mirën!
Deshekullarizimi i botës
Mjaft studies laikë të sotëm, habiten me rigjallërimin global të fesë në mesin e njerëzve, pasi iu ishte ngulitur në kokë më parë nga teoricienë të ndryshëm, se racionalizimi dhe modernizimi i jetës, me kalimin e kohës do të shpinte pashmangshëm në zhdukjen apo venitjen e religjionit. Për këtë arsye, kjo temë është bërë një temë studimi mjaft interesante për ta. Në fakt, siç shkruan edhe një sociolog bashkëkohor, laicizmi si fenomen, është shumë më i habitshëm dhe interesant për tu studiuar, sesa religjioni, kjo, sepse religjioni dhe besimi fetar kanë qenë gjithmonë aty, për mijëra vjet shoqërues të njeriut, që nga kohët që s’mbahen mend, ndërsa laicizmi me këtë pamje dhe dimension që ka sot, është relativisht i ri dhe i habitshëm, ndaj dhe një temë shumë më interesante për tu studiuar, sesa vazhdimësia e fesë në shoqëritë njerëzore. Laicizimi i shoqërisë nuk është gjë tjetër vetëm se një nga përpjekjet e njerëzve “për t’u çliruar” nga kufizimet fetare dhe morale të shoqërisë, “për të fituar pavarësinë” nga Zoti, pra për të mëkatuar. Që njerëzit të fitojnë këtë “siguri” për të ngritur krye ndaj fesë dhe vlerave të trashëguara morale të shoqërisë, u duhet një burim force, që t’i bind ata se, “rebelimi” i tyre është i pacenueshëm. Këtë siguri të brishtë historikisht ua ka ofruar pasuria dhe pushteti; Zoti thotë në Kuran: “Por vërtetë njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” (El-Alak, 6-7)
Me fillimin e erës së industrializmit dhe zhvillimit teknologjik, me rritjen e mirëqenies dhe përfitimeve të tjera materiale, njerëzit fituan një burim të ri sigurie, në dukje shumë më të fortë, për tu ndjerë të vetëmjaftueshëm, ndaj për këtë arsye mes njerëzve të epokës së industrializmit dhe shkencës gjen më shumë mohues të fesë se dikur. Por, iluzioni i rremë “i vetëmjaftueshmërisë” që krijoi zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, për një pjesë të madhe të njerëzimit, duket se është zbehur tej mase në dhjetëvjeçarët e fundit, kjo sepse ajo e cila supozohej ti krijonte njeriut siguri më të madhe është bërë burimi i pasigurisë më të madhe për të, kështu që ajeti i mëpasshëm i sures El-Alak “Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” (El-Alak, 8) shpjegon mjaft qartë një nga arsyet pse shumë njerëz i kthehen sot fesë kudo në botë.