Hoxhë. Mustafa Terniqi
Shkollat sot hapin dyert për nxënësit në të gjithë vendin. Përgjegjësia është shumë e madhe, sepse shkolla nuk duhet të shërbejë për të dhënë informacion dhe nxënësit në fund të pajisen me deftesa. Shkolla duhet të funksionojë që nxënësit të mësojnë dituri, të edukohen, të formohen mirë, të pajisen me vlera dhe virtyte, të kuptojnë realitetin e jetës dhe të kuptojnë çfarë do të thotë të jesh vërtet njeri. Kështu ata ndërgjegjësohen për të qenë të dobishëm për veten, familjen, shoqërinë, dhe për rrjedhojë për vetë vendin ku jetojnë.
Për të realizuar të gjithë këtë kërkohet që mësuesit të punojnë me sinqeritet, të shpjegojnë, qartësojnë dhe edukojnë duke u sjellur si një prind i dytë për nxënësit, pra duke e konsideruar punën e tyre arsimore mision dhe jo thjesht një punë si të tjerat.
Nga ana tjetër familja duhet të jetë baza edhe suporti kryesor për ndërgjegjësimin e fëmijës. Mësuesi më i sinqertë nuk mund t’ia dojë të mirën fëmijës më shumë se vetë prindërit. Andaj nuk kërkohet thjesht një përkujdesje që vjen natyrshëm si dëshirë e çdo prindi, por duhet një investim i vërtetë duke bashkpunuar gjerë në të gjitha etapat e formimit me vetë fëmijët dhe me stafin arsimor.
Për fat të keq sot shumica e nxënësve e shikojnë shkollën si vendin ku mund të kalojnë kohën, ku mund të argëtohen apo ndoshta dhe ku mund të mësojnë nga njëri tjetri veset negative. Fajin për këtë nuk e ka gjithmonë shoqëria e keqe, por fillimisht neglizhenca, moskokëçarja, injoranca, mungesa e menaxhimit të duhur apo mosbashkpunimi i mirë prind-mësues, prind-fëmijë dhe mësues-nxënës.
Nëse duam të kemi të ardhme më të mirë ajo fillon nga edukimi i duhur brenda familjes dhe nga bangat e shkollës jashtë familjes.