Përgjigje në lidhje me çështjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë
Një grup besimtarësh muslimanë i janë drejtuar Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë me këto pyetje në lidhje me Kompleksin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë:
Pyetje:
Cilat janë rregullat dhe kriteret e shpronësimit të pronës së patundshme për qëllime publike sipas jurisprudencës islame?
Përgjigje:
Së pari, këtu duhet të sqarojmë se shpronësimi në terminologjinë juridike islame futet tek ato transaksione që njihen ndryshe edhe si transaksione të imponuara me të drejtë[1]. Pra në këtë rast shteti, si autoriteti më i lartë ekzekutiv ligjor në një vend të caktuar, vendos që për arsye publike dhe për interes të përgjithshëm t’i marrë pronën e patundshme një pronari të ligjshëm, kundër dëshirës së tij, duke e kompensuar atë me vlerën reale të asaj prone. Për ndryshe, nëse ka dakordësi dhe marrëveshje mes palëve, kemi të bëjmë me një transaksion normal të lirë shkëmbimi dhe jo me shpronësim.
Së dyti, shembuj nga historia islame të praktikës së shpronësimit janë të shumtë, duke nisur që nga praktika e Umer ibn Hatabit, në shpronësimin e pronarëve të shtëpive që gjendeshin pranë Xhamisë së Qabes dhe Xhamisë së Profetit, për të zgjeruar këto dy xhami, dhe pagesa e imponuar që ai u bëri atyre, edhe pse disa prej tyre refuzuan t’i shisnin apo dhuronin ato në interes të zgjerimit të xhamive në fjalë, si dhe raste të ngjashme që kanë ndodhur në periudhën e Uthman ibn Afanit e më pas,[2] e deri në ditët e sotme. Kjo është një normë e pranuar gati me konsensus mes juristëve islamë, të djeshëm dhe të sotëm.[3]
Së treti, rregullat juridike islame për shpronësimin e një prone të patundshme i kemi bërë të qarta në publikimin e datës 13 Tetor 2014, në fetvanë e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, ku në të thuhet:
- Shpronësimi i pronës së patundshme duhet të shoqërohet me kompensim të menjëhershëm. Ky kompensim duhet të jetë i drejtë dhe i përcaktuar nga specialistët, dhe jo më pak sesa vlera reale e një prone të tillë.
- Shpronësimi duhet të bëhet nga shteti ose organi i deleguar prej tij për këtë çështje.
- Shpronësimi duhet të bëhet për interesa publike, për të cilat ka domosdoshmëri ose nevojë publike që shihen si domosdoshmëri, siç janë xhamitë, rrugët dhe urat, etj.
- Prona e shpronësuar nga pronari i saj privat, nuk duhet të shkojë për investime fitimprurëse me interes publik apo individual, si dhe nuk duhet të merret para kohës së nevojshme.
Pyetje:
A janë zbatuar apo jo këto rregulla dhe kritere në rastin e shpronësimit të truallit për ndërtimin e Kompleksit të Xhamisë së Namazgjasë?
Përgjigje:
Në rastin konkret, për aq sa jemi në dijeni, nga ajo që është bërë publike në media dhe nga pronarët e tokës kufitare me namazgjanë, është se palët (në këtë rast KMSH, pronarët e tokës dhe shteti) fillimisht kanë pasur një marrëveshje të miratuar, ku pronarëve të tokës kufitare, do tu jepej në shkëmbim të pjesës së tokës së dhënë prej tyre, një leje ndërtimi zhvillimore për pronën që ata kishin, më pas kjo leje u anulua nga qeveria e re, kështu që palët, në kushtet e krijuara, nuk arritën një marrëveshje të re mes tyre. Në këto kushte pronarët e tokës kanë hedhur në gjyq vendimin e qeverisë duke mbrojtur në gjykatë marrëveshjen e parë, ndërsa nga ana e saj qeveria ka përdorur ligjin e shpronësimit për interes publik në dobi të ngritjes së një muzeu, nga i cili përfiton edhe kompleksi i namazgjasë, ndërkohë pronarët janë përfshirë në skemën e të shpronësuarve për interes publik, me një vlerë, e cila refuzohet prej tyre si jo e drejtë.
Në këto kushte çështja ka një problem të pazgjidhur:
Toka në fjalë përmban një konflikt gjyqësor, në mes qeverisë nga njëra anë dhe pronarëve të tokës, në anën tjetër, për mënyrën dhe vlerën e kompensimit të pronës së tyre.
Kështu që në të tilla kushte, ne e kemi të vështirë, të japim një përgjigje të detajuar përfundimtare për këtë pikë, sepse ajo kërkon zgjidhje nëpërmjet gjykimit mes palëve dhe jo fetva.
Parimisht mund të themi vetëm se, nëse rezulton se toka në fjalë nuk është kompensuar me vlerën reale, siç pretendojnë pronarët, dhe kompleksi në fjalë prek një pjesë të kësaj toke, atëherë çështja çalon në kriterin e parë, të përmendur më lart, për vlerën e kompensimit të drejtë.
Pyetje:
Nëse këto rregulla dhe kritere nuk janë zbatuar në rastin në fjalë, a e cenon ky fakt vlefshmërinë e shfrytëzimit të truallit të shpronësuar për ndërtimin e Kompleksit të Xhamisë së Namazgjasë?
Përgjigje:
Kjo pyetje ka lidhje me përgjigjen e pyetjes më sipër. Por, parimisht mund të themi se, nëse kompensimi rezulton se është i padrejtë, pra më pak se vlera e tij reale, atëherë po, kjo e cenon vetëm vlefshmërinë e shfrytëzimit të asaj pjese të truallit të pronarëve që preket nga Kompleksi i Xhamisë së Namazgjasë, dhe jo pjesën tjetër. Ndërkohë që gjendemi në një situatë kur çdo gjë është bërë fakt i kryer dhe përgjigja do të kishte vlerë, nëse do të jepej para ndërtimit, dhe nga ata që janë përgjegjësit kryesor për këtë gjë, dhe do të reflektohej në terren.
Pyetje:
A është e lejuar kryerja e namazit dhe veprimtarive të tjera në Kompleksin e Xhamisë së Namazgjasë?
Përgjigje:
Lejimi i faljes së namazit dhe i aktiviteteve të tjera në këtë kompleks varet nga statusi fetar i kësaj toke. Ndërtimi mbi pjesën e namazgjasë, pra mbi atë pjesë toke për të cilën pronari i saj i vetëm është KMSH, është hallall dhe mbi të lejohet namazi dhe çdo veprimtari tjetër e lejuar islame, ndërsa për pjesën tjetër për të cilën ka një pretendim padrejtësie në vlerën e kompensimit, nga ana e pronarëve fqinj, nuk japim dot një përgjigje të prerë, për aq kohë sa kjo çështje nuk është mbyllur mes palëve.
Parimisht vetëm mund të themi se, nëse rezulton se një pjesë e një xhamie (pjesa më e vogël) është ndërtuar mbi një tokë që nuk është kompensuar me një vlerë të drejtë, kjo nuk e bën pjesën tjetër (më të madhe) të kësaj xhamie të përfshihet nga i njëjti gjykim fetar, ndërkohë që gjykimi për të tërën, në raste të tilla, mbështetet mbi shumicën truallit[4] dhe statusit fetar që ai gëzon në rastin konkret. Kështu që për sa i përket namazit në një xhami të tillë, ai namaz është i saktë dhe i vlefshëm dhe xhamia në tërësinë e saj gjykohet si e tillë. Por, këtu ngelet të dihet vetëm se sa është pjesa e pronarëve që është zënë nga ky ndërtim dhe cila është ajo, dhe vetëm mbi këtë pjesë mund të thuhet se lejohet apo jo namazi si dhe shfrytëzimi për aktivitete të tjera.
Pyetje:
A ngarkohen apo jo me mëkat besimtarët që falin namazin në këtë Kompleks, dhe a rrezikon të konsiderohet i pavlefshëm namazi i tyre?
Përgjigje:
Përgjigja e kësaj pyetje ka lidhje me përgjigjet e mësipërme. Por, në parim mund të themi se, për çështjen e vlefshmërisë së namazit në rastin e një toke të grabitur me pa të drejtë (erdun magsubeh), mendimi më i saktë dhe i shumicës së dijetarëve është se namazi në të është i saktë, për shkak se saktësia e namazit nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë vlefshmërie me statusin juridik fetar të tokës, sepse nuk prek as kushtet dhe as shtyllat e tij,[5] edhe pse personi që e ka grabitur apo ai që e di, ngarkohet me gjynah.[6] Kjo ka të bëjë me rastet kur toka ku falet namazi është e grabitur (magsubeh), ndërsa në rastin kur kemi të bëjmë me një shpronësim, për të cilin ka kontestime për vlerën e tij dhe jo me një gasb (grabitje pa asnjë dëmshpërblim) dhe prek vetëm një pjesë të vogël të xhamisë, çështja këtu ndryshon.[7]
Për ta përfunduar, këtu vlen të shtojmë se konflikti në fjalë, duke ditur ndjeshmërinë fetare dhe komunitare që ai ka, si dhe nisur nga argumentet fetare që ndalojnë padrejtësinë në pronën e tjetrit siç është thënia e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Kush bën padrejtësi një pëllëmbë tokë, do ta mbart atë në qafë nga shtatë toka (ditën e kiametit).”[8]. Kështu që është e domosdoshme që çështja të zgjidhet në mirëkuptim mes palëve. Ndërkohë urojmë që pronarët e tokës, që ndjehen të dhunuar dhe se u është hyrë në hak me kompensimin e ofruar, të marrin të drejtën e tyre dhe çështja të zgjidhet me drejtësi, për aq sa kjo është e mundur në realitetin ku ne jetojmë, të cilin jemi të ndërgjegjshëm se ka shumë probleme dhe padrejtësi nga të cilat vuan mbarë shoqëria jonë. Nëse në përfundim të proceseve gjyqësore pronarët në fjalë nuk marrin nga shteti të drejtën që u takon, atëherë ata kanë të drejtën e tyre morale që të kërkojnë nga institucioni përfitues, plotësimin e kompensimit për atë pjesë toke, që preket nga kompleksi i namazgjasë.
Lusim Allahun e Madhërishëm për mirëkuptim dhe interpretim dashamirës. Për opinionin e mësipërm janë marrë konsulta juridike islame edhe me juristë islam nga jashtë vendit.
Vetëm Allahut i takon dija dhe gjykimi absolut.
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH
[1] Këto transaksione njihen në gjuhën e sheriatit me këto terma: العقود القهرية.(Aktmarrëveshjet e detyruara) الإكراه بحق (Detyrim me të drejtë) – الإكراه الجائز (Detyrim i lejuar) – الجبر الحلال (Imponim sheriatik) الجبر الشرعي. shih për këtë Mexheletu el-Mexhma el-Fikh el-Islami (Buletini i Akademisë së Fikhut Islam), viti 1988, sesioni 4, nr. 4, Vol 2, fq. 900.
[2] Shih referencën e mësipërme fq. 908-910, 1079-1082.
[3] Po aty, fq. 910-911.
[4] Ky rregull njihet në fikhun islam me disa terma si: الأكثر يقوم مقام الكل (Shumica zë vendin e të tërës) “.: “الأكثر ينزل منزلة الكمال (Shumica vendoset në pozitën e të plotës) “.”للأكثر حكم الكمال أو حكم الكل (shumica merr gjykimin e të plotës ose të tërës) “,(pakica ndjek shumicën) “الأقل يتبع الأكثر “..etj. Shih për zbatimin dhe argumentet e këtij rregulli: El-muesuatu el-Kauadi el-Fikhije, me autor Muhamed Sidki el-Gazi, vol.2, fq.254, vol. 8, fq.1073, Botim 2003, Bejrut. El-Kauaid ue ed-Deuabit el-fikhije mu’temidine litejsir, me autor Abdurrahman ibn Salih Abdulatif vol. 1, fq. 437-445, Botim 2003, Universiteti Islamik i Medinës. El-Kauaid el-Fikhije ue tatbikatuha fil medhahibil erbea, të autorit Muhamed Mustafa ez-Zuhejli, vol. 1, fq. 325, 601. El-Kauaid el-fikhije el-Kubra ue etheruha fil muamelat el-malije, me autor Dr. Umer Abdullah Kamil, fq. 141, dizertacion doktorature në Universitetin e Azharit.
[5] Të këtij mendimi janë Hanefitë (el-Mebsut, e el-Serkhasi 2/88, Hashijetu Ibn Abidin 2/456), Malikitë (Nefais el-Usul 4/168( Shafiitë (el-Ihkam lil-Amidi 1/59) dhe një transmetim nga imam Ahmedi (el-Insaf 1/491), madje disa dijetarë pretendojnë se për këtë opinion ka ixhma (konsensus) shih për këtë El-Burhan i el-Xhuejnit 1/202, Kauatial el-Edileh, të es-Semanit 1/244-245, Nefais el-Usul fil-Sherhil mahsul, të el-Karafit 4/168, El-Mustesfa e el-Gazalit 1/78-79. Ndërkohë sipas Hanbelive ky namaz nuk është i saktë nëse falet me dije, shih el-Munteha 1/183, el-Ikna 1/148.
[6] Shih Nefais el-Usul fil-Sherhil mahsul, të el-Karafit 4/1677, el-Mexhmua Sherh el-Muhedheb, të Neveviut 3/169. Talikat Ibn Uthejmin alel Kafi li Ibn Kudama 2/213.
[7] Shejh Salih ibn Uthejmini, me rastin e një xhamie të ndërtuar në një fshat, mbi një tokë të marrë në mënyrë të padrejtë dhe pa asnjë kompensim, ishte i mendimit se përderisa xhamia ishte ndërtuar me vendim të shtetit, namazi në të nuk kishte problem të falej, edhe pse më parësore ishte të shmangej, ndërkohë situata duhej të zgjidhej patjetër duke u kompensuar me vlerën e tokës pronari i saj. (Shih: https://www.youtube.com/watch?v=4X5rLfUJpXg) Ndërsa në një fetva të dijetarëve të Libisë, për një xhami të ngritur mbi një tokë, e cila nuk ishte dhuruar e gjitha për xhami, ata përgjigjen se ndalohet falja e namazit në atë pjesë të xhamisë, dhe pronarët e saj kanë të drejtë të zgjedhin në mes prishjes, marrjes së vlerës ose edhe ta falin atë pjesë për muslimanët, nëse dëshirojnë. Dhe i takon ministrisë së Vakëve të merret me shqyrtimin e çështjes. (Shih: https://www.ifta.ly/web/index.php/2013-04-06-01-28-38/3112-2016-01-13-22-02-08) Fetvja nr. 2757, datë 11/01/2016.)
[8] Buhariu nr. 2453, Muslimi nr.1612.