Personat me skizofreni, a gjykohen për ato që veprojnë?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Personat që janë të sëmurë me skizofreni, gjykojnë sipas asaj që ju paraqitet. Për shembull mendojnë se dikush i ndjek dhe se një person i ka bërë magji. Në të vërtetë asnjëra nuk është e saktë, por ashtu i duket. A marrin gjynah për akuzat që bëjnë kur janë në këtë gjendje?

Përgjigje: Skizofrenia është një sëmundje e shëndetit mendor, e cila shfaqet në forma të ndryshme, duke filluar nga çrregullimi i jetesës, çrregullimet emocionale, distancimi social, veprime jo normale, e deri te iliuzionet, që përfshijnë besimet e gabuara apo njohjen e gabuar të realitetit të brendshëm ose të jashtën, të cilat zakonisht janë të pakorigjueshme, e më pas mund të kalojnë në shkallën e haluçinacioneve ku të sëmurit i duket sikur dëgjon zëra, ose i shfaqen figura të cilat nuk janë reale, nuk ekzistojnë ose së paku janë ta pakuptueshme për njerëzit e tjerë përreth tij. Më e keqja është kur i sëmuri u bindet zërave që dëgjon dhe mund ta shtyjnë të bëjë veprime të rrezikshme, ndoshta deri në vetvrasje.

Fetarisht, pa marrë parasysh se faktorët janë të panjohur ose mund të jetë shkak nga pushtimi i xhindit që le pasoja të tilla te njeriu, ai gjykohet në varësi të mendjes dhe arsyes. Çdo fjalë, çdo veprim i tij nëse bëhet në kushte ose rrethana kur ai nuk është i vetëdijshëm atëherë nuk është më përgjegjës, sepse nuk është më mukel-lef (i ngarkuar fetarisht). Për këtë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Për tre persona lapsi është ngritur (nuk shënon), për njeriun në gjumë derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të arrijë pubertetin dhe për të marrin derisa të arsyetojë. (Transmetuan Ebu Davudi nr 4403 dhe Tirmidhiu nr 1403.)

E nëse veprimet e tij kryen kur ai është i arsyeshëm për to, atëherë ai është përgjegjës. E gjithë kjo varet nga fazat dhe shkalla e sëmundjes.

Gjithashtu duhet të kuptojmë që kjo është një sprovë e cila duhet menaxhuar siç duhet, qoftë në aspektin e kujdesit që duhet të kemi për persona të tilla, duke i qëndruar afër, duke i shërbyer dhe duke i kuruar, qoftë në aspektin e kujdesit prej tij, për të parandaluar veprime të dëmshme apo të rrezikshme.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH