Ramazani muaj i pastrimit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 22 minuta lexim

Hoxhë. Dr. Bledar Tefik Haxhiu

 

Falënderimi i takon Allahut i Cili i udhëzoi krijesat e Tij drejt moraleve të përsosura, u hapi atyre depot e mëshirës dhe bujarisë së Tij, si dhe ndriçoi mendjet dhe zemrat e besimtarëve për të arritur të vërtetën e për të kërkuar kënaqësinë e Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut, një i vetëm dhe i pa shokë, si dhe dëshmoj se Muhamedi salallahu alejhi ue selem është rob dhe i dërguar nga Ai; të cilin e dërgoi me adhurimet më të përsosura dhe me virtytet më të larta.

Lexues i nderuar!

Nuk ka dyshim se ditët kalojnë dhe ecin sikur retë të cilat i shtynë era, ndërsa vitet vrapojnë si të jenë në një maratonë, finishi i së cilës nuk është shumë larg; ndërkohë që ne duket se nuk e ndiejmë ikjen dhe largimin e tyre e kështu mbetemi të zhytur në shkujdesje, duke mos medituar përfundimin i cili na pret edhe pse Allahu në Kuran na porosit e këshillon shpesh: “Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë”. (El Furkan: 62).

Porse Allahu me Bujarinë e Tij i ka mundësuar besimtarëve që në jetën e tyre të shkurtër, të qëndrojnë në stacione të cilat mund t’i shfrytëzojnë për të zëvendësuar dhe rifituar ato çfarë kanë humbur, një nga këto stacione është dhe muaji i begatë i Ramazanit.

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të arrini devotshmërinë. (El Bekare: 183).

Kjo është një thirrje hyjnore drejtuar besimtarëve e cila në të njëjtën kohë tregon se agjërimi është adhurim i kahershëm për të gjithë ata breza njerëzish që kanë besuar Allahun.

Me këtë ajet Allahu u tregon se qëllimi parësor i agjërimit është pregatitja e zemrave për të arritur devotshmërinë dhe nënshtrimin ndaj Zotit, duke e ditur se devotshëria i zgjon zemrat dhe i bën besimtarët më të vetëdijshëm dhe më të afërt me Krijuesin e tyre.

Muaji i Ramazanit është dalluar nga muajt e tjerë me veçori të shumta, gjë e cila ndihmon për të qënë shkak i ndryshimit dhe përmirësimit të jetës së individit, pse jo dhe të gjithë bashkësisë Islame. Profeti salallahu alejh ue selem ka thënë: “Kur hyn muaji i Ramazant, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, si dhe prangosen shejtanët”. (Buhari dhe Tirmidhiu)

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Në natën e parë të Ramazanit burgosen shejtanët dhe xhindët rebel, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet më asnjë derë prej tyre; mbyllen dyert e Xhehenemit e nuk hapet anjëra prej tyre. Në të një thirrës thërret: O kërkues i së mirës afrohu, dhe ti o kërkues i së keqes largohu. Allahu për ç’do natë liron njerëz nga zjarri i Xhehenemit”. (Tirmidhiu dhe Nesai, hadithi është i saktë).

Muaji i Ramazanit është vërtet një shans i madh. Është shans i madh sepse në të besimtari ka mundësi të ripërtërijë mardhëniet e tij me Krijuesin, të rishijojë kënaqësinë e adhurimit, të zbusë zemrën dhe të pastrojë shpirtin.

E pra, muaji i Ramazanit në dallim nga muajt e tjerë, është muaj i pastrimit të shpirtit dhe forcimit të zemrës.

 

Përse vallë na duhet të flasim për pastrimin (tezkijen) në Rmamazan?

Pastrami i shpirtit dhe zemrës, është një virtyt i cili duhet ta shoqërjë besimtarin përgjatë gjithë jetës së tij, megjithatë duhet të theksojmë se ky virtyt ndodh që të zbehet për shkak se kjo botë edhe pse kënaqësinë e saj e ka të përkohëshme, përsëri ajo shfaqet tunduese, magjepse dhe tërheqëse. Në këtë mënyrë besimtari ka nevojë që herë pas here ta kontrollojë zemrën e tij, mbretin e të gjtha gjymtyrëve, e cila nëse ka rënë në burgun e epsheve dhe pasioneve, ka mundësinë më të madhe të lirohet pikërisht në këtë muaj.

Nëse do t’i hedhim një vështrm ajeteve Kuranore do të gjejmë se çështja e pastrimit të zemrës dhe shpirtit merr një vëmendje goxha të madhe, ndaj dhe jo më kot profeti Ibrahim dhe Ismail alejhim selam –gjatë rindërtimit të Qabes- iu lutën Allahut që të dërgonte tek pasardhësit e tyre një profet dhe përmendën ndër të tjera dhe një shkak të rëndësishëm për prezencën e tij, Allahu thotë në Kuran: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (El Bekare: 122).

Ndërsa kur Allahu u shpalos dhe u tregon njerëzve mirësitë e Tij të panumërta, ndër të tjera përmend edhe: “Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur”. (El Bekare: 122).

“Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë”. (El Xhumau: 2).

Pra ajo që vihet re në këto ajete, është roli që ka patur Profeti në mësimin e shpalljes (librit) dhe pastramin e shpirtit dhe zemrës së besimtarëve nga gjynahet, në mënyrë që ndikimi i shpalljes të jetë sa më i madh, sepse shpallja nuk mund t’i bëjë dobi shpirtit që nuk kërkon të pastrohet dhe zemrës e cila nuk dëshiron të çlirohet nga errësira e mohimit dhe kryeneçësisë –ndaj Zotit- që ka pllakosur në të.

 

Çfar është pastërtia (tezkija) dhe cili është realiteti i saj?

Nëse pastrimit (tezkijes) do t’i jepnim një përkufizim të thjeshtë dhe të shkurtër, do të thoshim se ajo është devotshmëria vetë, ndaj jo më kot Allahu thotë: “Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë (pastërtinë) tuaj! Ai i njeh më së miri ata që (janë të devotshëm dhe) ruhen nga gjynahet”. (En Nexhm: 32).

Në këtë ajet shpaloset qartë se pastërtia për të cilën po flasim, qënka vetë devotshmëria, e cila është simboli dhe qëllimi i muajit të begatë të Ramazanit. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të arrini devotshmërinë. (El Bekare: 183).

Ne duhet të kuptojmë se pastërtia është një proces që ka të bëjë me zemrën dhe zemra është një ndër gjymtyrët që ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për të qënë e pastërt. Kjo sepse atje është dhe vendi i besimit dhe devotshmërisë, ndërkohë që ajo ndryshon, lëkundet dhe nuk është e qëndrueshme; përkundrazi zemra ndikohet shpejt, ndaj dhe ka nevojë për mbikqyrje të vazhdueshme.

E themi këtë sepse nëse zemra bie në errësirën dhe verbimin e mohimit, gjynaheve dhe të neglizhimit, padyshim që do shkaktojë devijimin dhe humbjen e robit, kështu që besimtari ka nevojë ta shohë dhe kurojë shpesh mbretin e gjymtyrëve të tij, në mënyrë që të jetë prej të shpëtuarve në këtë botë dhe botën tjetër. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu nuk shikon në fizionomitë dhe pasuritë tuaja, por shikon në zemrat dhe veprat tuaja”. (Muslimi).

Kur Zemra është e pastërt, e shëndoshë dhe e ndriçuar nga besimi, sigurisht që edhe gjymtyrët janë të nënshtruara, do të kryejnë vepra të cilat janë në përputhje me besimin dhe dritën që zemra mban, ndaj dhe Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Padyshim që në trup gjendet një copëz mishi, e cila nëse rregullohet, atëhere rregullohet i gjithë trupi, e nëse prishet atëhere i gjithë trupi prishet me të. Kjo copë mishi është zemra”. (Buhari dhe Muslimi).

Sikur e thëksuam dhe më lartë, muaji i Ramazanit është një muaj i cili bart adhurim të veçantë për zemrën. Për habi ky muaj, kultivon në zemër atë e cila me plotë të drejtë mund të quhet mbreti i adhurimeve, i cili është Sinqeriteti, ose me fjalë të tjera: vënia në jetë dhe zbatimi i dëshmisë La Ilahe Ilallah –Nuk ka Zot tjetër me meritë veç Allahut-.

Sinqeriteti që robi tregon për Allahun nuk mund të jetë prezent dhe nuk mund të shfaqet i fortë, i plotë dhe në natyrën e tij reale, sikur gjendet e shfaqet në muajin e begatë të Ramazanit. Kjo sepse është pikërisht sinqeriteti i cili e ben Ramazanin të jetë një adhurim i denjë dhe i pranuar.

Kush e shtyn dikënd që gjatë gjithë ditës nga agimi e deri në perëndim të heqë dorë e ta mënjanojë veten nga ngrënia, pija, mardhëniet me bashkëshoten dhe veprat e ulëta përveç sinqeritetit?!

Në momentin që arrimë ta kuptojmë këtë, atëhere do të mundim ta kuptojmë dhe thënien e Allahut në hadithin kudsi: “Ç’do punë e birit të Ademit është për të, me përjashtim të agjërimit, Ai është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”. (Buhari dhe Muslimi)

Imam Kurtubiu –Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Allahu e veçoi agjërimin se është për Të –edhe pse të gjitha adhurimet kryen për Të- për dy arsye të cilat gjatë agjërimit janë më të qarta se kudo tjetër:

Agjërimi i kontrollon kenaqësitë e shpirtit dhe pasionet e tij, në dallim me adhurimet e tjera.

Agjërimi është një vepër e fshehtë mes robit dhe Zotit të tij, realitetin dhe vërtetësinë e tij nuk e njeh vetëm se Allahu, për këtë ky adhurim është specifik dhe i veçantë vetëm për Të. Ndërsa adhurimet e tjera të cilat janë të dukshme, dikush mund t’i kryejë edhe sa për sy e faqe, prandaj dhe agjërimi është adhurim i veçantë.

Baza në kryerjen e adhurimeve është që të kryhen me nënshtrim, madhëri dhe respekt për Allahun, dhe kjo duhet të jetë sistematike si në Ramazan ashtu dhe jashtë tij, porse në Ramazan ne kemi mundësi më të shumta që ta pasurojmë dhe zhvillojmë nënshtrimin, madhërinë dhe respektin për Allahun në zemrat tona.

Për ta arritur këtë na ndihmon edhe ajo se agjërimi është një adhurim i cili ndërtohet mbi bazën e mbikqyrjes së Allahut –se Ai të shikon dhe kontrollon në çdo vend dhe gjendje-, sikurse ndërtohet dhe mbi ndrojën dhe turpin ndaj Tij, qoftë në publik apo në vetmi. Pikërisht në Ramazan shumë njerëz e prekin dhe hynë në portën e Ihsanit (bamirësisë në besim) e cila është: “Adhurimi i Allahut sikur po e shikon Atë”. (Muslimi)

Në këtë mënyrë gjatë Ramazanit zerma dhe gjymtyrët janë më afër nënshtrimit dhe përuljes, janë më të ndjeshme dhe më të predispozuara për t’iu përgjigjur thirrjes së Krijuesit dhe për t’iu bindur urdhërave të Tij.

Pikë tjetër që e bën të veçantë muajin e Ramazanit dhe të favorshëm për pastrimin e shpirtit dhe zemrës është dhe aspekti se në të prangosen shejtanët, e keqja pakësohet dhe shtohen mundësitë për të kryer vepra të mira dhe për vetkorigjim e meditim.

Një aspekt tjetër është shoqëria e ngushtë që lidh besimtari në këtë muaj me librin e Allahut, i cili është burimi i pastërtisë së shpirtit, ndriçimit të zemrës dhe shërimin e shqetësimeve të zemrës dhe trupit bashkë.

Besimtari kur lexon Kuranin –fjalën e Allahut-, do të hasë në të përkujtime rreth gjërave të cilat, ndoshta gjatë jetës dhe angazhimit me të, edhe mund t’i ketë anashkaluar.

Në momentin që do të shfletosh Kuranin, padyshim se do të rifreskosh njësimin e Allahut, besimin e patundur në Të, të vetëm e pa shok; do rigjesh shkakun e egzistencës dhe cili do të jetë përfundimi i besimtarëve, e kështu besimtarit i shtohet zelli për punë të mira si dhe turpi e ndroja nga Allahu janë edhe më të forta.

Gjatë leximit të Kuranit, ndër të tjera besimtari do të haset edhe me ajetet të cilat e ftojnë në pastrimin e shpirtit dhe zemrës: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë”. (Esh Shems: 9). “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El Lejl: 14).

Kështu besimtari i nxitur nga këto mesazhe hyjnore dhe duke shfrytëzuar mundësitë që i jepen në Rmazan, vazhdon përpjekjet e tij për të marrë nën kontroll vetveten, thyen mitin e të qënurit peng i pasionit dhe epshit si dhe i kthen zemrës pastërtinë dhe shpirtit kthjelltësinë.

Në Ramazan besimtari për shkak të privimit që i bën vehtes nga ushqimet dhe pijet si përgjigje dhe bindje ndaj Allahut, në brendësinë e tij rritet ndjenja e dhimbsurisë dhe keqardhjes për fukarenjtë dhe ata që janë nevojtarë, ndaj dhe do të gjesh që pikërisht në këtë muaj besimtarët garojnë në bamirësi si kurrë më parë, duke u përpjekur që të jenë sa më pranë cilësive të Profetit të tyre i cili në Ramazan me bujarinë e tij ishte më i begatshëm për njerëzit se era pas të cilit vjen shiu.

Rol tjetër që luan Ramazani në pastrimin dhe edukimin e besimtarit është dhe rritja dhe forcimi i mbikqyrjes së Allahut në zemrën e besimtarit.

Në momentin kur besimtari braktis gjatë ditës gjërat të cilat janë të lejuara –jashtë Ramazanit-, patjetër që ke ai do të rritet kujdesi ndaj atyre gjërave të cilat janë të ndaluara, sidomos ndaj atyre të cilat klasifikohen si vepra të pamoralshme ku hynë: imoraliteti dhe lidhjet jashtë kurore, vjedhja, përgojimi, thashethemet, etj.

Në fakt Ramazani luan rol tepër të madh në mbikqyrjen e epshit, ai e kufizon dhe e vendos atë në shinat e të lejuarës –në atë që quhet hallall- dhe e bën të jetë i përmbajtur dhe larg çdo gjëje tjetër veç saj. Profeti salallahu alejhi ue selem një herë iu drejtua të rinjve: “O ju të rinj! Kush ka mundësi, le të martohet, sepse martesa të largon më shumë nga shikimi haram dhe të ruan më tepër nga imoraliteti. Dhe kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të”. (Buhariu dhe Muslimi).

Besimtari gjatë Ramazanit është në proces të vazhdueshëm reflektimi, vetpërmbajtje dhe edukimi të vetes. Përgjatë këtij muaji sikurse zemra edhe gjuha me gjymturët e tjera janë më të matura dhe më të kujdesshme, sepse pastrimi dhe devotshmëria nuk mundet të arrihet vetëm se kur besimtari e kontrollon qënien e tij në çdo vepër dhe çdo fjalë, duke bërë që ato të jenë larg çdo sjellje që bie ndesh me agjërimin. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që nuk e braktis gënjeshtrën dhe veprat e pahijëshme, atëhere Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ngrënien dhe pirjen”. (Ahmedi dhe Buhariu).

Ndërsa Mejmun ibnu Mehran –Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Agjërimi më i lehtë është distancimi nga të ngrënit dhe të pirët”.

Agjërimi ka një rol tejet të madh në forcimin dhe kalitjen e durimit, ai bën që besimtari të jetë më i përmbajtur dhe më i kujdesshëm në veprimet dhe sjelljet e tij, madje edhe nëse situatat ndonjëherë janë të pazakonta apo të sikletshme, Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë, prandaj nëse dikush prej jush agjëron, të mos flasë fjalë banale e të mos bëjë potere. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë dy herë: “Unë jam agjërues.” (Buhari dhe Muslim).

Lexues i nderuar!

Përderisa Allahu na ka dhënë shansin që ta arrimë këtë Ramazan, atëhere le të shfrytëzojmë rastin që ta bëjmë atë shkollë ku përfitojmë vlerat dhe vyrtytet. Le të përpiqemi që Ramazani të jetë stacion pastrami dhe shërimi për zemrën nga sëmundjet dhe edukim i gjymtyrëve, në mënyrë që të zhvishen nga veset dhe veprat e këqia.

Le ta përjetojmë çdo çast të Ramazanit, ta agjërojmë atë me besim dhe bindje, sepse në këtë mënyrë ne ia kemi arritur qëllimit dhe do ta prekim devotshmërimë. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe për hir të Zotit, i falen të gjithë gjynahet e kaluara.” (Buhari dhe Muslim).