Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Ne i dërgojmë shenjat tona të qarta (fenomenet natyrore), në mënyrë që njerëzit të frikësohen…”. Isra 59. Pra, që njerëzit të druhen e të kthehen te Zoti i tyre me pendim e punë të mbara.
Të nderuar bashkatdhetarë!
Nga shenjat e madhështisë së Zotit të Plotfuqishëm janë të gjitha fenomenet natyrore, që e prekin jetën e përditshme të njeriut, të cilat sipas shkallëve të ndryshme fizike mundet ta dëmtojnë njeriun dhe mjedisin ku jeton. Ngjarjet e fundit treguan fuqinë e pakufishme të Krijuesit dhe sa i dobët është njeriu, i cili shpesh tregohet arrogant dhe mosmirënjohës kundrejt mirësive të Zotit. Allahu përdori vetëm disa sekonda për të gjunjëzuar arrogancën njerëzore dhe t’i bëjë ata të kuptojnë, se sa të dobët janë dhe se sa shumë kanë nevojë për Zotin që i krijoi. Allahu dërgoi maksimunin e asaj, që mund të mbajnë ndërtesat tona, kurse ne po japim minimumin e asaj, që kemi mundësi për Zotin tonë.
Andaj këto janë momente reflektimi dhe kthimi me pastërti dhe sinqeritet te Zoti ynë. Ne jemi të ndërgjegjshëm, se shoqëria jonë është e zhytur thellë në vese dhe gjynahe, të cilat na largojnë nga Zoti dhe përkujtimi i Tij. Për mungesën e këtij përkushtimi Zoti i Madh na dërgon kësi fenomenesh për të na përkujtuar kthimin tek Ai.
Në këto momente njerëzit të gjithë, pa përjashtim, me frikë dhe pendesë duhet t’i drejtohen Zotit me lutje për të futur qetësi në zemrat e tyre dhe t’iu japë zgjidhje nga kjo situatë, e cila po zgjat akoma. Gjithashtu i ftojmë të gjithë njerëzit t’iu drejtohen hoxhallarëve për këshilla të ndryshme dhe mbështetje shpirtërore, sepse ata po tregohen psikologët e vërtetë dhe shërbyesit e palodhur në këto momente vërtet të vështira.
Madhërimi dhe falënderimi i Allahut për çdo ditë, kërkimi i vazhdueshëm i faljes, dhënia e lëmoshës, largimi nga zullumi dhe padrejtësitë, përpjekja për të qenë pranë njerëzve në nevojë, gjykimi i drejtë dhe pastrimi i zemrës nga veset dhe sëmundjet e saj janë gjërat konkrete që kërkohen. Vetëm kështu do të kuptojmë, se Allahu na çon sprova, por është duke na mëshiruar në të njëjtën kohë, përndryshe dënimi i Tij është i dhembshëm.
Të nderuar bashkatdhetarë! E lusim Allahun që viktimat t’i mëshirojë, të sëmurët dhe të lënduarit t’i shërojë, të pastrehët t’i rehabilitojë dhe të gjithë neve bashkë të na mëshirojë!
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë