Tërmeti i nëntorit mësime dhe përkujtim për njerëzit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 13 minuta lexim

 

Nga Bledar Tefik Haxhiu *

 

Me emrin e Allahut të Gjithmëshirshmit Mëshirëbërësit.

E falënderojmë Allahun në çdo gjendje. E falënderojmë Atë i Cili ka urtësi madhështore në çdo veprim që kryen dhe çdo fenomen, që shfaq për robërit e Tij në qiell dhe tokë.

Duke parë se këtë ngjarje të madhe –tërmetin- e komentuan thuajse të gjithë, ku treguan shkaqet dhe arsyet, se përse ndodhin fenomene të tilla, e pashë të udhës të shkruaj disa rreshta, pasi vura re se shumë nga këto komente dhe analiza, e kishin anashkaluar shkakun e vërtetë të tërmetit dhe fenomeneve të ngjashme me të, të cilat prekin qytetet dhe njerëzit.

Padyshim se ne të gjithë jetojmë nën qiellin që Allahu e bëri kulm për ne, ecim mbi tokën, që Ai për ne e shtroi dhe të gjithë jemi robër të Tij dhe gjithësecili prej nesh tek Ai do të shkojë.

Çdo gjë që ndodh në këtë gjithësi, qoftë e madhe apo e vogël, e gëzueshme apo e trishtueshme, nuk mundet asesi të realizohet pa vendimin e Tij dhe jashtë pushtetit të Tij.

Çdo gjë që Ai vepron, ka në të urtësi të pa përshkrueshme, edhe pse një pjesë prej nesh, nuk arrijnë dot t’i kuptojnë. Prej fenomeneve që ndodhin dhe tregojnë Madhështinë e Allahut janë dhe tërmetet, një dukuri dhe argument, të cilin Allahu nuk e lejon kot apo rastësisht. Në përgjithësi ato janë si përkujtim, por edhe frikësim për robërit e Tij, që janë hutuar, dhe dënim e shkatërrim për ata që devijimi, perversiteti, zullumi dhe arroganca, sytë dhe zemrën ua kanë mbuluar. Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë: “Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit”. Isra: 59. “A janë të sigurtë ata, që bëjnë plane djallëzore, se Allahu nuk do t’i fusë në tokë, ose që dënimi nuk do t’iu vijë andej nga nuk e presin?” Nah’l: 45.

Nëse do të hedhim një vështrim në historinë njerëzore dhe të lexojmë me kujdes ngjarjet e popujve të mëparshëm, që na sjell Kurani Famëlartë, do të gjejmë se dukuritë e tilla, si tërmeti e të ngjashme, Allahu i ka sjellë në ato qytetërime dhe bashkësi, të cilat e kanë mbushur kupën, apo që janë zhytur në zullume të njëpasnjëshme, apo që kanë deformuar natyrshmëritë dhe virtytet, duke u dhënë mbas imoralitetit/ homoseksualitetit, kamatës, vjedhjes, shtypjes dhe padrejtësive. Allahu thotë në Kuran: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave iu dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk iu bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes”. Ankebut: 40.

Padyshim se arroganca që një bashkësi tregon ndaj Zotit, largimi i tyre nga porositë e shpalljes, braktisja e këshillave profetike, prishja dhe shtimi i së keqes, është një alarm, se ndoshta ndëshkimi e shkatërrimi i tyre është afruar, “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim”. En’Amë: 44. “Eh, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, sepse banorët e tyre bënin jetë të shfrenuar! Ja tek janë shtëpitë e tyre, të cilat janë banuar pas tyre fare pak ose aspak. Jemi Ne trashëgimtarët e fundit. Zoti yt kurrë nuk i ka shkatërruar këto vendbanime, para se t’iu çonte në kryeqytetet e tyre të dërguar, që t’iu lexonte shpalljet e Tij. Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet (pa shkak), por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë keqbërës”. Kasas: 58-59.

Pra në përgjithësi tërmetet bien, kur është mbushur kupa dhe ka pllakosur zullumi, aq sa toka rënkon për atë që mban mbi shpinë dhe Allahu lejon të shfryjë e të dridhet, si dënim për disa, përkujtim për një grup tjetër dhe si mëshirë për disa të tjerë.

Kur e keqja është zmadhuar dhe e ka mundur të mirën, aq sa mbi ta është bërë hak dënimi i Zotit, kur ai (dënimi) vjen, nuk bën përjashtime; merr dhe prek të mirët dhe të këqijtë. Një herë profeti Muhamed –paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, hyri në shtëpi i tronditur nga e keqja, e cila i kanosej njerëzimit, bashkëshortja e tij e habitur e pyeti: -O i Dërguar i Zotit, a do të shkatërrohemi dhe në mesin tonë do të ketë njerëz të mirë?- “Po, nëse shtohet e keqja”,- ia ktheu ai.” Buhariu dhe Muslimi

Ahmed bin Hambeli tregon, se në kohën kur udhëhiqte prijësi i drejtë i muslimanëve Umeri –Allahu qoftë i kënaqur me të-, në Medine ra një tërmet, ai doli përpara njerëzve dhe filloi t’iu fliste: “O njerëz, sa shpejt që filluat të ndryshoni. Çfarë është kjo që po ngjet? Nëse një gjë e tillë ndodh sërisht, do të largohem prej jush”.

Ndërsa Ibën ebi Dun’ja na përcjell, se Enesi hyri me një burrë tek Aishja –Allahu qoftë i kënaqur me ta-, dhe e pyeti: O Nëna e Besimtarëve, na trego diçka rreth tërmetit?- Ajo tha: -“Kur njerëzit të ligjërojnë prostitucionin, të konsumojnë alkoolin, dhe të dëfrehen me muzikë, Allahu mbi qiej do të urdhërojë tokën: “Tundu dhe dridhi ata, nëse pendohen dhe i braktisin ato vepra lëshoi, në të kundërtën shkatërroi”. Burri sërisht pyeti: O Nëna e Besimtarëve, kjo do të jetë si dënim për ta?” -Përkundrazi, këshillë dhe mëshirë për besimtarët dhe si mundim dhe dënim për jobesimtarët”.[1]

Dikush ndoshta edhe mund të pyesë: Në rrënojat e ndërtesave mbetën shumë njerëz të pafajshëm, fëmijë pa as edhe të vetmin mëkat, si ka mundësi që kjo të jetë një dënim?

Është e vërtetë se shumë nga ata që vdiqën –Allahu i mëshiroftë-, ishin të pafajshëm, është e vërtetë se në mesin e tyre kishte dhe besimtarë të mirë. Po kjo është më se e vërtetë. Por dënimi kur vjen dhe kur këto fenomene shfaqen, ato nuk bëjnë dallime, por pozita e atyre njerëzve te Zoti, madje edhe te njerëzit nuk është njësoj! Profeti Muhamed –paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, kur po tregonte, se cilët e meritojnë statusin e dëshmorit tha: “Edhe ai që vdes nën gërmadha, konsiderohet dëshmor”. Ebu Daudi dhe Nesai

Të gjithë të mirët, që ishin viktima të këtij tërmeti, padyshim që do të nderohen në qiell –tek Allahu- dhe në tokë nga njerëzit, ndërsa të këqijtë dhe të padrejtët, do të turpërohen në atë dhe këtë botë.

Ajo që na del detyrë ndaj të afërmve të këtyre njerëzve është t’iu qëndrojmë pranë dhe t’iu japim kurajo, në mënyrë që të kalojnë traumat, dhimbjen dhe vështirësitë. Ndërsa për të gjallët, që ende janë në jetë, ky tërmet tronditi zemrat, shkundi pluhurin e harresës dhe kthjelloi ndërgjegjen e shumë prej tyre, të cilët nuk po shihnin, se ku ishin katandisur, e nuk po e vërenin se sa shumë janë zhytur në shthurje dhe largim nga Zoti!

Ky tërmet iu rikujtoi atyre, sa të pafuqishëm janë para madhështisë së Allahut, nevojën që kanë për ndihmën, mëshirën dhe faljen e Tij.

Nga ana tjetër ky tërmet na mësoi shumë gjëra; zbuloi babëzinë, hajdutllëkun, keq-qeverisjen, keqmenaxhimin dhe pakujdesinë në ndërtime; ai nxori në pah zullumet, të cilat përditë trondisnin shtresat në nevojë, njësoj si ky tërmet e të cilët qafë-majmurit hajdutë e neglizhentë bënin sikur nuk e ndienin.

Tërmeti nxori në pah se hajdutllëku dhe pangopësia është aq e madhe, saqë bëhet shkak për marrje jetësh, duke bërë që ndërtesat e reja shumëkatëshe të jenë si shtëpi të vjetra e prej kartoni. Ndaj për këtë mos e kërkoni fajin te Zoti!

Ky tërmet shkundi ndërgjegjen e shumëkujt prej nesh, riktheu tek shumë qytetarë shqiptarë, virtytet dhe çdo gjë njerëzore, që pafajësisht fshihej dhe strukej në brendësitë e tyre. Me këtë tërmet Allahu na tregoi, se kur duam, ne bëhemi të mirë dhe e mbështsim njëri-tjetrin. Ai ndër të tjera tregoi, se muslimanët e duan popullin dhe vendin e tyre, se janë bijtë e këtij vendi, dhe se japin gjithçka për të mirën e tij.

Ky tërmet na kujtoi, se ne duhet të heqim dorë një orë e më parë nga mbrapshtësitë, amoraliteti, shkelja e të tjerëve, abuzimi, zullumet dhe babëzia, e të kemi kujdes, se kur edhe ne të takohemi me vdekjen –siç u takuan bashkëatdhetarët tanë të tërmetit-, do të përjetojmë një tërmet, pas të cilit zor se shpëtohet, e ku padrejtësitë dhe zullumet vështirë se mbulohen. “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj, dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni, si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër”. Haxh: 1-2.

 

O Allah, udhëzoji njerëzit e vendit tim! Ndërgjegjësoji ata, e bëji të jenë më afër Teje e larg djallëzive.

O Allah mëshiroji të vdekurit, lehtësoja brengën të afërmve të tyre, zgjoji të gjallët, drejtoji dhe pajisi ata me virtytet më të bukura dhe veprat më të sinqerta.

O Allah, shpërbleji të gjithë ata, që na u gjendën pranë në këtë dhimbje të madhe, begatoji në veten, familjet dhe pasuritë e tyre.

O Allah, na bëj të nxjerrim mësime nga kjo gjëmë, e kështu të parandalojmë dhimbjet dhe humbjet e jetëve të tjera.

O Allah, ndërgjegjësoji pushtetarët e këtij vendi dhe bëji ata të kujdesen më shumë për përditshmërinë e qytetarëve të tyre.

 

[1]Xhebul Kafi, Ibën Kajim, fq. 77-78.

* Në këtë rubrikë do të gjeni opinionet e hoxhallarëve tonë, të cilat jodomosdoshmërisht janë linjë zyrtare e LHSH.