Rregullat e Kurbanit

Lidhja e Hoxhallarëve
47 minuta lexim

Fehd el Amari

 

Rregullat e Kurbanit (1)

Ud’hija (Kurbani): Kurbani është therja e një kafshe nga bagëtitë (dele, dhi, lopë ose deve), me qëllim afërimin tek Allahu, në ditët e veçanta të Kurban Bajramit – nga data 10 deri më 13 Dhul-Hixhe.

Kurbani është një nga sunetet dhe shenjat e mëdha të fesë islame. Allahu i Madhëruar e ka përmendur atë në Librin e Tij dhe ka nxitur adhurimin përmes këtij veprimi. Profeti Muhamed ﷺ e ka praktikuar rregullisht dhe ka këshilluar fuqimisht umetin që të mos e lënë pas dore. Therja e kurbanit përfaqëson devotshmëri, falënderim dhe nënshtrim ndaj Allahut, dhe është një nga mënyrat e dallimit të myslimanëve në ditët e shenjta.

Gjykimi i kurbanit ndahet në tre raste kryesore:

a. Kurbani në formën e tij të zakonshme: Është sunet i fortë (sunne mu’ekkede), sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Kjo do të thotë se është një adhurim shumë i rekomanduar, që Profeti ﷺ e ka kryer rregullisht dhe ka nxitur umetin të mos e lënë pas dore. Nuk është obligim (farz), pasi nuk ka ndonjë provë të qartë që e bën detyrues.

b. Kurbani i zotuar me nijet (nedhr): Kur një person i bën një zotim Allahut, si p.sh.: “Nëse më plotësohet kjo dëshirë, do të ther një kurban”, atëherë ky kurban bëhet obligim për të. Zbatimi i zotimit është i detyrueshëm dhe nuk mund të lihet pas dore.

c. Kurbani i lënë me testament (vasije): Nëse një person, para se të vdesë, ka lënë me shkrim ose me dëshmi që të theret kurban për të pas vdekjes, atëherë ky kurban duhet të përmbushet nga pasuria e tij, në emrin e tij, si një amanet që s’mund të shpërfillet.

Gjykimi për kurbanin e Haxhiut (ud’hije): Është e ligjshme (sunet) për haxhiun që të therë kurban të Bajramit (udhije), ashtu si për çdo mysliman tjetër, edhe nëse ai ka për detyrë të kryejë një flijim të veçantë (hedj) si pjesë e riteve të Haxhit. Kjo sepse kurbani i Bajramit (ud’hije) është një adhurim i përgjithshëm për të gjithë myslimanët dhe nuk ka ndonjë argument të saktë që ta përjashtojë haxhiun nga ky rregull, edhe nëse ai ka flijuar një kafshë si pjesë e Haxhit. Pra, hedji është flijimi që ka të bëjë me Haxhin dhe ritet e tij, ndërsa udhije është kurbani i Bajramit që bëhet si një shenjë afërimi ndaj Allahut nga çdo mysliman që ka mundësi – qoftë në Meke apo jashtë saj.

Lejohet që kurbani të blihet me pagesë të vonuar ose me këste. Megjithatë, është më e lavdërueshme që njeriu të shmangë ngarkesën financiare, veçanërisht në rastet kur çmimet e kurbaneve janë të larta dhe mund të shkaktojnë vështirësi. Feja nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij, dhe nëse ai ka pasur një qëllim të sinqertë për të therur kurban, por nuk ka mundur për shkak të pengesave reale, ai prapë shpërblehet për nijetin e tij të mirë.Nuk ka ndonjë dallim mes Ud’hijes së udhëtarit dhe joudhëtarit (banorit). Ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve.

Udhëtari ka të drejtë të therë kurbanin në vendin ku ndodhet. Nuk është e domosdoshme që ai të kthehet në vendin e banimit për të therë kurbanin. Gjithashtu, lejohet që një person tjetër ta therë kafshën në emër të tij, qoftë në vendin e tij të origjinës apo kudo tjetër – me kusht që të përmbushen rregullat e therjes dhe të bëhet nijeti për atë që e ka porositur kurbanin.

    Kushtet e Kurbanit (2)

Kushtet që duhet të plotësojë kafsha e kurbanit:

    1 – Të jetë nga lloji i bagëtive, sipas konsensusit të dijetarëve. Këto përfshijnë:

Deve,

Lopë (përfshirë edhe demat),

Dele dhe dhi.

     2 – Të ketë arritur moshën e kërkuar sipas Sheriatit, që është si më poshtë:

Deveja: të ketë mbushur 5 vjet,

Lopa: të ketë mbushur 2 vjet,

Dhija: të ketë mbushur 1 vit,

Delja: të jetë “xhedh’u”, që do të thotë të ketë mbushur 6 muaj dhe të jetë e plotë e zhvilluar në trup.

Nuk ka dallim mes mashkullit dhe femrës në vlefshmërinë e kafshës për kurban, për sa kohë plotëson kushtet e moshës dhe shëndetit.

Lejohet therja e buallicës si kurban – me konsensus – sepse buallica është një lloj i lopës.

Nuk lejohet që një person të blejë një kafshë që është therur më parë, apo të blejë mish në treg, dhe pastaj ta quajë atë kurban – sepse vetë therja e kafshës në emër të Allahut, dhe derdhja e gjakut në mënyrë të caktuar, është një pjesë thelbësore e adhurimit të kurbanit. Ky akt është një qëllim fetar në vetvete, dhe nuk mund të zëvendësohet nga marrja e mishit të gatshëm.

Kafsha duhet të jetë pa të meta që e bëjnë të pavlefshme për kurban. Janë të përjashtuara kafshët që kanë defekte të qarta, siç janë: verbëria e dukshme, sëmundjet e rënda, dobësia e skajshme apo dëmtime të rënda fizike. Këto të meta janë të detajuara në literaturën e fikhut dhe janë përmendur në hadithin e saktë të Profetit ﷺ.

Therja e kurbanit duhet të bëhet brenda kohës së përcaktuar fetarisht. Kjo kohë fillon pas faljes së namazit të Bajramit dhe nuk është i vlefshëm kurbani nëse theret më herët – sipas konsensusit të dijetarëve. Therja para namazit konsiderohet si mish i zakonshëm, jo si adhurim kurbanor.

Koha për therjen e kurbanit zgjat deri në perëndimin e diellit të ditës së 13-të të muajit Dhul-Hixhe. Kush nuk arrin ta therë brenda këtij afati, nuk ka më mundësi të realizojë adhurimin e kurbanit. Në këtë rast, therja e mëvonshme quhet vetëm sadaka – sipas mendimit të atyre dijetarëve që e konsiderojnë kurbanin si sunet e jo obligim.

    Gjërat që ndalohen për atë që do të therë kurbanin (3)

 Kush vendos të therë kurban nga pasuria e vet, është i detyruar të përmbahet nga prerja e flokëve dhe thonjve, duke filluar nga perëndimi i diellit të ditës së fundit të Dhul-Ki’dah (pra, që me hyrjen e muajit Dhul-Hixhe) e deri në momentin kur kafsha e kurbanit të jetë therur.

Kjo bazohet në hadithin autentik të Profetit ﷺ, ku ai thotë: “Kur të hynë dhjetë ditët [e para të Dhul-Hixhes], dhe dikush prej jush dëshiron të therë kurban, le të mos prekë asgjë nga flokët dhe thonjtë e tij.” (Muslimi). Disa dijetarë e kanë konsideruar këtë si një veprim të preferuar (muste-hab), por mendimi më i saktë është se ky është një urdhër me domethënie ndalimi (tahrim), në shenjë nderimi për këtë adhurim madhështor dhe si shprehje e dorëzimit ndaj vullnetit të Allahut.

Kjo dispozitë vlen njësoj për burrat dhe gratë. Pra, edhe gruaja që ka ndërmend të therë kurbanin vetë apo në emër të saj, duhet të përmbahet nga prerja e flokëve dhe thonjve.

Kjo nuk do të thotë se i ndalohet larja ose krehja e flokëve. Nëse gjatë larjes ose krehjes ndonjë qime bie vetvetiu, kjo nuk e dëmton adhurimin dhe nuk ka gjynah.

Anëtarët e familjes së atij që ther kurbanin, si dhe personi që e përfaqëson në therje, nuk janë të përfshirë në këtë ndalesë. Ndalimi vlen vetëm për personin që ka blerë kurbanin dhe e ka bërë nijetin për të. Prandaj, pjesëtarët e tjerë të familjes së tij nuk janë të detyruar të ndalojnë nga prerja e flokëve apo thonjve.

Lejohet që njeriu të bëjë nijet për kurban në çdo ditë të dhjetëditëshit të parë të Dhul-Hixhes.

Në momentin kur ai vendos me bindje për therjen e kurbanit, që nga ai çast ai hyn në rregullin e ndalimit për prerjen e flokëve dhe thonjve, edhe nëse nuk e ka bërë nijetin që natën e parë të muajit.

Kush i ka prerë flokët apo thonjtë nga padituria, harresa apo gabimisht, nuk mban përgjegjësi. Nuk ka gjynah mbi të, as nuk i kërkohet ndonjë kompensim apo pendesë specifike. Megjithatë, nëse dikush e bën këtë me vetëdije dhe qëllimisht, ai ka gabuar, duhet të pendohet sinqerisht, por kurbanin e tij mund ta vazhdojë dhe është ende i vlefshëm. Po ashtu, nëse ka një nevojë mjekësore që kërkon heqjen e flokëve ose të një pjese të trupit për arsye trajtimi, kjo është e lejuar dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e kurbanit.

Nëse një person ka vendosur të therë kurban dhe më pas hyn në ihram për Haxh apo Umre, ai vazhdon të jetë nën rregullin e ndalimit për prerjen e flokëve dhe thonjve, ashtu siç e kërkon suneti për ata që kanë bërë nijet për kurban. Pra, hyrja në ihram nuk e përjashton nga ky rregull, përderisa ai e ka marrë përsipër therjen e kurbanit nga pasuria e tij.

Haxhiu ose ai që kryen Umren del nga gjendja e ihramit duke rruar kokën, dhe kjo rruajtje është pjesë përbërëse e riteve të Haxhit. Për këtë arsye, ai nuk ka nevojë të presë që të theret kurbani i bajramit (Ud’hije) përpara se të rruajë kokën, pasi kjo rruajtje është vetë një akt adhurimi që shënon përfundimin e ihramit dhe është e lidhur drejtpërdrejt me ritet e Haxhit. Ndërsa për pjesët e tjera të trupit – si thonjtë apo flokët jashtë kokës – ato nuk janë pjesë e riteve të Haxhit, por përfshihen në ndalesën që vlen për atë që ka bërë nijet për therjen e kurbanit të Bajramit (udhijes). Kjo ndalesë është e lidhur me respektin dhe shenjtërinë e këtij adhurimi të veçantë, e jo me ihramin. Prandaj, ai që është në ihram dhe njëkohësisht ka nijet për ud’hije, duhet të përmbahet nga prerja e thonjve apo e pjesëve të tjera të flokëve, derisa të kryhet therja e kurbanit të Bajramit. Kështu, ai e përmbush adhurimin e tij sipas sunetit të Profetit ﷺ dhe ruan nderimin që i takon këtij riti madhështor.

      Pjesëmarrja në kurban (4)

1 – Llojet e pjesëmarrjes në kurban:

a. Dhurimi i shpërblimit: Është e lejuar që një person ta therë kurbanin dhe t’ia dhurojë shpërbli-min edhe të tjerëve, si prindërve, familjarëve apo të afërmve. Kjo është e vlefshme dhe e shpërblyer.

b. Përfshirja e të tjerëve në nijet: Nëse një person, kur bën nijet për therjen e kurbanit, përfshin me zemër dhe qëllim edhe të tjerë nga familja e tij – që të përfitojnë nga shpërblimi dhe të mos mbeten pa kurban – kjo është gjithashtu e lejuar dhe praktikohet gjerësisht.

c. Pjesëmarrja në blerje (bashkëfinancim):

– Për delet dhe dhitë, pjesëmarrja e më shumë se një personi në blerje nuk është e vlefshme – sipas konsensusit të dijetarëve. Në këtë rast, vetëm një person mund ta ketë nijetin për kurbanin.

– Për lopët dhe devetë, lejohet që deri në shtatë persona të ndajnë koston dhe të bashkohen në therje, me kusht që të gjithë të kenë për qëllim kurbanin apo një adhurim të lejuar (si hedj apo nadhër).

2 – Lejueshmëria e therjes së kurbanit për familjarët e shtëpisë. Lejohet që një person të therë kurban për të gjithë ata që jetojnë me të në të njëjtën shtëpi dhe për të cilët ai mbulon shpenzimet – pa qenë e nevojshme të marrë leje apo pëlqim të veçantë prej tyre. Ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve, dhe është mbështetur në praktikën e sahabëve dhe të vetë Profetit ﷺ, i cili e ka therur kurbanin në emër të vet dhe të familjes së tij.

3 – Nuk është e nevojshme të merret leje nga personi për të cilin bëhet kurban, nëse dikush dëshiron të therë kurban në emër të babait, nënës, vëllait apo ndonjë familjari tjetër – sipas mendimit që e konsideron kurbanin si sunet. Kjo vlen si në rastin kur synohet përfshirja në shpërblim (teshrik), ashtu edhe kur synohet dhurimi i shpërblimit (ihda eth-thauab).

Në të dyja rastet, veprimi është i lejueshëm dhe nuk kushtëzohet me pëlqimin paraprak të atij për të cilin bëhet kurbani.

4 – Dallimi mes dy qëllimeve: dhurimi i shpërblimit dhe therja e kurbanit në emër të dikujt tjetër

a) Dhurimi i shpërblimit: Kjo ka të bëjë me faktin që dikush bën një vepër adhurimi dhe më pas ia dhuron shpërblimin e saj dikujt tjetër. Ky veprim është i lejuar dhe nuk kërkon pëlqimin e përfituesit. Zbatohet si në veprat vullnetare, ashtu edhe në ato të obliguara.

b) Therja e kurbanit në vend të dikujt tjetër: Kjo është kur një person e kryen aktin e therjes me qëllimin që të përjashtojë tjetrin nga përgjegjësia e kurbanit, qoftë sepse ky e ka për obligim (si te hanefitë), apo thjesht për t’ia bërë atij këtë adhurim. Në këtë rast, veprimi merr vlerën dhe gjykimin e qëllimit të personit që e kryen kurbanin: – nëse ai e bën për ta përjashtuar tjetrin nga detyrimi, është si të veprojë në emër të tij; – nëse ai e bën si dhuratë shpirtërore, është vetëm për shpërblim.

5 – Disa prej familjeve, çdo anëtar prej tyre jeton i ndarë (i pavarur). Nëse vijnë para Bajramit dhe mblidhen në një shtëpi, një kurban i vetëm nuk mjafton për të gjithë, dhe nuk bie obligimi nga ta, as nuk përjashtohen nga përgjegjësia, përveçse në aspektin e synetit (jo të detyrueshëm). Sa i përket bashkimit në shpërblim, dera është e gjerë.

6 – Nëse babai është pa ndjenja (i pavetëdijshëm) ose në gjendje të ngjashme, dhe zakonisht ai është ai që ther kurbanin, atëherë ai del nga posedimi i pasurisë së tij, dhe theret kurban për të dhe për familjen e tij.

7 – Nëse babai ka vdekur, atëherë ka disa raste:

Nëse babai ka vdekur dhe nuk ka lënë rrogë pas vdekjes së tij, dhe gruaja (e tij) bashkë me fëmijët banojnë bashkërisht, atëherë cilido prej tyre që ther kurban, e bën atë për veten e tij dhe për të tjerët. Dhe ai që e jep pasurinë për kurbanin, është ai që ndalohet të marrë nga flokët dhe thonjtë e tij.

Nëse babai ka lënë një rrogë që vazhdon të merret nga gruaja dhe fëmijët e tij pas vdekjes së tij, atëherë ata kontribuojnë së bashku që një prej tyre ta blejë kurbanin dhe ai e ther atë duke pasur nijet (synim) për veten dhe për ta.

 Nëse gruaja është vetëm, atëherë ajo e ther kurbanin për veten e saj, nëse dëshiron dhe ka mundësi.

8 – Nëse babai është i divorcuar nga gruaja dhe fëmijët jetojnë me nënën e tyre, atëherë babai ther kurban për veten dhe fëmijët, ndërsa nëna ther për veten e saj nëse dëshiron dhe ka mundësi.

9 – Nëse një grup personash duan të banojnë së bashku, si studentë apo të ngjashëm me ta, nuk u lejohet të bashkohen për të blerë një dele për kurban, sepse nuk lejohet ndarja e kostos për një kurban nga dele për më shumë se një person. Por lejohet që njëri prej tyre ta blejë atë dhe të ketë nijet për të gjithë – nëse është kurban suneti dhe ai synon shpërblimin për ta – ose ta blejnë dhe t’ia dhurojnë njërit prej tyre që ta therë me nijet për veten dhe për ta.

10 – Lejohet që shtatë veta të bashkohen në një lopë ose deve, edhe nëse qëllimet e tyre janë të ndryshme, siç mund të ndodhë që njëri të ketë për qëllim kurbanin (udhijjen), tjetri për kurbanin e haxhit (hedi), dhe një tjetër për mish.

11 – Testamenti dhe vakëfi për persona të vdekur në një dele të vetme, nëse synimi i ndarjes është për shpërblim (sevap), atëherë është i vlefshëm. Por nëse synimi është ndarja në çmim, nuk është i vlefshëm – njësoj si për njerëzit e gjallë.

     Dispozitat e kurbanit për të vdekurin (5)

1. Therja e kurbanit për të vdekurin ka tri raste:

     E para: Nëse është në përmbushje të një testamenti (vasijet), atëherë është obligim të realizohet – pa kundërshtim.

     E dyta: Nëse bëhet me nijetin e pjesëmarrjes së të vdekurit në shpërblim bashkë me të gjallin – kjo është e vlefshme sipas shumicës së dijetarëve.

     E treta: Nëse bëhet veçmas, si kurban i dedikuar vetëm për të vdekurin – kjo është e saktë sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, për sa kohë qëllimi është afrimi dhe jo zëvendësimi i sadakasë, dhe në mungesë të ndonjë kundërshtimi të vlefshëm.

2. A lejohet të hahet nga mishi i kurbanit të therur për të vdekurin? – Ka dy raste:

    Rasti i parë: Nëse është kurban i lënë me testament, atëherë nuk lejohet të hahet nga ai – sepse ai konsiderohet sadaka për të varfrit dhe jo pronë personale për familjen e të vdekurit.

    Rasti i dytë: Nëse është bërë si dhuratë vullnetare (teberru’), atëherë lejohet të hahet.

3. A lejohet që disa persona të marrin pjesë së bashku në kurban për të vdekurin?

    Nëse është fjala për njerëz si fëmijët e të ndjerit dhe të afërm të tjerë, që bashkojnë para për të therur një kurban për të – çështja është e mundshme dhe e pranueshme.

    Më e sigurta: Që një prej tyre ta blejë vetë kurbanin dhe ta therrë si dhuratë, pa qëllimin e pjesëmarrjes financiare, duke pasur nijetin për të vdekurin (p.sh. për babanë e tij).

     Rregullat për caktimin, dhurimin dhe rezervimin e kurbanit (6)

1- Kurbanin e përcakton qëllimi gjatë blerjes së tij për këtë qëllim, dhe nuk është e domosdoshme që kjo të shoqërohet me ndonjë fjalë apo veprim specifik.

2 – Vënia e shenjës në kafshën e kurbanit ka dy raste:

     a- Nëse ka për qëllim ta përcaktojë për kurban, atëherë ajo përcaktohet si e tillë.

     b- Nëse ka për qëllim vetëm se është një kafshë për therje, por jo për kurban, atëherë nuk konsiderohet e përcaktuar si kurban.

3 – Kurbani nuk përcaktohet vetëm me nijet (qëllim), pra nuk mjafton vetëm të kesh nijet për therje pa e blerë kurbanin, edhe nëse më pas e kthen mendimin.

4 – Nëse ndalon nga prerja e thonjve dhe qimeve dhe ka bërë nijet për kurban, por pa e blerë atë,

atëherë nuk bëhet i detyrueshëm për të, sepse nuk e ka përcaktuar (me blerje apo shenjë të qartë).

5 – Nëse përcaktohet (kurbani), nuk lejohet që të kthehet nga ai (qëllim), nuk lejohet as ta shesë e as ta dhurojë, me konsensus, sepse përmes këtij përcaktimi ajo është nxjerrë nga prona e tij dhe është përkushtuar Allahut të Lartësuar.

6 – Nëse dikush e ka caktuar një kafshë si kurban, por vdes para se ajo të theret, atëherë nuk u lejohet trashëgimtarëve të disponojnë mbi të, por duhet ta therin atë si kurban, sepse ajo është përcaktuar tashmë, dhe rregulli i saj është si i gjësë së shitur apo dhuruar.

7 – Pas caktimit të saj si kurban, lejohet që të ndërrohet me një më të mirë – sipas mendimit më të saktë të dijetarëve – ose që të shitet dhe të blihet një më e mirë në vend të saj.

8 – Kush i jep dikujt një dele që ta therë si kurban, ka tre raste:

    a – Ta marrë dhe ta shpreh me fjalë se ajo është për kurban – atëherë ajo konsiderohet e përcaktuar si kurban.

    b – Ta marrë dhe të bëjë nijet që ajo të jetë kurban – edhe kjo e bën atë të përcaktuar si kurban.

    c – Ta marrë, por pa e përcaktuar me fjalë dhe pa bërë nijet – në këtë rast, ka trajtën e një dhurate të kushtëzuar. Mendimi i saktë është se dhurata është e vlefshme, por kushti nuk është i vlefshëm, sepse bie ndesh me natyrën e kontratës së dhuratës. Megjithatë, është më e hijshme dhe më me etike që ai ta përmbushë atë.

9 – Rezervimi i kurbanit dhe rastet e tij:

     a- Të përcaktojë kurbanin në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë përmes imazhit, tregimit me dorë apo ndonjë mënyre tjetër të rënë dakord mes palëve – në këtë rast është kryer kontrata dhe kurbani është përcaktuar me blerjen dhe nijetin.

     b- Të përcaktojë kurbanin përmes përshkrimit nga një tufë tek shitësi, në këtë rast ajo është njëra prej deleve të pranishme – sipas përshkrimit të rënë dakord, dhe është bërë kontrata dhe përcaktimi i kurbanit me blerjen dhe nijetin.

     c- Të përcaktojë përmes përshkrimit, por pa pasur kafshën të pranishme te shitësi, në këtë rast ajo konsiderohet borxh në përgjegjësinë e shitësit, prandaj duhet që çmimi të paguhet menjëherë – nëse çmimi është shtyrë për tu paguar më vonë, atëherë shitja nuk është e vlefshme.

     d- Të ngarkojë një përfaqësues të kërkojë kurban me cilësitë e kërkuara, kjo është përfaqësim nëpërmjet (uekilit) blerësit të autorizuar, dhe blerja nuk konsiderohet e kryer, derisa përfaqësuesi ta gjejë kafshën dhe ta blejë vërtet.

   Rregullat për vendin e therjes së kurbanit dhe numrin e tyre (7)

1. Kurbani nuk ka një vend të caktuar sipas Sheriatit. Lejohet që kurbani të theret edhe jashtë vendit (atdheut), përmes përfaqësuesve, organizatave apo shoqatave të bamirësisë. Nuk ka ndonjë tekst në Sheriat që e ndalon këtë, dhe nuk ka argument të saktë që tregon se nëse kurbani theret jashtë vendit nuk quhet i vlefshëm.

2. Lejohet që kurbani të theret në një vend tjetër nga ai ku ndodhet personi që ka për qëllim ta therë, sepse nuk ka ndonjë ndalesë për këtë – dhe kush vendos kushte për këtë ka nevojë për argument.

3 – Personit që ka për qëllim therjen e kurbanit i lejohet të marrë nga flokët ose thonjtë e tij vetëm pasi të jetë therur kurbani i tij. Nëse kurbani theret në një vend tjetër nga ai ku ndodhet vetë, atëherë ajo që merret parasysh është koha reale e therjes në vendin ku ndodh therja, pavarësisht nëse ai vend është në një zonë më përpara apo më pas në kohë krahasuar me vendbanimin e tij.

Ky rregull bazohet në kuptimin e qartë të hadithit, që lidh ndalimin me aktin e therjes dhe jo me orën lokale të personit.

4 – Nëse personi që ka porositur kurbanin nuk e di saktësisht kur është therur kurbani i tij jashtë vendit të tij, siç ndodh shpesh kur veprohet përmes institucioneve apo aplikacioneve,

atëherë atij i lejohet që, me përfundimin e namazit të Bajramit në vendin ku ndodhet përfaqësuesi (uakili), të veprojë me bindjen se kurbani është therur – qoftë kjo me vlerësim të arsyeshëm apo bazuar në mbizotërimin e mendimit se therja ka ndodhur. Ky lehtësim vjen për të shmangur vështirësitë dhe sikletet, dhe sepse në rregullin bazë supozohet se therja është kryer sa më herët që të jetë e mundur.

5 – Nëse një person ka caktuar më shumë se një kurban, ai fillon të ndalojë nga flokët dhe thonjtë që në momentin e therjes së kurbanit të parë, sepse udhëzimi i Sheriatit lidhet me therjen e parë.

6 – Therja e më shumë se një kurbani për të njëjtën familje (p.sh. një për babain dhe një për nënën apo pjesëtarë të tjerë), është e lejuar – sipas shumicës së dijetarëve. Megjithatë, më e mirë është të mos e teprojmë dhe të mjaftohemi me një kurban për një shtëpi. Kush ka më shumë pasuri, më mirë është të japë sadaka shtesë, veçanërisht për njerëzit në nevojë, brenda apo jashtë vendit.

7 – Nëse burri ka disa gra që jetojnë në shtëpi të ndryshme, mjafton një kurban për të gjithë, edhe pse është më e mirë që në çdo shtëpi të theret një kurban për të nxitur hare dhe gëzim, siç ka vepruar Profeti ﷺ.

     Rregullat për ngrënien nga kurbani dhe shpërndarjen e tij (8)

1- Mënyra e shpërndarjes së mishit të kurbanit: Sipas sunetit, prej tij ha vetë, u dhuron të tjerëve dhe jep sadaka (ndihmë). Rekomandohet që ditën e Bajramit të mos hajë gjë derisa të ketë ngrënë nga kurbani i tij. Kjo është transmetuar me konsensus nga dijetarët.

2- Nëse e jep të gjithë mishin për sadaka, është e lejuar sipas mendimit më të saktë, por nuk është e detyrueshme që të hajë prej tij.

3- Lejohet që një jobesimtar të ushqehet nga mishi i kurbanit, sepse sadakaja është e vlefshme edhe për jobesimtarët. Kjo është transmetuar nga Umeri – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe është mendimi i shumicës së juristëve.

4- Është më e mirë që dhënia e mishit për sadaka të bëhet në atë mënyrë që të quhet realisht “sadaka”, për të dalë nga mendimet e atyre që e kanë konsideruar detyrim.

5 – Dhënia e mishit të kurbanit të varfërit duhet të bëhet në formë pronësimi, pra që atij t’i jepet mishi si pronë e tij.

6 – Dhënia e mishit të zier të varfërit nuk përbën pronësim të plotë, ashtu siç ndodh me zeqatin e Fitrit, sepse atij i humbet mundësia për ta ruajtur ose për të vendosur vetë mbi të.

7 – Nuk është kusht që shpërndarja e mishit të bëhet brenda ditëve të teshrikut, sepse nuk ka dëshmi që e ndalon shpërndarjen pas tyre.

8 – Kush e bën kurbanin me nijet si një zotim (nedhr), nuk lejohet të hajë prej tij, por gjithçka duhet t’u jepet të varfërve, dhe nëse ha prej tij, duhet të kompensojë me sasi të ngjashme.

9 – Lejohet therja e kurbanit nga pasuria e jetimit, me kusht që ta bëjë kujdestari i tij,

dhe kujdestari ka të drejtë të hajë prej tij, por nuk lejohet të japë sadaka prej tij, për shkak të nevojës së jetimit për të.

10 – Nuk lejohet therja e kurbanit për embrionin (në barkun e nënës), për shkak të mungesës së një argumenti të qartë të transmetuar për këtë çështje.

11 – Dita e fundit për therjen e kurbanit është deri në perëndimin e diellit të ditës së 13 të Dhul-Hixhes. A mund të bëhet kompensimi (kaza) i tij pas kësaj kohe? Kjo çështje ka disa raste:

   a – Nëse ishte zotim (nedhr), atëherë theret si kaza (kompensim), dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

    b – Sipas mendimit që e konsideron therjen e kurbanit si obligim, ai kompensohet si çdo detyrim tjetër (farz dhe uaxhib).

    c – Sipas mendimit që e konsideron kurbanin si sunet, ai theret gjithashtu, por tashmë si sadaka, dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

     Rregullat për kurbanin nëse dëmtohet apo humbet (9)

1 – Nëse kafsha për kurban përcaktohet (caktohet si kurban) dhe më pas shfaqet një të metë që e bën të papërshtatshme për kurban, si verbëri, çalimi apo ngjashëm me to, atëherë ka dy raste:

     Rasti i parë: Nëse defekti është si pasojë e veprimit të vetë personit apo nga pakujdesia e tij, ose nga dikush tjetër, atëherë është e detyrueshme për të që ta zëvendësojë me një tjetër, dhe për atë kafshë të parë mund të veprojë si të dojë.

     Rasti i dytë: Nëse defekti ndodh pa asnjë faj apo neglizhencë, atëherë ai mund ta therë atë kafshë dhe ajo llogaritet si e vlefshme. Kjo sepse vetë therja e kurbanit nuk është një detyrim në origjinë, por bëhet e detyrueshme vetëm pasi të jetë përcaktuar kafsha specifike. Ndryshe është rasti i kurbanit të zotuar me nijet (si nedhr), i cili bëhet detyrim në vetvete – prandaj në atë rast është e domosdoshme të zëvendësohet nëse dëmtohet para therjes.

2 – Nëse kafsha e përcaktuar për kurban shërohet vetë ose përmes mjekimit para perëndimit të diellit të ditës së fundit të therjes, atëherë therja e saj është e vlefshme dhe llogaritet si e pranuar.

3 – Nëse kafsha e kurbanit vidhet ose humbet pas përcaktimit të saj si kurban, atëherë ajo gjykohet sipas asaj që u përmend më sipër (pika 1), dhe nëse kjo ka ndodhur për faj të ndokujt tjetër, atëherë përgjegjësinë e mban ai që ka shkaktuar humbjen.

4 – Nëse kafsha vidhet pasi është therur, atëherë nuk ka përgjegjësi mbi askënd, edhe nëse ajo kishte qenë e zotuar me nedhr (zotim).

5 – Ajo merr të njëjtin gjykim si rastet e mëparshme, nëse dëmtohet duke vdekur ose ngjashëm me këtë.

6 – Nëse theret kafsha zëvendësuese dhe më pas gjendet ajo që ishte humbur, atëherë nuk është e detyrueshme më që ajo të theret, por ajo i kthehet pronarit të saj, sepse obligimi është përmbushur me therjen (e kafshës zëvendësuese).

      Ndërthurja ndërmjet llojeve të flijimeve (10)

1 – Nuk është e vlefshme të theret një kafshë e vetme me nijetin e kurbanit të Bajramit dhe akikes njëkohësisht, për shkak të ndryshimit në shkakun e therjes. Rregulli bazë është ndarja e qëllimeve. Por është thënë gjithashtu: Lejohet bashkimi i qëllimeve. Më afër së vërtetës është mendimi i parë (pra, ndarja).

2 – Nëse dita e Kurban Bajramit përkon me ditën e shtatë të lindjes së fëmijës, dhe personi ka vetëm një dele, atëherë ai e ther atë me nijetin e kurbanit, sepse koha e akikës është më e gjerë, ndërsa dita e kurbanit është më e kufizuar.

3 – Nëse një person ka vendosur të therë për dasmën e tij në ditën e Bajramit, atëherë synon me atë therje kurbanin, sepse është më e rëndësishme.

4 – Nuk lejohet ndërthurja midis kurbanit (ud’hije) dhe flijimit të haxhit (hedj), për shkak të ndryshimit në qëllim dhe vendosje.

   Dispozitat për lëkurën, kasapin dhe pjesët e tjera:

5 – Nëse kurbani është therur, por mishi nuk është shpërndarë derisa të prishet ose të ndryshojë, atëherë ai është përgjegjës për të dhënë vlerën e sadakasë së detyrueshme në masën që është dashur të jepet – nëse është neglizhencë dhe vonesë. Sa i përket asaj që është e pëlqyeshme, nuk ka përgjegjësi. Por nëse kurbani ishte zotuar me nedhr (zotim), atëherë ai është përgjegjës të japë të gjithë vlerën e mishit, nëse ka pasur pakujdesi apo neglizhencë.

6 – Dhënia e mishit therësit ka dy gjendje:

     a – Nëse kjo bëhet si shpërblim (pagesë) për therjen, atëherë nuk lejohet, për shkak të ndalesës së qartë që ka ardhur nga Profeti ﷺ për këtë.

    b – Nëse i jepet në formë sadakaje apo dhuratë, atëherë lejohet.

7 – Lejohet shitja e lëkurës së kurbanit dhe dhënia e saj si sadaka, por nuk lejohet që çmimi i saj të përdoret për përfitime që nuk lidhen me vepra të mira.

8 – Lejohet që lëkura e kurbanit të dhurohet, ashtu siç lejohet edhe për mishi, me kusht që kjo të mos jetë një mënyrë për të përfituar apo për të bërë tregti me të.

9 – Ai që ka marrë sadaka nga mishi ose lëkura e kurbanit, ose i është dhuruar diçka nga kjo, ka të drejtë ta shesë atë që ka marrë.

     Dispozita të tjera të hollësishme:

10 – Nëse kafsha e kurbanit është shtatzënë, ka dy gjendje:

       a – Nëse pjell gjatë therjes ose pas saj, atëherë gjykimi i të voglit është si i nënës,

dhe theret si pjesë e kurbanit sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.

      b – Nëse pjell para therjes, atëherë nëse theret bashkë me nënën, është mirë. Nëse e mban gjallë ose e shet, atëherë lejohet dhe ka të drejtë për këtë.

11 – Pirja e qumështit të saj është çështje me mospajtim, dhe mendimi më i saktë është se ajo ka dy gjendje:

      a – Nëse mosmjelja e saj i shkakton dëm, atëherë ajo milet dhe qumështi jepet si sadaka ose vlera e tij.

     b – Nëse nuk ka dëm nëse nuk milet, atëherë nuk lejohet të pihet prej saj, përveç qumështit të tepërt që nuk i nevojitet të voglit të saj. Nëse pihet prej saj pa këtë arsye, nuk është e vlefshme.

       Rregullat që lidhen me therësin e kurbanit (11)

1. A lejohet që therja e kurbanit të bëhet nga dikush që nuk falet? Kjo çështje varet nga mospajtimi ndër dijetarët në lidhje me gjykimin e atij që braktis namazin: a është jobesimtar apo jo?

2. A është e vlefshme therja e kurbanit nga një person që nuk falet aspak, dhe a lejohet të hahet prej saj? Kjo është si rasti i mëparshëm, dhe ndarja varet nga mendimi rreth statusit të personit që e braktis faljen plotësisht. Sipas mendimit më të saktë: ai që nuk falet, por nuk e mohon obligimin, nuk bëhet jobesimtar, por ka kryer mëkat të madh.

3. A lejohet që kurbani i një muslimani të theret nga një ithtar libri (hebrenj ose të krishterë)? Po, lejohet, sepse therja e tyre është e lejueshme për muslimanët.

4. Nuk lejohet që therja të bëhet nga një murted (ai që ka braktisur fenë) apo idhujtar (si budistët, ateistët), ose mohues i kushteve të imanit, sepse therjet e tyre nuk janë të vlefshme – sipas konsensusit.

5. Është e vlefshme therja nga gratë – pa ndonjë kundërshtim – përderisa përmbushin kushtet.

6. Therja nga fëmijët (të miturit) ka dy gjendje:

     a. Nëse fëmija nuk ka arritur moshën që kupton (temjiz) dhe kështu nuk kupton ende qëllimin e therjes – therja e tij nuk është e vlefshme, sepse i mungon nijeti.

     b. Nëse është fëmijë që ka arritur moshën që kupton (temjiz) – therja e tij është e vlefshme, sipas konsensusit.

7. Është e lejueshme që kurbani të theret natën, sipas mendimit më të saktë.

8. Shqiptimi i emrit të Allahut (bismilah) gjatë therjes së kurbanit është i detyrueshëm sipas dijetarëve, por bie detyrimi në rast harrese, padijeje apo pakujdesie. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

9. Nuk është kusht që therësi të bëjë nijet apo të përmendë emrin e pronarit të kafshës gjatë therjes. Mjafton që kafsha të jetë e caktuar për dikë, dhe emri nuk përmendet sepse njerëzit shpesh nuk janë të saktë në këtë.