Rreth të drejtave të njeriut në Islam

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

pictures_human570
Me Emrin e Allahut të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimi i Tij qofshin për zotërinë tonë, vulën e Profetëve, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Vendimi nr. 125 (13/8) Rreth të drejtave të njeriut në Islam.

 

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam, u mblodh në sesionin e tij të 13 në shtetin e Kuvajtit në datat 7-12 Sheval 1422 h. që korrespondon me 22-27 Dhjetor 2001 e.s.

Ai vendosi:

Ne besojmë se Allahu i Lartësuar është Ai i Cili ia ka dhuruar njeriut fisnikërinë, e cila është një ndër themelet e të drejtave dhe përgjegjësive dhe se është pikërisht Ai që i ka obliguar njeriut të drejta ndaj Tij, ndaj vetes, shoqërisë dhe mjedisit që e rrethon.

Një vështrimi i thellë, gjithëpërfshirës dhe i paanshëm i legjislacionit islam, e vetëdijëson njeriun që të pranojë me plotë bindje se Islami është i përshtatshëm për shoqërinë njerëzore dhe se është në përputhje të plotë me natyrën saj dhe universin, arsye kjo që e bën këtë fe, fe të natyrshmërisë njerëzore.

Një gjë të tillë e dëshmon dhe fjala e Allahut: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dine.” ER-RUM: 30.

Të drejtat e njeriut në Islam janë dhurata, të cilat shprehin nderimin që Allahu i ka bërë qenies njerëzore, Ai i ka obliguar të gjithë që t’i përmbahen atyre në përputhje të plotë me rregullat dhe kriteret e vendosura nga Sheriati.

Po ashtu duke qenë të bindur e duke besuar në dakordësinë e muslimanëve se Legjislacioni Islam është i përshtatshëm për të gjitha kohët dhe vendet, si dhe duke besuar në të drejtën e kombeve për të ruajtur specifikat e tyre kulturore dhe fetare me të cilat dallohen, si dhe të drejtën e çdo populli e bashkësie të gjykohet me ligjin dhe legjislacionin e zgjedhur prej tyre,  si dhe duke u nisur nga të gjitha sa u përmendën më lart, Këshilli vë theksin në atë që përmban deklarata e Kajros rreth të drejtave të njeriut në Islam e cila është nënshkruar nga ministritë e jashtme të shteteve Islame më datë: 14 Muharrem 1411 h,  që korrespondon me datën 5 Gusht 1990 e.s, po ashtu edhe në rezolutën e Asamblesë “Të drejtat e njeriut” e mbajtur nga Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në Xheda me datë: 8-10 Muharrem 1417 h që korrespondon me datat: 25-27 Maj 1996 e.s.

Popujt muslimanë me dëshirën dhe vullnetin e tyre i janë përmbajtur së drejtës islame dhe legjislacionit të tij, i cili është i qartë në kodin e tij civil, çështjen e gruas, lidhjeve familjare si dhe në çështjet të tjera, qofshin këto sociale ose ekonomike. Këto dispozita në shumë raste pajtohen edhe me deklaratën botërore të të drejtave të njeriut të shpallur në vitin 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Përmbajtja dhe qëllimet e kësaj deklarate përputhen me legjislacionin islam në disa aspekte dhe ndahen në disa të tjera, ato ndahen në esencën e çështjes së moralit dhe burimin ku bazohen parimet e fesë Islame.

Sheriati islam ka përcaktuar dispozita të cilat garantojnë ruajtjen e qëllimeve të tij tek krijesat njerëzore, ku më kryesoret ndër to janë ato që njihen si “pesë objektivat themelore” me të cilat ruhen të drejtat themelore të njeriut qofshin ato për mbrojtjen e individit, fesë, pasurisë, nderit dhe arsyes. Por, Sheriati Islam kuron edhe format e ndryshme të devijimit, duke vendosur masa mbrojtëse dhe ndëshkuese me qëllim mbrojtjen e shoqërisë, dhe kurimin e devijimeve, duke qenë i vetëdijshëm se këto masa penguese dhe ndëshkuese janë prezentë në të gjitha legjislacionet, në çdo kohë dhe vend.

Ne vëmë në dukje se shumë nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare e kanë pranuar dobinë dhe vlerën e legjislacionit islam, për zgjidhjen e shumë prej problemeve njerëzore, fakt ky që imponon njerëzit e arsyeshëm ta shohin me syrin e arsyes dhe të përfitojnë prej këtij legjislacioni.

Kështu që, përderisa karta e Kombeve të Bashkuara vë theksin në të drejtën e çdo shteti që të shtrijë të drejtën e tij në të gjithë territorin e tij gjeografik dhe ndalon ndërhyrjen në punët e tij të brendshme dhe se legjislacionet e veçanta në shtetet e pavarura nuk mund t’i nënshtrohen ligjeve dhe normave të huaja, prandaj bazuar në këto që u thanë, Akademia vendosi si më poshtë:

Së pari: Kërkojmë nga të gjitha Organizatat Ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, që të heqin dorë nga ndërhyrja në aspektet ku gjykon Sheriati Islam në jetën e muslimanëve dhe se nuk është e drejtë e tyre që të obligojnë muslimanët me ligjet dhe kulturën, e cila nuk pajton me ligjet dhe kulturën e tyre, si dhe nuk u lejohet atyre që të kërkojnë llogari dhe marrin masa, për refuzimin që muslimanët u bëjnë ligjeve të cilat nuk i pranojnë dhe as nuk i aplikojnë.

Së dyti: Kërkojmë themelimin e një qendre për të drejtat e njeriut, të varur nga “Organizata e Bashkëpunimit Islam” dhe kryerjen e të gjitha procedurave për themelimin dhe vendosjen e një statuti të posaçëm për të.

 

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam gjithashtu këshillon si më poshtë:

Një: Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam i bën thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave botërore dhe humanitare që të punojnë në kuadër të respektimit të të drejtave të pakicave muslimane në të gjitha shtetet e botës dhe të ruajnë drejtësinë me to, sidomos në këto kohë të vështira, duke vënë kështu në jetë parimin e drejtësisë dhe dhënies së çdo kujt të drejtën që i takon.

Dy: Këshilli i Akademisë shpreh të gjithë gatishmërinë për të bashkëpunuar me njohësit e ligjit dhe organizatat e shoqatat studimore ndërkombëtare, të të gjitha llojeve dhe pikëpamjeve për të studiuar rrugët e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut me anë të së cilës mund të arrihet siguria, drejtësia, mirëqenia dhe jeta dinjitare, po ashtu të parandalojmë korrupsionin dhe të vëmë në jetë bashkëjetesën mes njerëzve në bazë të parimeve të përmendura më sipër.

Le të jetë motoja jonë në këtë çështje fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” EN-Nahl: 90.

Si dhe fjala e Profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem) të cilën e deklaroi në haxhin e lamtumirës: “Gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta (ndaluara të nëpërkëmben), sikur shenjtëria e kësaj dite, këtij muaji dhe këtij vendi.”

Allahu na dhëntë sukses.