Kushti i parë i imanit: Besimi në Allahun
Besimi në Allahun është detyrë mbi detyrat, obligim mbi obligimet dhe parimi bazë i fesë islame. Pa këtë besim, nuk kanë kuptim jeta dhe ekzistenca jonë. Besimi në Allahun është domosdoshmëri e patjetërsueshme nga ku rrjedhin të gjitha parimet e tjera islame dhe kushtet e tjera të besimit. Gjithashtu ky besim është treguesi kryesor i vlefshmërisë së punëve tona dhe e pranimit të tyre.
Argumentet e ekzistencës së Zotit
Argumentet që vërtetojnë dhe faktojnë ekzistencën e Zotit janë të panumërta. Çdo gjë që na rrethon dëshmon për këtë, madje çdo krijesë, sa do e vogël apo e thjeshtë qoftë, është argument më vete. Çdo send në këtë botë i përket dikujt. Nëse shtëpia është e një ndërtuesi, fjala e një folësi, libri i një shkrimtari, gravura e një piktori, vepra e një mjeshtri dhe produkti i një prodhuesi, ashtu dhe gjithësia është e një krijuesi.
Ndër argumentet e shumta që të çojnë në njohjen e Zotit është dhe logjika, fuqia e arsyetimit, kjo dhuratë kaq e madhe që e dallon njeriun nga kafshët. Dhuratë, nëpërmjet së cilës njeriu njeh dhe kupton vetveten, dallon të keqen nga e mira dhe kupton se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë. Arsyeja e pastër e njeriut e bën atë të pyes: Kush jam unë? Pse ekzistoj? Nga erdha, ku ndodhem dhe ku do të shkoj?
Të gjitha krijesat ndryshojnë me kalimin e kohës nga një gjendje në tjetrën dhe të gjitha janë subjekt i ndryshimit dhe i zhvendosjes. Të gjitha ecin drejt një vendi të paracaktuar. Vetë njeriu dhe toka ku jeton si dhe trupat qiellorë që e rrethojnë, lëvizin sipas një rendi të caktuar. Sa e çuditshme që dhe elektronet, si grimca më të vogla që janë, sillen e rrotullohen rreth bërthamës së atomit ashtu siç rrotullohen planetet në sistemin diellor? Çdo gjë pra është në lëvizje, ka një fillim dhe një mbarim. A mos vallë kjo është diçka e rastësishme? Asgjë nuk erdhi vetë dhe as vetvetiu, sepse asgjëja nuk jep gjë, pra s’mund të krijojë. Ashtu dhe ajo që është, nuk e krijoi dot veten e vet dhe asgjë tjetër jashtë saj. Allahu i madhëruar në Kur’an thotë: “A nuk e përkujton njeriu se Ne e krijuam atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë?!” Merjem 67. Në një verset tjetër thotë: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo ata janë krijuesit e vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Et-Tur 35-36.
Krijesat e panumërta dhe ndryshimi mes tyre, shumëllojshmëria e gjallesave, bimëve dhe kafshëve, e frutave dhe e ushqimeve dëshmojnë për autorin e tyre. Ne si njerëz jemi dëshmitar se në këtë botë asgjë nuk funksionon vetvetiu, por çdo gjë ka një shkak dhe çdo shkak sjell një pasojë. Kush i krijoi qiejt dhe tokën, kush i nënshtroi në lëvizje planetet, yjet, diellin dhe hënën? Kush e bëri tokën të banueshme dhe vendosi në harmoni të përkryer malet dhe fushat, lumenjtë, detrat dhe liqenet? Cili është ai që e bëri ujin burim të çdo gjallese dhe e bëri ajrin aq të rëndësishëm e të pranishëm pikërisht aty ku gjallërojnë gjallesat? Ashtu dhe dukuritë natyrore, era, shiu, ndryshimi i klimës sipas ndryshimit të relievit, ndryshimi i natës dhe i ditës dhe çdo lëvizje tjetër në natyrë, kush i bëri të veprojnë e të zhvillohen sipas një ligji unik dhe të përpiktë? Logjika jonë do të vendosë pa hezitim se këto dukuri nuk janë produkt i rastësisë, por i Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Madhërishëm.
Nga ana tjetër, kur shikojmë përsosmërinë në krijimin e krijesave, vërtetojmë dijen e plotë, urtësinë dhe përsosmërinë e Krijuesit. Po të vështrojmë krijesën më të thjeshtë në syrin tonë, do të befasohemi në mrekullinë e krijimit të saj. E ç’mund të thuhet për njeriun që është një qenie tepër komplekse, fizike e biologjike, e për më tepër një qenie me ndjenja dhe arsye?!
E pra, asgjë nuk erdhi vetvetiu, aq më tepër pa një qëllim. Çdo gjë që filloi dhe u krijua, ka ndodhur sipas Dijes dhe Urtësisë Absolute të Zotit Krijues, Allahut të Madhërishëm, i cili thotë: “Mos vallë, menduat se j’u krijuam kot dhe nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” El-Mu’minun 115. Në një verset tjetër thotë: “Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur! Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” Ed-Duhan 38-39.