Takim special me Myftiun e Beratit të nderuarin Qeramudin efendi Durdia

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Karvanit të miqve të LHSH-së iu bashkëngjit edhe Myftiu i Beratit hoxha Qeramudin Durdia i ftuar special në një takim me hoxhallarët e rinj në një takim midis brezash. Pas hoxhës Burhanudin Fili një nga miqtë dhe dashamirët e afërt të Lidhjes së Hoxhallarëve ishte radha e Myftiut Qeramudin Durdia të ishte pjesëmarrës me me një bisedë dhe këshillë për hoxhallarët tanë. Myftiu Durdia e nisi bisedën e tij të këndshme me një prezantim nga jeta e tij dhe studimet në Medresenë e Tiranës, e më pas me shërbimin e tij si mësues në rrethin e Beratit dhe vështirësitë e panumërta dhe të mëdha gjatë periudhës së regjimit komunist, e sidomos pas vitit të errët 1967, kohë kur të gjitha fetë u ndaluan në Shqipëri ligjërisht. Më pas ai përkujtoi vitet e para të pas-demokracisë kur edhe filloi shërbimin si Myfti i Beratit, si shembull i një përvoje të mirë për të gjithë hoxhallarët e davetit. Më pas me shumë nostalgji kujtoi momente të veçanta nga puna e tij me medresenë Vexhi Buharaja të Beratit. Përveç këshillave praktike dhe kujtimeve të shumta, që ndau me hoxhallarët Myftiu Qeramudin Durdia përcolli edhe një këshillë shpirtërore, ku renditi argumente mbi emrin e bukur dhe cilësinë e Allahut të Madhëruar – el-Vekil. Të pranishmit u prekën nga kjo këshillë e Myftiut të Nderuar dhe kjo e bëri atmosferën e këtij takimi të bereqetshëm edhe më të këndshme për të gjithë.

Më pas Myftiut iu drejtuan pyetje nga më të ndryshme nga të pranishmit, ku edhe biseda vijoi në një atmosferë të ngushtë vllazërore, ku shumë nga hoxhallarët shuan kureshtjen e tyre për probleme të ndryshme praktike. Në takimin me hoxhën e nderuar merrnin pjesë hoxhallarë nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ky takim u realizua në kuadër të programit të takimeve mujore me figura dhe intelektualë muslimanë me kontribute për xhematin me organizimin nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë pranë mjediseve të saj.

Zyra e Medias Tiranë më 30 tetor 2019