Tefsiri i përmbledhur i Kuranit është një tjetër hap përpara në botimet rreth librit të Allahut të Madhëruar dhe një ndihmesë e madhe për hoxhallarët dhe punën e tyre,- këto ishin dy pikat kryesore të vërejtura nga grupi botues i këtij libri gjatë promovimit të këtij libri shumë të rëndësishëm. “Shpjegimi i përmbledhur i Kuranit” botimi më i fundit i LHSH-së u promovua midis një grupi të madh hoxhallarësh, që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si nga Berati, Pogradeci, Durrësi, Kavaja, Shkodra, Tirana etj. Për shkak edhe të kushteve të epidemisë organizatorët vendosën që ky promovim të bëhej vetëm me hoxhallarët, duke pasur parasysh që në të ardhmen do të ketë një ribotim, i cili do t’iu shërbejë edhe inteligjencies muslimane, por njëkohësisht do të jenë lehtësuar edhe kushtet e kësaj epidemie. Hoxhallarëve, miqve dhe dashamirëve të pranishëm në këtë tubim iu uroi mirëseardhjen kryetari i LHSH hoxhë Sokol Kondakçiu, i cili tha, se LHSH do të krijojë gjithmonë kushtet e mira dhe të përshtatshme për të pasur gjithnjë punë të mira. Më pas e mori fjalën hoxhë Myrteza Bode një nga përkthyesit e këtij tefsiri i cili tha, se: “Libri që mbani ndër duar dëshmon për kujdesin që është treguar për të sjellë tek lexuesi një variant të përmbledhur dhe të thjeshtuar, i cili nuk cungon përmbajtjen dhe nuk përjashton deduktimet dhe frymën meditive me të cilën ajetet e Kuranit të përfshijnë në mënyrë të natyrshme. Te tefsiri më bëri përshtypje qartësia frazeologjike dhe thjeshtësia e tij, larg terminologjisë së komplikuar dhe të ndërlikuar, reduktimi në shpjegimin e ajeteve dhe qartësimi i kuptimit të tyre pa hyrë në çështjet e debatuara apo në çështjet gjuhësore dhe juridike apo të ngjashme me to.”
Ndërsa Dr. Edvin Cami redaktor gjuhësor i këtij botimi vërejti ndër të tjera, se: “Aspekti estetik, poetik i tekstit është shumë i rëndësishëm në rastin e Kuranit, por që vështirë se mund të arrihet kur synohet përmbajtja. Unë besoj se me këtë vepër është hedhur një hap përpara, pastaj hapat e tjerë do t’i hedhin të tjerët pas nesh.”
Hoxhë Mustafa Tërniqi pasi u mor gjerësisht me kritikën e përkthimit dhe të teknikave përkatëse për tekstin vërejti, se “Vërtet ky libër është një ndihmë për hoxhallarët, sepse nëse dikushi prej nesh do të mbajë një hytbe apo ligjërim në ditë xhumaje do të shikojë aty një ajet, do të marri përkthimin, pikërisht ky përkthimi këtu poshtë është i larmishëm nga të gjithë përkthimet që kanë qenë më përpara, ka një gjuhë të pasur dhe për rrjedhojë është ndihmë për të gjithë ne.
Hoxhë Justinian Topulli foli për ndërtimin e këtij libri në cilësinë e botuesit të këtij tefsiri të rëndësishëm dhe tha, se “Botimi që kemi bërë ne ka tre tekste, ka tekstin në arabisht origjinalin, ka tekstin në shqip të Kuranit, ka edhe tefsirin. Ky botim po shpërndahet nëpër hoxhallarë pikërisht për të mbledhur vërejtjet dhe sugjerimet. Komenti i sures fillon me synimet e sures e më pas vjen shpjegimi. Tefsiri që është bërë këtu është një perifrazim i ajeteve të Kuranit, jo me rimë, por për të thjeshtuar dhe për të qenë i qartë kryesisht për njerëzit e thjeshtë.” Të pranishmit dhanë vlerësimet e tyre, po ashtu shprehën edhe vërejtjet se si mund të përmirësohej puna e hoxhallarëve. Ky libër u mirëprit nga të pranishmit, të cilët shfaqën interesin maksimal për ta lexuar dhe më pas në ditët në vijim do të japin edhe vërejtjet e tyre pranë grupit redaktues e botues të këtij tefsiri, të cilat do të merren parasysh për në ribotimin e shpejtë që pritet të bëhet.