Vapa e verës si përkujtues i nxehtësisë së zjarrit të Xhehenemit

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri natën dhe ditën të ndryshme për atë që dëshiron të përkujtojë ose të jetë mirënjohës. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm, pa asnjë ortak, në jetën e përkohshme dhe në jetën e përhershme. Dëshmoj gjithashtu se profeti ynë Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, ai me të cilin Allahu hapi sytë e verbër, veshët e shurdhër dhe zemrat e mbuluara. O Allah, dërgo salavatet, paqen dhe begatitë e Tua mbi të dhe mbi familjen e tij dhe shokët e tij, të cilët e mbushën dynjanë me bindje dhe devotshmëri.

O ju muslimanë! Porosia më e madhe është fjala e Allahut të Lartësuar ku thotë:

(وَاتَّقُوا اللَّهَ وَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ)

“Kijeni frikë Allahun dhe dijeni mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” El Bekare: 203

(وَاتَّقُوا اللَّهَ وَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ مُلَاقُوهُ وَبَشِّرِ الْمُؤْمِنِينَ)

“Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë, e jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).” El Bekare: 223

Vëllezër dhe motra muslimanë! Njeriu gjatë jetës së tij përjeton shenja dhe fakte të shumta madhështore nga shenjat kozmike që Allahu i shfaq në këtë Gjithësi dhe të cilat duhet t’i shfrytëzojë për të nxjerrë mësime dhe për të marrë këshilla.

Ja ku jemi duke kaluar stinën e verës me nxehtësinë e saj të madhe, gjë që i shtyn njerëzit të kërkojnë mënyra të ndryshme për t’u mbrojtur nga ashpërsia e vapës – ndërkohë që këtu jemi në këtë jetë kalimtare, në një botë që do të marrë fund. Po si do t’i vejë halli atëherë në botën tjetër ku qëndrimi është i përhershëm, kur përfundimi do të jetë ose në Xhenet që nuk shteron kurrë, ose në një zjarr që digjet me egërsi të paimagjinueshme?

I mençur është ai që i shfrytëzon rastet kur përjeton ligjet e pandryshueshme të Allahut në këtë univers dhe shenjat e Tij madhështore, për t’u përgatitur për në vendin e shpërblimit – me çdo vepër që e kënaq Zotin e tij dhe që bëhet shkak për shpëtim të përhershëm dhe sukses të përjetshëm.

Vërtet, nxehtësia e madhe e verës duhet të na kujtojë se pas kalimit nga kjo botë do të vijë një botë tjetër, në të cilën ka ngjarje që frikësojnë dhe pamje që tmerrojnë:

(وَقَالُوا لَا تَنْفِرُوا في الْحَرِّ قُلْ نَارُ جَهَنَّمَ أَشَدُّ حَرًّا لَوْ كَانُوا يَفْقَهُونَ)

“Dhe thanë: Mos dilni në luftë në vapë!” Thuaj: Zjarri i Xhehenemit është më i nxehtë, sikur ta kuptonin!” (Et Teube: 81).

Ndaj dhe njerëzit me zemra të gjalla kur përjetojnë momentet e verës shtojnë përkujtimin dhe meditimin, sepse i nxehti i verës dhe flakët e saj mbartin në vetvete shenja nga flakët e Ahiretit. Ato e vendosin besimtarin të kontrollojë veten, e shtyjnë të kujtojë dhe përfytyrojë atë që i pret njerëzit në fushën e Kiametit, duke pritur gjykimin, dhe çfarë pason më pas nga dënimi me zjarrin përvëlues; zjarr që është shumë më i fortë se zjarri i dynjasë!

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhehenemi iu ankua Zotit të vet, e i tha: “O Zoti im! Kam filluar ta ha vetveten!” Andaj, Allahu ia mundësoi dy frymëmarrje: Njërën gjatë dimrit, E tjetrën gjatë verës. Pjesë e kësaj janë vapa e madhe dhe acari i tepërt që ndieni ju.” Buhari dhe Muslimi

Vërtet, të nxehtin e madh dhe përvëlues që e ndjen njeriu gjatë ditës, nuk është tjetër veçse një shfryrje nga flakët e Xhehenemit – i kërkojmë mbrojtje Allahut prej tij dhe prej nxehtësisë së tij.

Ndër lutjet e Profetit ﷺ ishte: “O Allah, unë kërkoj mbrojtje te Ti nga nxehtësia e Xhehenemit.”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zjarri juaj është një e shtatëdhjeta pjesë e zjarrit të Xhehenemit.” Dikush i tha: “O i Dërguari i Allahut, edhe po të ishte sa zjarri i dynjasë, do të ishte i mjaftueshëm.” Ai tha: “Ai (zjarri i Xhehenemit) është për gjashtëdhjetë e nëntë hise më i nxehtë. Secila hise ka nxehtësinë e zjarrit të dynjasë.” Buhariu dhe Muslimi

Ndërsa Mikdad ibn Esvedi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Në Ditën e Kiametit, Dielli u afrohet njerëzve, saqë do të jetë në një afërsi prej një milje.” Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Njerëzit do të jenë në djersë sipas veprave të tyre: dikush do të jetë i zhytur deri te nyjat e këmbëve, dikush deri te gjunjët, dikush deri te beli, dikush do të mbulohet me djersë deri te goja” – dhe i Dërguari i Allahut ﷺ bëri me dorë nga goja. Muslimi

Prandaj është e denjë për njeriun e arsyeshëm t’i bëjë vetes pyetjen, ndërsa ruhet nga të nxehtit e kësaj bote: Çfarë ka përgatitur për të nxehtin e botës tjetër dhe zjarrin e saj?!

O ti që nuk duron një qëndrim të shkurtër në vapën e mesditës: si do të jetë gjendja jote kur dielli t’i afrohet kokave të njerëzve, qëndrimi të zgjasë, vuajtja të bëhet e madhe dhe turma të bëhet e dendur?!