Vlera e këshillimit dhe konsultimit në Islam

Lidhja e Hoxhallarëve
24 minuta lexim

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Tek Allahu strehohemi prej të këqijave të vetvetes dhe prej veprave tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbë, ndërsa atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm dhe pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

O Allah! Dërgo paqe dhe bekime mbi robin dhe të Dërguarin Tënd, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

Vëllezër dhe motra të nderuar!

Njeriu, sado i zgjuar të jetë, nuk i di të gjitha. Sado përvojë të ketë, nuk mund t’i shohë të gjitha anët e një çështjeje. Sado i mençur të jetë, mund të gabojë në gjykimin e tij.

Sepse një njeri sheh një anë të çështjes, ndërsa një tjetër mund të shohë një anë që atij i ka shpëtuar. Prandaj, njerëzit kanë nevojë për njëri-tjetrin, për përvojat e njëri-tjetrit dhe për këshillat e sinqerta të njëri-tjetrit.

Dhe nëse do të kishte ndonjë njeri që mund të ishte më pak i nevojshëm për këshillimin e njerëzve, ai do të ishte i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ.

Ai ishte i lidhur me qiellin; i vinte shpallja nga Allahu. Ai ishte njeriu me mendjen më të shëndoshë, me natyrën më të pastër, me gjykimin më të drejtë dhe me largpamësinë më të madhe. Megjithatë, Allahu i Madhëruar e urdhëroi atë që të këshillohej me shokët e tij.

Allahu thotë:

فَاعْفُ عَنْهُمْ وَاسْتَغْفِرْ لَهُمْ وَشَاوِرْهُمْ فِي الْأَمْرِ ۖ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ

“Prandaj falua atyre, kërko falje për ta dhe këshillohu me ta për çështjen. E kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu.” (Ali Imran, 159)

Allahu e urdhëroi Profetin ﷺ që të falte, të kërkonte falje për ta dhe pastaj të këshillohej me ta.

Sa mësim i madh gjendet në këtë!

Nëse Profeti ﷺ, të cilit i vinte shpallja nga qielli, këshillohej me shokët e tij, atëherë çfarë mund të themi për ne?

Nëse ai ﷺ kërkonte mendimin e të tjerëve, atëherë si mund të mendojë dikush prej nesh se nuk ka nevojë për askënd?

Si mund të thotë njeriu: “Vetëm unë kam të drejtë! Vetëm mendimi im është i saktë! Nuk kam nevojë të dëgjoj askënd!” Ky nuk është moral i besimtarit të mençur.

I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e la urdhrin e Allahut vetëm si një parim teorik, por e zbatoi atë në jetën e tij në mënyrën më të bukur. Në shumë ngjarje të mëdha ai ﷺ këshillohej me shokët e tij.

Në një rast, kur Profeti ﷺ mori lajmin për ardhjen e ushtrisë së Ebu Sufjanit, ai ﷺ u këshillua me shokët e tij. Foli Ebu Bekri, pastaj foli Umeri, derisa u ngritën disa prej ensarëve dhe shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për ta mbështetur të Dërguarin e Allahut ﷺ.[1]

Po kështu, pas betejës së Bedrit, kur myslimanët kishin marrë robër nga ushtria kundërshtare, Profeti ﷺ u këshillua me shokët e tij të mëdhenj për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje.[2]

Po ashtu në ngjarjen e Uhudit, Profeti ﷺ i mblodhi njerëzit dhe u këshillua me ta lidhur me mënyrën se si duhej përballuar armiku.[3]

Edhe në çështje shumë të ndjeshme, Profeti ﷺ kërkonte mendimin e njerëzve të tij. Në ngjarjen e shpifjes ndaj familjes së tij, ai ﷺ u tha njerëzve: “Më këshilloni si të sillem me disa njerëz që kanë dëmtuar familjen time me shpifje.”[4]

Kjo na mëson se këshillimi nuk është dobësi. Përkundrazi, shpeshherë këshillimi është shenjë e mençurisë, pjekurisë dhe forcës së karakterit.

Njeriu i dobët mendon se, duke kërkuar mendimin e të tjerëve, humbet autoritetin e tij. Por njeriu i mençur e kupton se mendja e një njeriu është një mendje, ndërsa këshillimi bashkon shumë mendje dhe shumë përvoja.

 

Pse e urdhëroi Allahu Profetin të këshillohej?

Dijetarët kanë shpjeguar se Allahu nuk e urdhëroi Profetin ﷺ të këshillohej sepse ai kishte nevojë për dijen e shokëve të tij.

Hasan el-Basriu dhe Dahhaku kanë thënë: “Allahu nuk e urdhëroi Profetin e Tij të këshillohej sepse kishte nevojë për mendimin e tyre, por për t’u mësuar atyre vlerën e këshillimit dhe që umeti i tij ta merrte atë si shembull pas tij.”[5]

Kjo është një nga urtësitë më të mëdha të këshillimit: që njerëzit të mësojnë të mos jetojnë të mbyllur brenda mendimit të tyre.

Në komentimin e këtij ajeti, dijetarët kanë theksuar se këshillimi është prej parimeve të rëndësishme të jetës islame dhe se Profeti ﷺ e praktikonte atë në çështjet ku kërkohej gjykim dhe vlerësim njerëzor.  Prandaj Allahu i Madhëruar i lavdëroi besimtarët duke thënë:

وَالَّذِينَ اسْتَجَابُوا لِرَبِّهِمْ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَمْرُهُمْ شُورَىٰ بَيْنَهُمْ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ

“për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne.” (Esh-Shura, 38)

Besimtari nuk është kokëfortë. Ai nuk e sheh veten si njeriun që i di të gjitha. Ai dëgjon. Ai mendon. Ai pyet. Ai këshillohet. Pastaj, pasi të ketë marrë mendimet dhe të ketë shqyrtuar çështjen, vendos dhe mbështetet tek Allahu.

Dhe kjo është pikërisht ajo që na mëson ajeti: “Këshillohu me ta për çështjen. E kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu.”

Këshillimi nuk do të thotë që njeriu të mbetet përgjithmonë i pavendosur. Nuk do të thotë që ai të pyesë dhjetëra njerëz derisa të dëgjojë atë përgjigje që i pëlqen. Por do të thotë: të kërkosh mendimin e njerëzve të duhur e të mençur, të dëgjosh me sinqeritet, të shqyrtosh çështjen dhe pastaj të marrësh vendimin duke u mbështetur tek Allahu.

 

Ai që këshillohet, nuk pendohet

Në trashëgiminë islame është e përhapur shprehja: “Nuk pendohet ai që këshillohet.”

Kjo shprehje përcjell një kuptim shumë të rëndësishëm: njeriu që konsultohet me njerëzit e mençur dhe me përvojë ka më shumë mundësi të arrijë tek vendimi i drejtë sesa ai që mbështetet vetëm tek vetja.

Është transmetuar nga Aliu: “Sa ndihmë e mirë është këshillimi, dhe sa përgatitje e keqe është veprimi i njëanshëm.”[6]

Ndërsa Umeri ka thënë, në kuptim: “Njerëzit janë tre: një njeri që përballet me çështjet dhe i zgjidh ato me mendimin e tij; një tjetër që këshillohet kur një çështje i bëhet e paqartë dhe ndjek mendimin e njerëzve të mençur; dhe një tjetër që mbetet i hutuar, as nuk ndjek rrugën e drejtë dhe as nuk dëgjon këshillën e udhëzuesit.”[7]

Po ashtu, Umer ibn Abdulazizi ka thënë: “Këshillimi dhe diskutimi janë dyer të mëshirës dhe çelësa të bereqetit. Me to mendimi nuk humbet rrugën dhe vendosmëria nuk dobësohet.”[8]

Dhe sa bukur kanë thënë disa prej njerëzve të urtë: “Njeriu i mençur duhet t’i shtojë mendimit të tij mendimet e të mençurve dhe mendjes së tij mendjet e dijetarëve, sepse mendimi i vetëm mund të gabojë dhe mendja e vetmuar mund të humbasë.”

Kjo është arsyeja pse njeriu nuk duhet të magjepset me mendimin e vet. Sepse një nga sëmundjet më të rrezikshme është që njeriu të mendojë: “Unë nuk gaboj.”

Sa probleme do të ishin shmangur në familjet tona, sikur njerëzit të këshilloheshin para se të merrnin vendime! Sa martesa nuk do të ishin shkatërruar! Sa konflikte familjare nuk do të kishin ndodhur! Sa humbje ekonomike nuk do të ishin pësuar! Sa vendime të nxituara nuk do të ishin marrë!

Por problemi është se shumë njerëz kërkojnë këshillë pasi të kenë gabuar, ndërsa i mençuri kërkon këshillë para se të veprojë.

 

Në cilat çështje duhet të këshillohemi?

Besimtari duhet të këshillohet në çështjet e rëndësishme të jetës.

Në çështjet familjare. Në martesë. Në edukimin e fëmijëve. Në punë dhe biznes. Në vendime të mëdha ekonomike. Në udhëtime. Në çështje që kanë pasoja për familjen dhe njerëzit e tjerë.

Umeri, një prej njerëzve më të mençur dhe më të vendosur të këtij umeti, u këshillua me Profetin ﷺ edhe për çështjen e pasurisë së tij, se ku duhet ta jepte.[9]

Kjo na mëson se nuk është turp të këshillohesh. Nuk është turp të thuash: “Nuk e di se cili është vendimi më i mirë.” Përkundrazi, turp është të veprosh me mendjemadhësi dhe pastaj të shkatërrosh veten dhe familjen tënde.

Edhe në çështjen e martesës, këshillimi ka rëndësi të madhe. Martesa nuk është një vendim i vogël. Ajo nuk është vetëm një festë; ajo nuk është vetëm një ditë. Ajo është një jetë. Prandaj duhet të kërkohet mendimi i njerëzve të mençur, të njohur për fenë, karakterin dhe përvojën e tyre.

Dhe më e rëndësishme nga të gjitha është se, gruaja duhet të konsultohet për martesën e saj dhe të merret parasysh vullneti i saj. Sepse martesa nuk është një çështje ku vendosin të gjithë të tjerët për të, ndërsa ajo nuk pyetet. Në Islam, mendimi dhe pëlqimi i saj kanë rëndësi.

Po ashtu, historia e këshillimit të Umu Selemes ndaj Profetit ﷺ në ditën e Hudejbijes është një nga shembujt më të bukur rreth vlerës së mendimit të drejtë. Në një moment të vështirë, këshilla e saj e mençur solli një zgjidhje të madhe. [10]

Kjo na mëson se urtësia nuk është e kufizuar vetëm tek një person. Njeriu mund të gjejë një mendim të drejtë tek bashkëshortja e tij, te prindi. Tek fëmija i tij i rritur, tek një mik i sinqertë, një dijetar, apo tek një njeri me përvojë. Rëndësi ka që këshillimi të bëhet me personin e duhur.

 

Me kë duhet të këshillohemi?

Jo çdo njeri është i përshtatshëm për çdo këshillim.

Nëse çështja është fetare, pyet njerëzit e dijes. Nëse është çështje ekonomike, pyet njerëzit që kanë përvojë dhe ndershmëri. Nëse është çështje familjare, kërko një njeri të mençur, të matur dhe të drejtë. Nëse është një çështje profesionale, pyet njerëzit që e njohin atë profesion.

Nuk është mençuri të kërkosh këshillë nga dikush që nuk e njeh fare çështjen.

Dijetarët kanë përmendur se personi me të cilin këshillohesh duhet të ketë cilësi të rëndësishme: Të jetë i mençur, të ketë përvojë, të jetë i besueshëm, të jetë i sinqertë, të dëshirojë të mirën për ty dhe të mos jetë rob i interesit të tij personal.[11]

Sepse mund të ketë njerëz që të japin këshillë jo për të mirën tënde, por për interesin e tyre. Prandaj nuk mjafton vetëm pyetja: “Kë të pyes?” Por duhet pyetur: “A është ky person i aftë, i sinqertë dhe i besueshëm për këtë çështje?”

Sa e bukur është thënë: “Këshillohu me atë që ka i provuar çështjet, sepse ai të jep falas një mendim për të cilin vetë ka paguar shtrenjtë me përvojën e tij.”

 

Çfarë duhet të bëjë njeriu kur dikush kërkon këshillën e tij?

Nuk je gjithmonë vetëm ti ai që kërkon këshillë. Ndonjëherë dikush vjen tek ti dhe thotë: “Çfarë mendon për këtë?” “A duhet ta bëj këtë?” “Më jep një këshillë të sinqertë.” Në këtë moment, sigurisht që ti ke një përgjegjësi.

Ebu Hurejre transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që këshillohet është person i besuar.”[12]

Kjo do të thotë se kur dikush të beson një çështje të tijën dhe kërkon mendimin tënd, ti nuk duhet ta tradhtosh atë. Nuk duhet t’i japësh një këshillë të rreme. Nuk duhet ta drejtosh drejt diçkaje që e dëmton, ndërkohë që e di se e mira e tij gjendet diku tjetër. Nuk duhet ta përdorësh këshillën për interesin tënd. Nuk duhet të thuash atë që ai dëshiron të dëgjojë, vetëm që të të pëlqejë.

Këshilluesi i sinqertë nuk është ai që të thotë gjithmonë: “Po, ke të drejtë. Jo! Këshilluesi i sinqertë është ai që ndonjëherë të thotë: “Vëllai im, po gabon. Kjo rrugë nuk është e mirë për ty. Mos u ngut. Mendoje edhe një herë. Pyet dikë që e njeh më mirë këtë çështje.” Kjo është këshilla e sinqertë.

Ndërsa ai që të sheh duke shkuar drejt dëmit dhe hesht, vetëm që të mos të mërzitë, nuk të ka bërë nder.

 

Këshillimi është amanet

Kur të kërkohet mendimi, duhet të flasësh me: sinqeritet, drejtësi, dije, dhe frikë ndaj Allahut. Por nëse nuk e di çështjen, mos u turpëro të thuash: “Nuk e di.” Sepse një nga këshillat më të këqija është të flasësh për atë që nuk e njeh.

Nuk është amanet që dikush të kërkojë mendimin tënd për një çështje fetare, ekonomike, familjare apo profesionale dhe ti të japësh një përgjigje me hamendje.

Ndonjëherë këshilla më e mirë është: “Kjo çështje duhet t’i drejtohet një personi më kompetent se unë.” Ky është sinqeritet, jo dobësi.

 

Jo çdo gjë është objekt këshillimi

Megjithatë, o besimtarë, duhet të kuptojmë edhe një parim tjetër të rëndësishëm: Ka çështje për të cilat nuk duhet të kërkojmë këshillë nëse do t’i bëjmë apo jo, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë dhënë një urdhër të qartë.

Njeriu nuk thotë: A duhet të falem apo jo? A duhet të agjëroj Ramazanin apo jo? A duhet t’i ndihmoj të varfrit apo jo? A duhet të jem i drejtë apo jo?

Sepse në çështjet ku urdhri i Allahut është i qartë, besimtari nuk kërkon këshillë për të vendosur nëse do t’i bindet Allahut apo jo. Këshillimi mund të jetë për mënyrën e zbatimit, për zgjedhjen ndërmjet disa rrugëve të lejuara, për kohën, për metodën dhe për mjetet. Ndërsa bindja ndaj Allahut nuk vihet në votim.

Nëse Allahu ka urdhëruar një gjë, atëherë përgjigjja e besimtarit është: “Dëgjuam dhe u bindëm.”

Allahu na ka mësuar se edhe kur njeriu konsultohet dhe merr shkaqet, zemra e tij duhet të mbetet e lidhur me Allahun. Prandaj ajeti nuk përfundon vetëm me fjalët: “Këshillohu me ta.” Por vazhdon: “E kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu.”

Kjo është rruga e drejtë: Mos u ngut. Këshillohu. Merr mendimin e njerëzve të duhur. Bëj istihare dhe kërko të mirën nga Allahu. Merr vendimin. Dhe pastaj mbështetu tek Allahu.

Mos u bë rob i frikës. Mos u bë rob i pavendosmërisë. Mos pyet pafundësisht njerëzit derisa të humbasësh kohën dhe vendosmërinë. Por pasi të kesh bërë atë që mundesh, thuaj: “O Allah, unë mora shkaqet dhe tani mbështetem tek Ti.”

 

Mësime për familjet dhe shoqërinë tonë

Vëllezër dhe motra! Ne kemi shumë nevojë për kulturën e këshillimit në familjet tona. Burri duhet të këshillohet me gruan e tij. Gruaja duhet të këshillohet me burrin e saj. Prindërit duhet t’i dëgjojnë fëmijët e tyre, sidomos kur ata janë të rritur dhe kanë mendim e përvojë. Fëmijët duhet të dëgjojnë prindërit e tyre. Vëllezërit duhet të këshillohen me njëri-tjetrin. Drejtuesit duhet të dëgjojnë njerëzit e mençur. Imamët dhe përgjegjësit duhet të dëgjojnë mendimet e dobishme.

Askush nuk duhet ta konsiderojë veten mbi këshillën. Sepse mendjemadhësia e mbyll derën e këshillës, ndërsa përulësia e hap atë.

Sa e sa familje janë dëmtuar sepse njëri prej tyre ka marrë një vendim të madh pa pyetur askënd! Sa të rinj kanë bërë gabime sepse kanë pasur turp të kërkojnë këshillë! Sa njerëz janë futur në borxhe dhe mashtrime sepse nuk janë këshilluar me njerëz të ditur! Sa martesa janë lidhur e prishur me nxitim! Sa konflikte janë zgjatur sepse askush nuk ka pranuar të dëgjojë tjetrin!

Prandaj, le ta përhapim mes nesh moralin e këshillimit.

Le të mësojmë të themi: “Çfarë mendon? Më jep një këshillë të sinqertë. Ndoshta unë nuk po e shoh çështjen nga të gjitha anët.

Dhe le të mësojmë gjithashtu të pranojmë këshillën. Sepse nuk mjafton vetëm ta kërkosh këshillën. Njeriu duhet të ketë zemër të madhe për të pranuar të vërtetën, edhe kur ajo nuk i pëlqen.

 

O Allah!

Na jep mendje të shëndoshë dhe zemra të drejta.

Na bëj prej atyre që këshillohen në çështjet e tyre.

Na bëj prej atyre që japin këshillë me sinqeritet.

Na ruaj nga mendjemadhësia dhe nga magjepsja me mendimin tonë.

Na jep njerëz të mirë dhe të sinqertë pranë nesh.

Na udhëzo drejt vendimeve të drejta.

Na jep bereqet në familjet tona, në punët tona dhe në jetën tonë.

O Allah, na bëj prej atyre që dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën prej saj.

O Allah! Na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët, burra e gra, të gjallë dhe të vdekur.

Dërgo paqe dhe bekime mbi Profetin tonë Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

 

Bledar T. Haxhiu

_______________________________

[1] Sijretu Nebevije, Ibn Hisham, 1/615; Bidaje ve Nihaje, Imam Dhehebi, 3/289.

[2] Po aty.

[3] Sijretu Nebevije, Ibn Hisham, 2/63; Tefsir Kurtubi

[4] Buhariu

[5] Edebul Mufred, Buhari, nr (258)

[6] Edebu Dunia ve Din, Ebu Hasen Maverdi, fq. 260; Fejdul Kadir, Menavi, 6/268.

[7] Edebu Dunia ve Din, Ebu Hasen Maverdi, fq. 260

[8] Po aty.

[9] Buhari

[10] Buhari

[11] Ebu Hasen Maverdi, ka shkruar një kapitull të tërë rreth kushteve të atij me të cilin duhet të këshillohesh dhe konsultohesh në librin: Edebu Dunia ve Din.

[12] Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxha. E ka saktësuar Albani