Xhamia e Kuqe

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim
Xhamia e Kuqe është një nga dy xhamitë kryesore të kalasë së Beratit. Ajo është një nga xhamitë më të vjetra në të gjithë Shqipërinë. Mendohet të jetë ndërtuar në fillimet e shek. XV, menjëherë pas marrjes së Beratit nga ushtritë osmane në vitin 1417. Disa studiues e datojnë më herët ndërtimin e kësaj xhamie. Arkeologët e njohur Gjergj Frashri dhe Sulejman Dashi, të mbështetur edhe në modelet tipologjike dhe stilistike të xhamisë, kanë mbetur gjithmonë të mendimit që Xhamia e Kuqe i takon fundit të shekullit XIV, konkretisht viteve të sundimit të sulltan Bajazitit I (1389-1402), pra dy-tre dekada para sundimit osman të qytetit.
Studiuesi i njohur i arkitekturës osmane në Ballkan, profesori holandez Maikel Kiel (Machiel Kiel l. 1938) dhe arkeologu Aleksandër Meksi shprehen se mendimi i Frashrit dhe i Dashit nuk është i bazuar në fakte, sepse Berati është marrë nga turqit në vitin 1417. Sipas tyre, ngjashmëritë stilistike dhe mënyra e ndërtimit nuk janë të mjaftueshme për të datuar ndërtimin e xhamisë në fundin e shekullit XIV. (1)
Ky mendim mbështetet edhe në një nga emrat e hershëm me të cilin është njohur kjo xhami ‘Fethije Xhami’, ndryshe xhamia e çlirimit.
Vlen të theksohet se arkeologët Gjergj Frashri dhe Aleksandër Meksi janë dy arekologët që kanë drejtuar punimet për restaurimin e xhamisë së Ethem Beut në fillimin e viteve 80-të, gjatë sistemit monist.
Sidoqoftë të gjithë këta studiues pajtohen njëzëri se Xhamia e Kuqe është vepra më hershme e sferës islame në zonën e Beratit dhe se ajo është ndërtuar jo më vonë se në çerekshekullin e parë të shek. XV. (2)
Evlija Çelebiu, në vizitën e tij të dytë në Berat, përshkruan dy xhami brenda kalasë. Sipas tij, njëra pranë akropolit e quajtur xhamia e Bajazit Hanit dhe tjetra brenda akropolit e quajtur xhamia e Hunqarit. Mesa duket xhamia e Bajazit Hanit është pikërisht xhamia e kuqe. Zyratarisht është quajtur xhamia e Bajazit Hanit, por emërtimi popullor “Xhamia e Kuqe” ka gjetur më shumë vend, duke lënë në harresë emërtimin zyrtar. (3)
Emrin “Xhamia e Kuqe” e ka marrë nga tullat e kuqe të stilit bizantin të cilat i japin një pamje të veçantë. Xhamia tjetër e kalasë, Xhamia e Bardhë ka qenë e ndërtuar vetëm me gurë të cilat i jepnin edhe asaj një pamje karakteristike.
Xhamia e Kuqe bashkë me Xhaminë e Bardhë janë shpallur monument kulture në vitin 1961 me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 172. Nga xhamia kanë mbetur vetëm rrënojat dhe minarja. Minarja është ruajtur më mirë dhe falë përkujdesjes është akoma e mbajtur mirë. (4)
Xhamia është e pozicionuar pranë portës hyrëse të akropolit, ndryshe nga Xhamia e Bardhë e cila është ndërtuar brenda akropolit. Akropoli është pika më e lartë e një qyteti të lashtë, një fortesë e fortifikuar mirë brenda kalasë, nga ku qeverisej dhe drejtohej qyteti.
Salla e faljeve është 8.25 metra e gjatë dhe 7.50 metra e gjerë. Pjesa e pasme e xhamisë (hajati) është 4.90 x 7.50 m. (5) Dyshemeja ka qenë e shtruar me gurë dhe prej kanë mbetur gjurmë të pakta. Evlija Çelebiu e përshkruan Xhaminë e Kuqe të ndërtuar sipas një stili antik, me tulla të kuqe dhe të mbuluar me tjegulla. Sipas tij ajo ishte një xhami e veçantë dhe disi e çuditshme krahasur me xhamitë e tjera.
Shpresojmë që kjo xhami të rindërtohet, për vetë rëndësinë e madhe historike që ka. Xhamia e Kuqe si një xhami gjashtëqindvjeçare dhe një nga më të vjetrat në Shqipëri mbart vlera historike të mëdha të kulturës islame.
Vetë kalaja e Beratit është një pikë tërheqëse për shumë turistë shqiptarë dhe të huaj. Gjatë vizitës së kalasë takova edhe disa vizitorë arabë. Vitet e fundit numri i vizitorëve arabë dhe myslimanë nga vende të ndryshme është rritur ndjeshëm. Rindërtimi i xhamisë, pse jo edhe i një bujtine ose hani tradicional mysliman, do të tërhiqte edhe më shumë vizitorë. Brenda kalasë kanë mbetur të ruajtura deri diku edhe disa saraje turke dhe shumë elementë të tjerë tërheqës.
Florian Leli
________________________
(1) Shiko librin e Makiel Kielit “Arkitektura osmane në Shqipëri 1385 – 1912”, Shtëpia botuese: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, viti: 2012.
(2) Artikull me titull: ZHVILLIMI I ARKITEKTURËS ISLAME SHQIPTARE TË XHAMIVE, nga Gj. Frashri dhe S. Dashi, marrë nga revista “Monumentet”, Nr. 2, 1986.
(3) Evlija Çelebiu, Sijahatname, Udhëtimi nga Berati në Elbasan.
(4) Shiko faqen e Institutit Kombëtar të Trashgimisë Kulturore IKTK, chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://iktk.gov.al/…/2020/10/Monumentet_-Qarku-Berat.pdf
(5) Të dhënat janë marrë nga pllaka e IKTK-së në Xhaminë e Kuqe.
(6) Evlija Çelebiu, Sijahatname, burimi i cituar mësipër.