A lejohet të blihet mishi i therur nga kasapi me nijetin e kurbanit?

Lidhja e Hoxhallarëve
4 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: A lejohet të blihet mishi i therur nga kasapi me nijetin e kurbanit, apo duhet patjetër të blihet kafsha e destinuar për kurban kur është ende e gjallë?

Sepse sot shohim kasapë që blejnë dele, i therin me nijetin e kurbanit dhe më pas ua shesin të therura klientëve, të cilët i blejnë për kurban, njësoj si mishi që shitet për konsum të zakonshëm.

 

Përgjigje: Për ta kuptuar më mirë këtë çështje, duhet të kuptojmë fillimisht qëllimin e kurbanit. Kurbani në vetvete është flijimi i një kafshe të përcaktuar sheriatikisht (si dele, dash, dhi, lopë apo deve) në ditët e Kurban Bajramit, me qëllim afrimin tek Allahu dhe adhurimin e Tij. Pra, kurbani nuk është një therje e zakonshme vetëm për konsum familjar, por një adhurim që lidhet me bindjen ndaj Allahut, sinqeritetin për Të, falënderimin për begatitë, sakrificën dhe përkujtimin e devotshmërisë së Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit (alejhima esselam).

Vetë fjala “kurban” vjen nga afrimi (el-kurbeh), që besimtari ia dedikon Allahut si akt adhurimi dhe nënshtrimi.

Për realizimin e këtij adhurimi, besimtari duhet ta ketë ose ta blejë kafshën e destinuar për kurban me qëllim që ta flijojë për hir të Allahut. Pra, duhet patjetër të bëjë nijetin, ashtu siç ka thënë Muhammad në hadithin e njohur:

“Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe secilit i takon ajo që ka pasur për qëllim.” (Buhariu nr 1 dhe Muslimi nr 1907)

Ky adhurim, në këtë formë, nuk realizohet ndryshe veçse përmes pronësisë së kafshës së kurbanit sa është ende e gjallë dhe me nijetin për ta bërë kurban.

Këto dy kushte; pronësia e kafshës dhe nijeti për ta bërë kurban, përfshihen në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: ‘Me të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.’” (Sureja El-En’am, 162)

Ndërsa kafsha që kasapët e shesin pasi është therur, zakonisht theret me qëllim tregtie dhe jo si kurban i caktuar për blerësin. Në këtë rast, blerësi nuk ka më mundësi ta bëjë nijetin për kurban, sepse therja tashmë ka përfunduar.

Kjo bie në kundërshtim edhe me hadithin që transmeton Ali ibn Ebi Talibi, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut më urdhëroi të kujdesesha për devetë e kurbanit të tij, të shpërndaja sadaka mishin, lëkurat dhe mbulesat e tyre, dhe të mos i jepja kasapit asgjë prej tyre.” (Buhariu nr 1716 dhe Muslimi nr 1317)

Gjithashtu, kafsha e blerë pasi është therur mund të mos dihet nëse ka qenë e sëmurë apo me të meta fizike, gjë që është ndaluar qartë në hadithet profetike për kushtet e kurbanit. Prandaj, kur u pyet Imam Ahmed ibn Hanbeli për kafshë të tilla, tha: “Ai është mish që e ka blerë, dhe nuk është kurban.” (el-Irshad ila Sebili er-Reshad 1/375)

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH