Pamundësia e përsëritjes së shkaktarëve
Mund të thuhet, në sqarimin e domosdoshmërisë së parimit të shkakësisë përmes metodës së ndarjes logjike përjashtuese, se ndodhja e një gjëje (fillimi i ekzistencës së saj) pasi ajo nuk ekzistonte më parë, përbën:
- Provë se ajo nuk është e hershme pa fillim; sepse sikur të ishte e hershme pa fillim, ajo nuk do të kishte qenë joekzistente në asnjë çast të kohës.
- Provë se ajo nuk është e pamundur; sepse sikur të ishte e pamundur, ekzistenca e saj nuk do të mund të realizohej në botë.
Më pas, kalimi i saj nga mos-ekzistenca në ekzistencë nuk mund të ndodhë veç në dy mënyra:
- Ose ndodh pa një shkaktar,
- Ose ndodh me një shkaktar.
Që të ndodhë pa një shkaktar është në kundërshtim me domosdoshmërinë logjike dhe instiktive që çdo njeri e ndjen brenda vetes; sepse nuk ka asnjë njeri të arsyeshëm që të perceptojë ngjarjet e realitetit sikur të mos kishin shkaktar, dhe askush nuk beson se vjedhja e pasurisë së tij ndodhi pa një shkaktar (hajdut), dhe askush nuk beson se gërvishtja në kokën e tij ndodhi pa një shkaktar. Çdo njeri i arsyeshëm beson se nuk ka ndodhi pa shkaktarin e saj.
Atëherë mbetet vetëm që çdo ngjarje të ketë një shkaktar, dhe ndodhja e saj nga një shkaktar nuk mund të mos jetë:
- Ose që vepruesi të jetë vetë gjëja e ndodhur (e krijuar).
- Ose që ai të jetë dikush tjetër përveç saj.
Por që gjëja jo ekzistente të krijojë vetveten dhe t’i japë vetes tiparin e ekzistencës është e pamundur për tre arsye:
- Ngaqë kërkohet që gjëja të jetë më parë se vetja e saj, gjë që është e pamundur pasi veprimi nuk mund të ekzistojë para shkaktarit.
- Sepse ai që nuk e posedon një gjë, nuk mund t’ia dhurojë atë as vetes dhe as dikujt tjetër
- Sepse gjëja e mundshme në gjendjen e mos-eksistencës, i ka të barabarta dy mundësitë: ekzistencën dhe mosekzistencën; për të favorizuar njërën nga mundësitë, duhet një faktor që e favorizon, dhe nuk mund të jetë vetë gjëja jo ekzistuese, sepse atëherë do të ishte e hershme (pa fillim), por ajo nuk është e tillë.
Pra, mbetet vetëm që shkaktari që ndikon në kalimin e diçkaje nga mos-ekzistenca në ekzistencë të jetë jashtë vetës së saj. Dhe nëse është jashtë, nuk mund të mos jetë:
- Ose që ekzistenca e tij të jetë e paraprirë nga mosekzistenca.
- Ose që ekzistenca e tij të mos jetë e paraprirë nga mosekzistenca.
Nëse është e paraprirë nga mos-ekzistenca, atëherë duhet të ndiqet e njëjta logjikë për shkaktarët e mëparshëm, duke rezultuar në një zinxhir pafund shkaktarësh, gjë që është e pamundur për mendjen dhe do të çonte domosdoshmërish në pamundësi të ndodhjes së ndonjë gjëje në realitet; sepse nëse një shkaktar vepron vetëm pasi të ketë vepruar një tjetër më parë dhe nuk ka një shkaktar fillestar, atëherë asgjë nuk mund të ndodhë.
Dhe për të ilustruar këtë: nëse supozojmë se një kriminel është dënuar me vdekje dhe një ushtar thotë: “Nuk mund ta ekzekutoj derisa të më urdhërojë dikush më i lartë se unë,” dhe ky më i larti thotë të njëjtën gjë për dikë tjetër, dhe kështu me radhë, atëherë nëse zinxhiri nuk ka një komandant fillestar që nuk pret urdhër, krimineli nuk do të mund të ekzekutohej. Dhe nëse e gjejmë të ekzekutuar, atëherë e dimë se zinxhiri ka një fillim të caktuar.
