A mund ta bëj nijetin për namaz kaza

Lidhja e Hoxhallarëve
4 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Kam vajzën në universitet dhe ndonjëherë i kalon koha e namazit të drekës pa e falur. A mund ta bëjë nijetin për namaz kaza?

Përgjigje: Allahu i Lartësuar në Kuran dhe Profeti (alejhissalatu ue selam) në hadithet e tij na kanë bërë të ditur se namazet kanë kohët e tyre të caktuara dhe se ato duhet të falen rregullisht brenda kohës së tyre, pa neglizhencë.

Megjithatë, nëse besimtari gjendet në rrethana të veçanta dhe është i angazhuar me një punë ose detyrim që, për arsye të ndryshme, e pengon ta falë namazin në kohën e tij, atëherë në fenë islame ekziston një lehtësim i përcaktuar. Në këtë rast nuk është e nevojshme që ta falë namazin me nijetin e kazasë.

Në një hadith që e transmeton Muslimi (nr. 705), nga Abdullah ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), thuhet:

“Profeti (alejhissalatu ue selam) e bashkoi namazin e drekës me ikindinë dhe namazin e akshamit me jacinë, jo për shkak të frikës dhe as për shkak të shiut.”

Ibn Abbasi u pyet: “Përse e bëri këtë Profeti (alejhissalatu ue selam)?”

Ai u përgjigj: “Që të mos e rëndonte umetin e tij.”

Në një version tjetër të hadithit, po te Muslimi (nr. 705 (49), Ibn Abbasi sqaron se ky bashkim nuk ka ndodhur gjatë udhëtimit dhe se Profeti (alejhissalatu ue selam) bashkoi vetëm drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë. Pra, nuk bëhet fjalë për bashkimin e katër namazeve njëherësh, siç mund të keqkuptohet nga leximi sipërfaqësor i hadithit.

Nga ky hadith kuptohet se, në raste nevoje, nuk është e nevojshme të bëhet nijeti për namaz kaza. Juristët islamë (fukahatë) kanë sqaruar se në raste të tilla bëhet nijeti i bashkimit të dy namazeve. Pra, ashtu siç përmendet në hadithin profetik, namazi falet me nijetin e bashkimit (xhem’), e jo me nijetin e kazasë.

Për shembull, nëse besimtari sheh se koha e drekës po përfundon, ndërkohë që është i angazhuar dhe e ka realisht të vështirë ta falë namazin për shkak të detyrimeve, mungesës së mundësisë për të marrë abdes, mungesës së një vendi të përshtatshëm për falje ose arsyeve të tjera të ngjashme, ai mund ta falë namazin e drekës në kohën e ikindisë, duke i bashkuar të dy namazet. Po kështu, mund ta falë akshamin në kohën e jacisë, duke i bashkuar edhe këto dy namaze.

Është e pëlqyeshme që para namazit të thirret ezani një herë në fillim, ndërsa për secilin namaz të bëhet ikameti veçmas.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH