Agjërimi dhe Devotshmëria

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Hoxhë: Mustafa Terniqi

 

Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë urdhëron e thotë:” O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni.” Sure Bekare, 183.

Allahu i Madhërishëm me këtë ajet kuranor na tregon se, agjërimi ka qenë detyrë edhe për popujt e mëparshëm dhe mbi të gjitha na tregon se agjërimi kryhet dhe realizohet për t’u ruajtur nga të këqijat. Por cilat janë ato gjëra nga të cilat duhet të ruhemi? Ato janë si vijojnë:

1- Gjynahet

2- Veset negative

3- Zullumet dhe padrejtësitë

4- Zjarri i Xhehenemit.

Kjo do të thotë se me agjërim nuk kuptojmë thjesht një proces adhurimi, që fillon me agimin dhe përfundon me perëndimin e diellit, ku njeriu privon veten e tij nga ushqimi, pija dhe epshi, por kemi një urdhër të dyfishtë, ku përtej agjërimit si proces adhurimi kemi dhe ruajtjen nga të këqijat.

Sa i përket gjynaheve ato janë dy llojesh; gjynahe mes, njeriut dhe Zotit të tij dhe gjynahe publike. Për mëkatet që i di vetëm Zoti besimtari ka premtim se do t’i falen. Profeti (alejhis- salatu ues-selam) na tregon, se në Ditën e Gjykimit Allahu do t’i thotë robit të Tij:” Sa ishe në dynja t’i mbulova ato gjynahe, andaj do t’i fal ato sot.” (Transmetoi Buhariu).

Ndërsa mëkatet e shfaqura apo publike janë në dorë të Allahut, nëse do i fal, ose mund të dënojë për to, dhe janë pikërisht ato mëkate nga të cilat muslimani duhet të ruhet më shumë për të arritur një agjërim të plotë dhe të pranuar, ndërkohë besimtari i vërtetë duhet të ruhet nga të gjitha gjynahet sa të jetë e mundur.

Për sa i përket veseve negative, ato përfshijnë sëmundjet e zemrës, si arroganca, mendjemadhësia, lakmia, inati, zilia, smira, urrejtja, armiqësia, etj., të cilat nëse akumulohen në zemër e bëjnë njeriun të shfaqë veprime dhe gjynahe nga më të ndryshmet deri te padrejtësia. Duke u ruajtur nga këto sëmundje, ose së paku duke përmbajtur veten dhe duke e menaxhuar atë me kujdes, muslimani arrin të realizojë një agjërim të vërtetë fizik dhe shpirtëror.

Ndërsa çështja e zullumeve dhe e padrejtësive e bën njeriun të dalë nga natyra e vërtetë e besimtarit. Nuk mund të bashkohen së bashku agjërimi dhe padrejtësia. Agjërimi i tillë është agjërimi në nivelin më të ulët, që rrezikon sevapet dhe shpërblimet. Për këtë kemi hadithin profetik ku thuhet:” Ndoshta një agjërues nuk përfiton nga agjërimi i tij vetëm se etjen dhe urinë.” (Transmetuan Ahmedi dhe Ibn Maxheh).

Në një hadith tjetër Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë: “Kush nuk braktis dëshminë ose deklaratën e rreme dhe praktikat e tilla, atëherë ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ky njeri të braktisë ushqimin dhe pijen.” (Transmetoi Buhariu).

Duke u ruajtur nga sa thamë më sipër, muslimani realizon një adhurim të saktë, të plotë, të drejtë dhe e përmbush qëllimin e vërtetë të agjërimit, gjë e cila çon në devotshmëri. E për rrjedhojë do të jetë i ruajtur edhe nga Zjarri i Xhehenemit në Ditën e Gjykimit.

Nga kjo kuptojmë, se sa i mëshirshëm është treguar Zoti ynë, i cili kërkon të përmisohemi në çdo aspekt, nga brendësia jonë si qenie njerëzore e deri te veprimtaria jonë e jashtme.

Kjo sepse agjërimi në të vërtetë zgjon ndërgjegjen, pastron zemrën dhe shpirtin, kthjellon mendjen, stabilizon konceptin e të menduarit, rregullon shëndetin, rregullon dhe stabilizon dëshirat, pasionet dhe epshin, largon babëzinë dhe grykësinë, kuron egon, zhvillon modestinë, skalit durimin, kultivon sakrificën, zgjeron humanzimin, përmirëson sjelljen, zbukuron moralin dhe disiplinon jetën. Thënë ndryshe, agjërimi ka dobi tepër të mëdha fetare, morale, shëndetësore, sociale dhe shoqërore për këdo që arrin ta kuptojë realitetin e këtij adhurimi të veçantë.