Dhuna në familje një fenomen negativ i dukshëm i shoqërisë së sotme dhe familjes moderne

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 7 minuta lexim

day3

Dhuna në familje një fenomen negativ i dukshëm i shoqërisë së sotme dhe familjes moderne

 

Sokol Kondakçiu

 

Nga frytet  e  zhvillimit  dhe  emancipimit të sotëm  modern Shqipëria  po përballet  me një fenomen shumë negativ në shoqëri, krimi dhe dhuna,  krimi në familje  dhe  jashtë saj. Është bërë  gati  normale të dëgjojmë  çdo ditë në edicionet e lajmeve  kronikën e zezë,  e cila është  bërë pjesë e rëndësishme  e këtyre edicioneve, si dhe debateve të shumta  nëpër studiot  televizive. Është  folur  shumë për  dhunën në familje,  dhunën kundër  fëmijëve dhe grave,  vrasjeve dhe  vetëvrasjeve të shumta,  të cilat  tanimë janë bërë normale për ne. Vetë kronika e zezë tashmë duhet vënë në pikëpyetje, sepse po ndihet pesha e saj në ndërgjegjen tonë sociale. Madje për këtë duhet hapur një debat më vete, a duhet t’i jepet kaq rëndësi asaj sa i jepet apo jo? Televizioni dhe rrjetet sociale po rezultojnë si mjete të efektshme për edukimin masiv të popullsisë, prandaj duhet shikuar me shumë vëmendje edhe ky fenomen ndikues.

Fakti  që në shoqërinë  tonë  ndodh dhe  është  shtuar së tepërmi një fenomen i tillë  është tregues, se shoqëria shqiptare lëngon  dhe vuan nga shumë drejtime, të cilat nganjëherë njerëzit më të dobët  i çon drejt dhunës në përgjithësi, drejt vrasjes apo edhe vetëvrasjes.

Nëse do të shikojmë më në thelb do të vërejmë se motivet e dhunës janë xhelozia, tradhtia, vjedhja, imoraliteti, stresi,  varfëria e tejskajshme etj. Në studiot televizive diskutohet gjerë e gjatë rreth këtyre fenomeneve me pasion nganjëherë flitet edhe me keqardhje, por e gjithë vëmendja  përqendrohet  tek politika  dhe forca politike në pushtet, se nuk ka bërë  sa duhet  për të ndalur këtë fenomen. Shpesh herë i vihet  faji edhe policisë së shtetit, që në fakt nuk janë  edhe pa faj. Mirëpo ne si shoqëri kemi nevojë për një pakt social, dhe modelet e duhura ku duhet të mbështetemi.

Modelet të cilat po na serviren për të zgjidhur këtë problem janë ligjet e Perëndimit, ku  garantohen të drejtat dhe të sigurojnë jetën. Në fakt  nuk janë  simptomat e sëmundjes  ato  që duhet  të na bëjnë neve përcaktimin e diagnozës, por  shkaqet që i shkaktojnë këto simptoma,  pra  duhet  ta  thellojmë  analizën  tonë,  se pse ndodhin këto fenomene  në shoqërinë  tonë, e cila  më parë,  edhe  pse jo në këtë stad zhvillimi arsimor  e teknologjik,  nuk i ka pasur këto fenomene, e jo më me këto shifra të frikshme të krimit brenda familjes,  apo edhe dhunës ndaj femrës. Ndërkaq ne nga Perëndimi kemi huazuar vetëm modelet e hidhura dhe jo ato të punës me korrektësi, e për një jetë të qetë familjare.

Ne si  popull në origjine kemi  një kulturë lindore islame dhe si të tillë në vitet para-komuniste,  dhe  si pasojë  edukata fetare  ka qenë  ajo mbizotëruesja  në masen e popullit çka e bënte më të lehtë jetën me rregullat fetare, të cilat kishin në thelb të drejtën, dhe mbrojtjen e njeriut, mbase jo me garantuesin shtet, por nëpërmjet  zakoneve  dhe  parimeve  fetare  dominuese.

Është  e vërtete  se  nuk ka pasur krime të shumta, e as dhunë  brenda familjes sa sot, ku ne mendojmë  se jemi më mirë se sa para 60 vjetësh. Në fakt është Feja Islame ajo e cila  garanton me forcën e parimeve të saj dhe ligjeve të saj mbrojtjen dhe  sigurimin e jetës, pasurisë, dhe nderit të njerëzve, sepse këto janë prej pesë qëllimeve të shenjta për të cilat  ka ardhur Feja  Islame.

Largimi nga  besimi dhe parimet  e tij hyjnore bën që njeriu ta humbë rrugën e drejtë, atë  rrugë të ndriçuar nga  Krijuesi i Tij  thotë Allahu në Kuran: “Atë  që Allahu e udhëzon në  Islam ai vërtet është i udhëzuar,  dhe kush largohet  për të nuk do të gjesh udhëzues”.

Në një vend  të panjohur dhe mbushur plot rreziqe  çdokush nga ne  ka nevojë për udhëzues, që të gjejë rrugën e duhur, e cila nuk ka rreziqe  dhe  vështirësi.

Kjo botë në të cilën jetojmë i ngjan pak a shumë shembullit  të lartpërmendur, nëse  nuk do të kemi besim tek Allahu i Madheruar  dhe në Kuranin Famëlartë ligjet e të cilit  rregullojnë dhe garantojnë një jetë më të qetë dhe të lumtur në këtë botë, si dhe  shpëtim në atë  tjetrën.

Për të gjitha fenomenet  dhe shkaqet  që na çojnë deri në këtë pikë ka folur dhe i ka trajtuar  Allahu i Madheruar në Kuran, dhe nëse nuk do t’i bindemi Atij, dhe nuk do t’i zbatojmë  këto parime, atëherë nuk do të jemi të mbrojtur dhe të garantuar, sepse  kemi marrë  një  rrugë,  e cila nuk e dimë  se ku do të na shpjerë në fund.  Fundi  është  stres, sëmundje, dhunë, vrasje, vetëvrasje, grabitje, përdhunime etj., etj. Për sa thamë  Allahu i Madhëruar  thotë: “E kush largohet nga përkujtimi ai do të jetojë një jetë të vështirë e në Diten e Gjykimit  do ta ringjallim të verbër, do të thotë: Zoti im përse më ringjalle të verbër, kur unë kam qenë  me shikim?… I thotë: Ashtu siç  ti i harrove argumentet tona, po ashtu sot  ne do të harrojmë  ty”.

E lusim Allahun e Madhëruar për udhëzim në Islam për të gjithë për të gjetur shpëtimin  dhe lumturinë e humbur.