Shembuj nga njerëz që i ngriti lart dituria

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 12 minuta lexim

Shejh Ibn Kajim el-Xheuzijeh

 

Vërtet dija e ngre lart dijetarin në këtë botë dhe në botën tjetër dhe nuk kanë për ta ngritur mbretërimi dhe pasuria e asgjë tjetër. Dituria i shton të nderuarit nderin dhe i ngre robërit, aq sa të ulen në vendet e mbretërve.

Në një hadith të saktë transmetohet se Nafi’ ibn Abdil Harith e takoi një ditë Omer ibn Hatabin në Usfan. Ky ishte mëkëmbësi i Omerit në Mekë. Omeri e pyeti: “Kë ke caktuar zëvendësues për banorët e asaj lugine?- -Ibn Ebzanë, – tha ai,- një njeri me prejardhje nga skllevërit tanë.- Omeri i tha: -“Ke lënë pasues një rob?!”- -“Ai është një nga kënduesit e mirë të Kuranit, – tha ai, – dhe i ditur në dijen e trashëgimisë.”- Atëherë Omeri r.a tha: “E pra, Profeti juaj ka thënë: “Vërtet Allahu ngre lart me këtë libër (Kuranin) disa njerëz dhe po me atë ul disa të tjerë.”

Ebul Alijeh tregon: “E vizitova Ibn Abasin dhe ai qëndronte në shtratin e tij. Përreth kishte njerëz nga Kurejshët, mirëpo ai më merrte prej dore e më ulte afër në shtratin e tij, ndërkohë Kurejshët më ngacmonin. Ibn Abasi i vuri re dhe tha: “Kështu është kjo dituri. Njeriut të nderuar ia shton nderin, kurse robërit i ul nëpër shtretër.”

Ibrahim Harbi tregon: “Ata’ ibn Ebi Rebahu ka qenë një rob i zi në pronësinë e një gruaje nga banorët e Mekës. Hundën e kishte si bathë. Një ditë e viziton Prijësi i Besimtarëve me dy djemtë e tij, mirëpo u ulën duke pritur, sepse ai po falte namaz. Kur mbaroi, u kthye nga vizitorët. Ata vazhdonin t’i bënin një mori pyetjesh, që lidheshin me rregullat e Haxhit, kurse ai u kishte kthyer atyre zverkun. Pastaj Sulejmani i tha dy djemve të tij të çohen dhe iu drejtua me këto fjalë: “Bijtë e mi! Mos ngurroni të mësoni dituri, sepse unë s’mund ta harroj poshtërimin tonë para këtij robi të zi.”

Ibrahim Harbi po ashtu thotë: “Muhamed ibn Abdirrahman El-Eukasi e kishte qafën të futur në trup, kurse supet i kishte të nxjerra si të ishin bërryla. Një ditë nëna e tij i tha: “Biri im! Sa herë që ulesh në ndonjë vend, njerëzit qeshin dhe tallen me ty, atëherë mëso dituri, sepse ajo do të ngrejë lart.” Erdhi koha dhe ai u bë gjykatësi i Mekës për 20 vjet me radhë. Sa herë që ulej pala kundërshtare në gjykim para tij, vazhdonte të dridhej derisa të çohej. Një ditë po kalonte një grua dhe e dëgjoi duke u lutur: -“O Zoti im! Liroje (shpëtoje) qafën time nga zjarri i xhehenemit!”- Ajo i tha: -“O biri vëllait tim! E ku ke qafë ti?!”

Jahja ibn Ekthem tregon, se Harun Rashidi e kishte pyetur: -“Cila pozitë është më e mira?”- -“Pozita në të cilën qëndron ti, o Prijësi i Besimtarëve.”, – iu përgjigja unë. Haruni tha: -“A e di, se kush qëndron më lart se mua?”- -“Jo.”, – i thashë. Ai vazhdoi: -“Unë e njoh mirë atë. Është një burrë që ulet në një rreth dhe përcjell hadithet e Pejgamberit a.s duke thënë: “Më ka treguar filani nga filani, se i Dërguari i Allahut ka thënë…”- I thashë: -“O Prijësi i Besimtarëve! Si mundet të jetë më i mirë se ty, kur ti rrjedh nga fisi i Pejgamberit a.s. dhe mban kurorën mbretërore të besimtarëve?”- Ai ma ktheu: -“Mjerë për ty! Ai njeri është më i mirë se unë, sepse emri i tij është bashkangjitur me emrin e të Dërguarit të Allahut, e nuk vdes kurrë, kurse ne do të vdesim e do të mbarojmë, ndërsa dijetarët do të qëndrojnë sa të jetë jeta.”

Hajtheme ibn Sulejmani thotë, se e ka dëgjuar Ibn Ebil Hanaxhirin duke thënë: -“Ishim në një mexhlis, ku ishte ulur Jezid ibn Haruni dhe ishin grumbulluar shumë njerëz. Aty kaloi Prijësi i Besimtarëve dhe vuri re, se ishin mbledhur mijëra njerëz. U kthye nga eskorta e tij dhe u tha: -“Ky është mbretërimi i vërtetë.”

Në librin e njohur “Historia e Bagdadit” të Imam Hatib El-Bagdadiut shënohet, se dijetari Ibnul Amid ka thënë: “Nuk e mendoja se në dynja do të kishte diçka më të ëmbël se udhëheqja dhe qeverisja në të cilën gjendem, derisa dëgjova Sulejman ibn Ejub Taberanin dhe Ebu Bekr Xhiabijjun duke shqyrtuar dhe përsëritur njohuritë me njëri-tjetrin. Taberaniu ishte superior, sepse dinte më shumë përmendësh, kurse Xhiabi ia kalonte me intuitën dhe zgjuarsinë, që karakterizoheshin irakenët. Kështu vazhduan derisa u ngritën zërat e tyre dhe Xhiabi tha: -“Unë kam një hadith, që nuk e gjen te njeri tjetër në këtë botë.”- Taberaniu i tha: -“Atëherë sille!”- Xhiabi nisi të tregojë hadithin duke përmendur zinxhirin e hadithit. Taberaniu ia ktheu duke i thënë: -“Ebu Halife prej të cilit e transmeton ti këtë hadith e ka dëgjuar prej meje, kështu merre më mirë nga unë hadithin me zinxhir të lartë.” Këtu i erdhi zorr Xhiabit dhe u mund.”- Më pas Ibnul Amidi tha: -“Sa shumë do dëshiroja që të mos kisha në dorë udhëheqjen dhe qeverisjen, por të isha si Taberaniu dhe të gëzohesha për hadithin, ashtu siç u gëzua ai.”

Imam Muzeniu shprehet: “E kam dëgjuar Shafiun duke thënë: “Ai që e mëson Kuranin, do t’i rritet vlera. Ai që shqyrton çështjet e fikhut (Jurisprudencës Islame), do të bëhet i madh. Ai që mëson gjuhën arabe, bëhet me natyrë të butë. Ai që mëson aritmetikën, do t’i piqen mendimet, ndërsa ai që mëson dhe shkruan hadithin, do t’i forcohet argumentimi. Kurse ai që nuk e ruan veten e tij, nuk do t’i bëjë dobi dituria.”

Sufjan Theuriu thotë: “Kush dëshiron të arrijë dynjanë dhe ahiretin bashkë, le të mësojë dituri.”

Abdullah ibn Davudi tregon, se e ka dëgjuar Sufjan Theuriun duke thënë: “Vërtet hadithi është lartësim. Kush synon dynjanë nëpërmjet tij do ta arrijë dhe kush synon botën tjetër nëpërmjet hadithit, do ta arrijë.”

Nadr ibn Shumejl thotë: “Kush dëshiron të lartësohet në dynja dhe ahiret, le të mësojë diturinë. I mjafton njeriut si lumturi të jetë te njerëzit e tjerë i besueshëm për të përcjellë fenë e Zotit dhe të jetë ndërmjetës mes tyre dhe Allahut.”

Hamza ibn Seid El-Misri tregon, se Ebu Seid El-Lakhmi ditën e parë që filloi të transmetojë e të përcjellë te njerëzit hadithet e Pejgamberit a.s, i tha djalit të tij: -“Sa të holla kanë tepruar nga të ardhurat tona?”- “300 dinarë, – u përgjigj i biri. Atëherë Ebu Seidi tha: -“Shpërndaji ato të holla tek ata që merren me hadith dhe tek fukarenjtë si shenjë mirënjohjeje, se babai yt sot dëshmoi për hadithet e të Dërguarit të Allahut dhe ajo dëshmi u pranua.”

Në librin “El-Xhelisu vel-Enis” autor i të cilit është Ebul Ferexh El-Muafa ibn Zekerijja shënohet, se Muavija ndërtoi në Ebtah (të Mekës) një vend për të ndenjur e çlodhur. Më pas u ul aty bashkë me Karedhanë, të birin e tij, kur pa një grup njerëzish me bagazhet e tyre. Një djalë i ri nga ata kishte ngritur zërin dhe po këndonte:

“Kush garon me mua ka të bëjë me të lavdishëm

E mbush kovën sa të lidhet fort litari”

 

Ai pyeti: -“Kush është ky?”- -“Abdullah ibn Xhaferi”,- i thanë. Muavija shtoi: -“Lëreni të shkojë në rrugë të tij.”

Pastaj pa një grup njerëzish. Një djalosh prej tyre këndonte:

 

“Ndërkohë që më kujtojnë do më shohin

Prej një milje nxiton për mua i merituari

Ato pyetën a e njihni djaloshin? Po thanë

E njohëm atë, a mund të fshihet hëna?”

 

Ai pyeti: -“Kush është ky?”- -“Amr ibn Ebi Rabiah,”- i thanë. Muavija shtoi: -“Lëreni të ndjekë udhën e tij!”

Pastaj pa një burrë mes një turme njerëzish, që e pyesnin për shumë rregulla të Haxhit. Pyeti për të dhe i thanë: -“Ai është Abdullah ibn Umeri.”- Atëherë ai u kthye nga djali i tij, Karedha, dhe i tha: -“Pasha Allahun! Ky është lartësimi në dynja dhe ahiret.”

Sufjan ibn Ujejne thotë: -“Njerëzit që meritojnë gradën më të lartë tek Allahu janë mdërmjetësuesit ndërmjet Tij dhe robërve. Ata janë Profetët dhe dijetarët.”

Sehl Tusteriu thotë: -“Kush dëshiron të shikojë mexhliset e profetëve, le të shikojë mexhliset e dijetarëve.”- Aty vjen një njeri dhe pyet: -“O filan! çfarë thua për një burrë që u betua në lidhje kurorën e gruas së tij, kështu e ashtu?”- Ai përgjigjet: -“Ajo konsiderohet e ndarë.”- Pastaj vjen një tjetër dhe e pyet: -“U betova për këtë e atë…!”- Ndërsa ai i thotë: -“Nuk konsiderohet sikur e ka thyer betimin.” Këtë nuk e bën vetëm një profet ose dijetar, atëherë dijani atyre këtë gjë.”

Ibn Kajim el-Xheuzijeh -Vlera e dijes dhe e dijetarëve