Tërmeti dhe përjetimi i tij

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Hoxha Neki Kaloshi

Të nderuar vëllezër e motra, besimtare e  besimtarë!*

Populli ynë ka disa ditë, që ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë ankthin nga tërmeti i datës 26 nëntor dhe nga lëkundjet, që e kanë pasuar dhe vazhdojnë ta pasojnë atë.  Ky tërmet pati pasoja në jetë njerëzore, ku deri në këto momente janë evidentuar  zyrtarisht 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur, me mijëra hyrje e shtëpi e mjedise të ndryshme, që nuk plotësojnë standardet për të jetuar në to, për shkak të plasaritjeve e shembjeve të konsiderueshme të objekteve.

Atyre që kanë ndërruar jetë lusim Krijuesin e Gjithësisë t’i mëshirojë dhe të prehen në parajsë, si dëshmorë të kësaj tragjedie! Lusim Zotin Shërues, që t’i shërojë të plagosurit!  E lusim Allahun xh.sh., që të dëmtuarit nga ky tërmet të marrin dëmshpërblimin përkatës dhe t’ju rindërtohen shtëpitë e pronat, si dhe t’ju zëvendësohen orenditë shtëpiake sa më parë. Këto momente duhet të jenë momente meditimi, reflektimi dhe solidarizimi me të gjithë të dëmtuarit.

Të nderuar bashkëkombas! Krahas shpjegimit shkencor të fenomenit të tërmetit, i cili ka shumë pikëpyetje, ka edhe një shpjegim fetar  e teologjik sipas besime fetare, ku në këndvështrimin islam shikohet si një paralajmërim për gabimet, mëkatet, gjynahet, që bëjnë njerëzit në kolektiv, si rezultat i padrejtësive që ato i bëjnë njëri-tjetrit në të gjitha dimensionet. Por jo vetëm ky fenomen, por çdo ngjarje që i ndodh njeriut gjatë kësaj jete të përkohshme, ka shpjegim në rrafshin teologjik, ashtu siç ka dhe shpjegime në rrafshe të tjera. Trajtimi në dimensionin fetar i çdo ngjarjeje, që i ndodh njeriut synon që ta bëjë atë të  reflektojë për gjendjen e tij të brendshme, me qëllim që të bëhet më i mirë,  më i dashur, më human, më i drejtë e më solidar. Janë pikërisht të tilla gjendje që krahas reflektimeve të gjithanshme, duhet ta bëjnë njeriun të përpiqet të heqë dorë nga veset, gabimet, mëkatet e zullumet që kryen në mikro-e-makromjediset ku vepron e për zullumet, që e rrethojnë, qoftë edhe kur nuk është ai vepruesi e përhapësi i këtyre zullumeve apo padrejtësive. Edhe në të tilla raste ai duhet të veprojë me vepra e gjuhë në ndryshimin e parandalimin e zullumeve, e në mos tjetër, tek e fundit t’i shmanget atij mjedisi, që po kryen me vetëdije një mëkat.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendin tonë ka shumë gjëra, që nuk shkojnë si duhet. Padrejtësia është ulur këmbëkryq në vendin tonë. Shpresoj që kjo dridhje të ketë dhënë efekt edhe në dridhjen e zemrave të zullumqarëve,  të padrejtëve, hipokritëve, që sa janë në kohë të heqin dorë nga veprat e ulëta dhe poshtërsitë, që po i kryejnë hapur e fshehurazi, me dhe pavetëdije. Mesazhin e dridhjes së tokës nën këmbët e tyre ta lexojnë mirë dhe siç duhet, ta ndiejmë e ta shikojnë si dridhje të shpirtit të tyre. Këto dridhje, shpresojmë që t’i bëjnë ato të heqin dorë nga zullumet e tyre dhe të mos e keqpërdorin dhe ta keqmenaxhojnë këtë situatë, që po kalojnë një pjesë e bashkëkombasve tanë.

Sfida momentalisht është në miradministrimin e ndihmave, që po vijnë nga të katër anët, e të mos kthehet në një histori turpi, ku mendohet për të vjedhur, abuzuar apo përfituar prej dhuruesve në kurriz të të dëmtuarve.

Mund të ishim edhe ne pjesë e këtyrë shkatërrimeve, ndaj reflekto e vepro!

* Në këtë rubrikë do të gjeni opinionet e hoxhallarëve tonë për probleme të ndryshme, të cilat jodomosdoshmërisht janë linjë zyrtare e LHSH.